Misioni i SPAK-ut, çmontimi i autokracisë!

Nga Azgan Haklaj

Shkak i këtij reagimi është agresiviteti në kor i dirigjuar kundër SPAK-ut dhe GJKKO-së nga treshja pengmarrëse e demokracisë Berisha-Rama-Meta dhe falangat e tyre.
Data 20 shkurt kur në kujtesën e njerëzve që jetuan në diktaturë përkon me rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës u kthye nga Edi Rama në ditë apeli për një unitet të ri në instalimin e një neodiktature autokratike.
Rama si një Kim Yong gjatosh mblodhi dhunshëm në sheshin”Skenderbej” mijëra punëtorë të shkretë bashkiake e shtetërore për ti bërë presion të hapur organeve speciale të drejtësisë së re.
Nervozizmi dhe fjalori ordiner që ai serviri atë ditë e në vijimësi këto kohë duke koreluar e shpesh duke tejkaluar Sali Berishën në epitete perverse e banale është shenjë e qartë se diçka si e Erion Veliajt po troket në portën e tij.
Por me e rëndësishmja është se vetë nervozizmi i skajshëm i tyre në fakt vetëm sa deshmon se SPAK e GJKKO janë në rrugë të mbarë e të guximshme kundër krimit e fenomenit të pandeshkueshmërisë.
Rezultati i zgedhjeve në SHBA duket se po keqpërdoret e kapitalizohet në përçudni nga dyshja Rama-Berisha duke krijuar analogji të rreme me qëndrimin e Presidentit Trump ndaj prokurorit Smith.
Po ashtu ata po luajnë në mënyrë femijënore me mbështetjen që administrata Biden ka dhënë sistematikisht ndaj organeve të reja të drejtësisë në Shqipëri duke harruar se SHBA janë shtet që përkundër ndryshimeve presidenciale ç’do 4 vite kanë një strategji afatgjatë që mbështetet në principet që i dominojnë.
E pra një nga angazhimet e administratës Trump të cilën ka filluar ta implementojë për vete dhe aleatët është lufta kundër korrupsionit, shpërdorimit dhe autokracisë.
Edhe kjo degë iluzive ku mendojnë të kapen treshja famëzezë e postdiktaturës 34 vjeçare në vendin tonë Berisha-Rama-Meta është një degë jo vetëm e thyer por dhe e tharë.
Pafytyrësia e tyre arrin kulmin pasi kjo treshe ka votuar SPAK-un dhe GJKKO-në ndërsa dritëshkurtësia qëndron në realitetin që ato janë tashmë organe kushtetuese dhe ç’do tentativë si ajo e komisionit “Xhafa” përbën një puç konstitucional.
Në këto kushte kur ky sulm agresiv i kordinuar i dy mazhorancave parlamentare shkrirë në një Rama -Berisha duket i papërballueshëm në fakt une e përkthej dhe besoj ndryshe.
Në fundin e tyre të gjithë diktaturat dhe autokraturat reagojnë me fjalor e veprime agresive të ekzagjeruara dhe të pakontrolluara.
E ajo që duhet ta dinë të gjithë shqiptarët se së shpejti do materializohet është se Rama dhe Berisha nuk merakosen as për drejtësinë e as për Erjon Velinë e Ilir Metën.
I gjithë halli është personal se SPAK-u po zhgarrdhnon me prova vetë çiflikun e tyre politike dhe familjare.
Ndoshta shumë shpejt do ketë arrestime VIP në dy çifliqet të cilat shqiptarët e ndërkombëtarët i përfolin, i presin dhe do ti përshëndesin.
Tentativa për ti kaluar edhe këto zgjedhje nën trysninë e parave të pista e bandave elektorale që zotërojnë të dy krahët shpresoj që do të stopojë në ditët në vazhdim.
Fakti që Edi Rama u turr me tërbim kundër veprimit kushtetues të SPAK-ut për mbikqyrjen e krimit elektoral e deshmon këtë konstatim.
E mbyll këtë reagim aspak me një “filxhan falli” politik por me bindjen se me autokraturën kriminale elektorale Rama-Berisha nuk mund të ketë jo vetëm zgjedhje të lira por as zgjedhje fare…!
Shpejt dhe me ndihmën e drejtësisë së re dhe të aleatëve tanë euroatlantikë do të ketë një horizont të ri…natyrisht në përputhje me aspiratën e shumicës dermuese të shqiptarëve brenda dhe jashtë kufijve tanë.
“Aspeti e Asperare” (Të presim e të shpresojmë).

Artikulli paraprakBIRN: Banorët e prekur nga tërmeti i mbajnë shpresat te fushata elektorale
Artikulli tjetërFitim Zekthi: A e ka ndryshuar SHBA politikën e saj ndaj Shqipërisë?