22 ditë në muaj jashtë Shqipërisë, bilanci i tetorit

Qëndron 9 ditë në muaj në Tiranë dhe 22 ditë majë avionit e jashtë atdheut. Ky është rezultati i investigimit të gazetarit Artur Çani të “Shuplaka.com” që ka kryer për muajin tetor 2016, për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Një staf i tërë, i zyrës së PR-it në Bashkinë e Tiranës na hedh hi syve. Dhe ky veprim është sistematik, përgjatë të gjithë muajit.
Veliaj është shfaqur thuajse përditë në ekranet tona gjatë muajit tetor të vitit të kaluar. Ai inauguron, viziton, hap punime, inspekton, puth fëmijë, ndihmon të moshuar, preket emocionalisht me aktorë (nuk thamë se aktron me ta) … Pra, shfaqet si kryebashkiaku punëtor, që gjendet gjithnjë në krye të detyrës 24/24 dhe 7/7. S’ka ndryshim dita nga dita, nata nga nata, fillim a fundjavë ç’rëndësi ka për punëtorët, njësoj janë.
Dhe stafi i tij nuk ka se si ta paraqesë kryebashkiakun ndryshe, ashtu siç ndodh në të vërtetë, që Veliaj ka qenë në zyrë e në terren vetëm 9 ditë në muaj. Jo. Stafi raporton ngjarjet sipas sistemit të ngritur. Cili është sistemi i strukturuar dhe provat e mashtrimit për qytetarët?! Çfarë ndodhte në Tiranë, teksa Veliaj bënte ecejake nëpër botë?
E pas këtyre dokumente dilet në përfundimin se, nuk është Erion Veliaj që po e drejton Tiranën, por zyra e montimit të kronikave të tij me 60 gazetarë që është ngritur në Bashki që prej ardhjes së tij në këtë detyrë.

Hyrje-daljet nga Shqipëria

Erion Veliaj rezulton se ka dalë nga Shqipëria në datë 5 tetor 2016 (14:45) dhe është kthyer në datën 7 tetor (00:10) 2016 dhe në datën 6 shfaqet në televizor që përuron palestrën dhe ambientet e tjera sportive të gjimnazit “Qemal Stafa”, në një kohë që ai ka qenë në Lubjanë, vërtetuar nga TIMS-i dhe përforcuar nga faqja online e Bashkisë Tiranë. Por si e përuroi palestrën po atë ditë në Tiranë në një kohë që ishte në Lubjanë?
Dalja e radhës së Veliajt është 11 tetori (14:38) dhe është kthyer më 13 tetor (23:46). Më 12 tetor ai ka qenë në Goteborg të Suedisë. Pra, në datat 11, 12 dhe 13 ai ka qenë jashtë. Mirëpo, në datën 12 tetor shfaqet në televizor dhe në njoftimin e faqes së Bashkisë që inspekton punimet për këndin e ri të lodrave në sheshin “Shyqyri Peza”.
Veliaj ka dalë sërish më 15 tetor (09:10) dhe është kthyer më 21 tetor (14:25). 1 javë jashtë Shqipërisë. Por edhe kësaj radhe, pikërisht më 15 tetor Veliaj shfaqet në rikonstruksionin e rrugës “Kujtim Laro”, në datën 16 tetor shfaqet duke inspektuar trotuaret dhe rrugën “Ali Demi”, më 17 tetor shfaqet duke inspektuar këndin e lojërave në Njësinë Nr. 7, më 18 tetor i pranishëm në rikualifikimin urban të bllokut të banimit te Fusha e Aviacionit, më 19 tetor duke inspektuar nisjen e punimeve në rrugën “Heirmann Gmeiner” të Njësisë Nr. 2, më 20 tetor në përfundimin e punimeve të fushave sportive të “Fan Noli” dhe më 21 tetor në përfundimin e rikonstruksionit të rrugës “Ali Shefqeti”.
Të gjitha këto, të cilësuara si në kronikat televizive dhe në faqen e bashkisë që e drejton vetë.
Kryebashkiaku ka dalë sërish jashtë vendit më 22 tetor (07:47) dhe është rikthyer më 26 tetor (12:54). Pra, dhe 5 ditë të tjera po jashtë vendit. Por, si gjithnjë, në datën 22 tetor shfaqet me aktoren Hajrie Rondo, në datën 23 tetor përfundon rikualifikimin urban të një tjetri blloku pallatesh në Njësinë Nr. 4, ku Veliaj është i pranishëm, më 24 tetor përfundon një tjetër investim në zonën e Farkës, në datën 25 tetor Veliaj shfaqet në televizion në rrugën “Vëllezërit Manastirliu” për nisjen e rikualifikimit urban.
Dhe dalja e fundit e muajit është 27 tetori (13:23) për t’u rikthyer më 30 tetor (14:22). 4 ditë të tjera jashtë. Në datën 28 tetor, Veliaj shfaqet duke inspektuar punën për zhvendosjen e nënstacionit elektrik te Unaza e Vogël. Në datën 30 tetor flet me zë dhe figurë nga Njësia Administrative Nr. 7.
Fare e thjeshtë. Kryeqytetasit e ndiqnin atë “live” me idenë që punonte për Tiranën, por në fakt në këto ditë ai ndodhej jashtë Shqipërisë. Dhe gjatë kësaj kohe stafi i Veliajt e ka mbuluar me 16-18 kronika televizive, të pasqyruara edhe në faqen e Bashkisë, në një kohë që ai ndodhej diku nëpër botë. Një sistem i ngritur për mrekulli, me qëllim që askush mos të dyshojë për prezencën ose jo në punë të kryebashkiakut më të rëndësishëm në Shqipëri, kryeqytetit.

117 milionë lekë për bileta avioni

Kur varfëria ka prekur thuajse gjysmën e shqiptarëve, siç thuhet në raportin e fundit të Bankës së Shqipërisë, qeveritarët vazhdojnë të rrisin shpenzime e luksit. Dhe këtë po e bëjnë jo vetëm pjesëtarët e ekipit të qeverisjes qendrore, por edhe të zgjedhurit lokalë.
Rasti më flagrant është ai i Bashkisë së Tiranës. Kryebashkiaku Erion Veliaj ka shpenzuar 11 milionë e 700 mijë lekë të reja apo afro 85 mijë euro, vetëm për bileta avioni, për vitin 2016.
Kaq është shuma që ai i kishte vënë në dispozicion Agjencisë së Prokurimit Publik. Tenderi, siç shihet në dokumentin e siguruar ekskluzivisht nga “lapsi.al”, është zhvilluar më 15 mars 2016.
Objekti i prokurimit është “Blerje bilete udhëtimi për transport ajror ndërkombëtar për Bashkinë e Tiranës për vitin 2016”.
Afati për realizimin e këtij shërbimi ishte 31 dhjetori 2016. Po për çfarë i nevojiten Bashkisë së Tiranës kaq shumë bileta avioni?
Në këtë buxhet duket se janë futur edhe biletat për 20 gazetarët që Veliaj mori me vete në Milano gjatë një fundjave, për të asistuar në takimin e tij privat me arkitektin Stefano Boeri.
Nuk përjashtohet mundësia që Veliaj të ketë parashikuar të tjera udhëtime si ky, për të shëtitur nëpër botë që të shohë se ç’punë kanë realizuar arkitektë e artistë të ndryshëm, se si po i gjelbërojnë ata kryeqendrat e botës, ndërkohë që Veliaj akuzohet në Shqipëri se po varros edhe të vetmen hapësirë të gjelbër të Tiranës.
Veliaj, siç rezulton nga shuma që shpenzoi për fluturime ndërkombëtare, duket se fluturoi jo pak vitin 2016. Dhe shpenzimet janë disa herë më të mëdha, pasi me 11.7 milionë lekët e reja do të blihen vetëm për biletat. Këtu nuk përllogariten hotelet apo darkat e luksit.
Nga mazhoranca parlamentare janë jo të paktë qeveritarët e vënë nën akuzë nga kundështarët politike se po shpenzojnë më shumë kohë jashtë vendit, sesa në Shqipëri. I pari në listën e atyre që ka fluturuar më shumë jashtë është kryeministri Edi Rama.
Erion Veliaj i ka tashmë më të pakta mundësitë protokollare për të qenë pjesë e delegacioneve qeveritare në udhëtimet jashtë vendit, pasi nuk është pjesë e kabinetit qeveritar. Por për të mos mbetur mbrapa ish-kolegëve në qeveri, ai duket se i ka rezervuar vetes të tjera privilegje luksi, të paguara me taksat e qytetarëve dhe bizneseve të Tiranës, të cilat i ka rritur jo pak me të ardhur në krye të Bashkisë.

Përse heshti dje Bashkia për skandalin?

Bashkia e Tiranës nuk ka reaguar rreth akuzave ndaj kryebashkiakut mashtrues se ka munguar në tetor për 22 ditë në punë, pasi ka qenë jashtë vendit. Është obligim i kryetarit të Bashkisë që të tregojë me fakte se si e justifikon rrogën që merr nga taksat e qytetarëve të kryeqytetit. Megjithatë dihet nga të gjithë se Veliaj nuk shquhet për ndjenjë përgjegjshmërie në pozicionin që mban. Ai thjesht është gati të bëjë gjithçka në kurriz të shqiptarëve për karrierën e tij politike.
Ka qenë një investigim gazetaresk me fakte se Erion Veliaj nuk ka qenë në zyrën e tij për 22 ditë në tetor, por ka qenë jashtë shtetit, ndërkohë që nëpër televizione ai kishte dërguar kasetat e përgatitura nga punonjësit e zyrës së tij të tejfryrë të shtypit. Tashmë është fakt se kryebashkiaku Veliaj jeton më shumë jashtë vendit se sa brenda. Kujdesi për qytetarët e Tiranës ekziston vetëm në kasetat e montuara nga zyra e tij në bashki ku me paratë e taksave paguhen 60 persona që në vend të përçojnë punën kundrejt qytetarëve janë angazhuar në makijazhin mediatik të Erion Veliajt. Taksat e reja që ky i fundit ka shtuar në shpinën e qytetarëve po përdoren për të paguar kasetat e montuara dhe qejfet e kryebashkiakut të Tiranës nëpër vende ekzotike.
Kur jetojmë në një komunitet me shqetësime gjithnjë në rritje për përballimin e kushteve të jetës, transparenca dhe llogaridhënia kthehet në detyrim qytetar në kuptimin e plotë të fjalës. Nuk bëhet më fjalë për një detyrim moral individual. E drejta e qytetarëve për të kërkuar llogari shtetarëve rrjedh nga Kushtetuta, ndaj edhe detyrimi për të reaguar merr ngjyrime të respektimit të të drejtës së qytetarit. Megjithatë Veliaj në pamundësi për të kundërshtuar faktet e mbledhura me kujdes, ka zgjedhur heshtjen duke injoruar qytetarët e Tiranës që po vuajnë çdo ditë e më shumë kur kryebashkiaku bën qejf për 22 ditë vetëm brenda një muaji me taksat e tyre.

“SHUPLAKA”

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërKontrolloni paratë në Banka nga Jaku i Ramës