“Ata që mbijetuan” është vepra fituese e Çmimit Kadare 2025 me autor Armand Borën. Kjo është hera e parë që fitues i këtij çmimi, i cili jepet për prozën shqipe, të shpallet një dorëshkrim në dramë. Gjatë një dekade të veprimtarisë, çmimi ka shkuar për dorëshkrime në zhanrin e romanit, tregimeve, novelës, nga autorë të njohur dhe të rinj në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe diasporë.
Risia e dytë këtij edicioni të njëmbëdhjetë ishte juria. Duke qenë se çmimi ka krijuar traditën e vet, fondin e tij të fituesve dhe veprave, juria erdhi me konceptin e ri që vlerësimi për dorëshkrimin më të mirë të bëhet nga fituesit e mëhershëm. Këtë vit pati përfaqësi nga tre breza shkrimtarësh, nga më i riu Dionis Prifti, te Loer Kume e Vera Bekteshi, e cila kryesoi punën e jurisë, nën asistencën këshilluese të kritikut letrar Ermir Nika dhe koordinimin e Suadela Balliut.
Çmimi Kadare 2025 pati gjithashtu prurje rekord dorëshkrimesh, me rreth 40 të tilla, me autorë nga të gjitha trojet ku flitet dhe shkruhet shqip, me një larmishmëri zhanresh dhe tematikash, disa të trajtuara për herë në letërsinë shqipe.
Pas një shqyrtimi të kujdesshëm, juria e këtij edicioni, përzgjodhi dhjetë dorëshkrimet më të mira, e më pas pesëshen finaliste të përbërë nga: Armand Bora me dramën Ata që mbijetuan; Enird Malil me tregimet Planeti leshtor; Gazmend Krasniqi me romanin Si shkruhet një roman dashurie; Mimoza Ahmeti me romanin I vogli; Stefan Çapaliku me romanin Saga e Sarajevës.
Mes këtyre alternativave jo të lehta, juria vendosi që: “Çmimi Kadare 2025 i jepet dramaturgut Armand Bora për veprën dramatike “Ata që mbijetuan”, për risi stilistikore dhe vlera të qëndrueshme estetike, ku me anë të ndërtimit të personazheve autentike, sjell evokimin e së kaluarës, duke përcjellë mesazhe në realitetin e sotëm”.
I diplomuar në Universitetin e Arteve, Armand Bora ka një karrierë të gjatë e të spikatur si autor i shumë produksioneve skenike, regjisor i disa produksioneve operistike, autor i disa teksteve në dramë, autor filmash, krahas së cilave ka vijuar punën si pedagog me të rinjtë në universitet.
Vlera totale Çmimit Kadare vlerësohet 10 mijë euro, ku krahas pjesës monetare, fituesit i sigurohet botimi i veprës nga shtëpia botuese UETPRESS dhe promovimi i saj përmes turesh e takimesh me lexuesit në të gjithë Shqipërinë.
Fituesit ndër vite kanë qenë emra të rinj e të njohur nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut e diaspora. I pari fitues i këtij çmimi u shpall shkrimtari Rudolf Marku me romanin e tij Tre divorcet e zotit Viktor N.; duke vijuar me Shkëlqim Çelën dhe përmbledhjen me tregime Embriologji; Virgjil Muçi me “Piramida e Shpirtrave”; autori nga Kosova Musa Ramadani me “Profeti nga Praga”; Loer Kume me “Amigdala Mandala”; Gani Mehmetaj po ashtu nga Kosova me romanin “Zogjtë e Qyqes”; shkrimtarja Vera Bekteshi me romanin “Pusulla të Verdha”; poetja e re nga Maqedonia e Veriut e cila debutoi me romanin “Duhet të jetë dashuri”; prozatori i ri Dionis Prifti me romanin “Dy javë nën balonë.
Dekadën e dytë të fituesve e nis Armand Bora me dramën “Ata që mbijetuan”.