Gjobëvëniet, zbulohen ushtarët e tjerë të Shullazit, gati arrestimet

Prokuroria për Krime të Rënda ka identifikuar disa ushtarë të tjerë të Emiljano Shullazit për grabitje e gjobëvënie nëpërmjet kërcënimit dhe presionit. Prokuroria bëri të ditur se, ka zgjeruar hetimet ndaj personave, që dyshohet se janë pjesë e organizatës kriminale që drejtohet nga Emiljano Shullazi. Sipas burimeve nga organi i akuzës, përveç të arrestuarve, Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Endri Zela, Endri Qyqja dhe Blerim Shullazi, Prokuroria po heton edhe një grup personash me banim në Tiranë dhe Durrës, që dyshohet se janë pjesë e këtij grupi kriminal.
Burimet thonë se, Prokuroria prej muajsh po kryen veprime hetimore me metoda speciale, ndaj këtyre personave, disa prej të cilëve janë identifikuar duke kryer veprime konkrete për llogari të të dyshuarve të arrestuar. Apo edhe kanë vepruar e bashkëpunuar me të dyshuarit e arrestuar para prangosjes së tyre. Sipas akuzës, mësohet se me administrimin me cilësinë e provës materiale të dëshmisë së biznesmenit Ylvi Beqja, e cila pritet të bëhet mesditën e datës 27 janar, Prokuroria do të konkretizojë veprimet, duke mos përjashtuar edhe arrestimin e ndonjërit prej tyre. Këto persona, dyshohet se kryejnë aktivitetin në Tiranë dhe Durrës dhe mbajnë kontakte të vazhdueshme edhe me të dyshuarit që ndodhen të arrestuar.
Nga ana tjetër, zyrtarisht Prokuroria për Krime të Rënda që në fazën e hetimit paraprak ka siguruar dëshminë e biznesmenit Ylvi Beqja, i cili ka pranuar të rrëfejë kërcënimet dhe gjobat që ka paguar për llogari të bandës së drejtuar nga i dyshuari Emiljano Shullazi. Ai i ka treguar hetuesve se prej vitesh ndodhej nën kërcënimin e të dyshuarve, të cilët për një afat të shkurtër kohor në formën e gjobës i kanë marrë rreth 550 mijë euro cash. Këto para, ka thënë Beqja, ishin të shitjes së një përqindje të caktuar të sipërfaqes së ish-hotel “Vollgës” në Durrës. Paratë, sipas Prokurorisë, në disa raste Beqja i ka lëshuar me çeqe për llogari të bandës me arsyetimin se nuk mund të kalonte para cash nga banka. Veç kësaj, Beqja ka rrëfyer edhe për rastet, kur Shullazi i ka vendosur pistoletën në bark, duke e kërcënuar që nëse nuk i paguante do të ekzekutohej.
Biznesmeni Ylvi Beqja ka lëshuar dy çeqe me një vlerë rreth 70 mijë euro në emër të Gilmando Danit, krahut të djathtë të Emiljano Shullazit, para të cilat, rezulton se janë tërhequr më pas nga banka e niveli të dytë nga vetë i dyshuari Dani. Po me kërkesë të Shullazit, biznesmeni Beqja ka lëshuar edhe dy çeqe të tjera për nipin e tij tashmë të arrestuar Endri Zela, i cili rezulton nga banka e nivelit të dytë se ka thyer çeqet, duke tërhequr shumën e 50 mijë eurove. Veç Danit dhe Zelës, mësohet se Prokuroria ka provuar se edhe Endri Qyqja, i besuari tjetër i Shullazit, ka thyer një çek me vlerë rreth 16 mijë euro që biznesmeni Beqja e ka lëshuar në emër të tij në formën e pagesës së gjobës. Të gjitha këto pretendime janë pasqyruar në kallëzimin që Beqja ka dhënë para hetuesve me cilësinë e të dëmtuarit që tashmë ka marrë statusin e dëshmitarit të mbrojtur të drejtësisë.
Më 27 janar, me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata ka vendosur të marrë në pyetje biznesmenin Ylvi Beqja, në lidhje me kërcënimet, shantazhet dhe gjobat që është detyruar t’i paguajë bandës së drejtuar nga Shullazi. Dëshmitari i mbrojtur i drejtësisë, Ylvi Beqja do të përballet në Gjykatë me Emiljano Shullazin dhe të akuzuarit si pjesëtar të bandës së tij. Ky ballafqim, pritet të ndodhë për herë të parë mes Shullazit dhe Beqjas, që kur ky i fundit ka pranuar të bashkëpunojë me Prokurorinë, duke rrëfyer kërcënimet, shantazhet dhe pagesat në formë gjobe që ka bërë për llogari të bandës së drejtuar nga Emiljano Shullazi.

R.POLISI

Artikulli paraprakFamilja e naftëtarit që tentoi të hidhej nga oxhaku në mes të rrugës
Artikulli tjetërTritan Shehu: Nga dolën këta 600 mijë persona që Rama flet?