Në Bashkinë e Tropojës në veri të Shqipërisë, disa prej ish-komunave të dikurshme janë të përjashtuara nga përfaqësimi në Këshillin Bashkiak – i njohur ndryshe si parlamenti i qeverisjes vendore. Shumica e këshilltarëve aktualë përfaqësojnë në letër një konglomerat partish të vogla, aktiviteti i së cilave është pothuajse i panjohur për zonën e Tropojës.
Në realitet gjërat shfaqen ndryshe.
“Shumë këshilltarë nuk kanë asnjë lidhje me partinë që përfaqësojnë,” thotë Egert Gjongeci, sekretar i Këshillit Bashkiak të Tropojës. “I marrim në telefon dhe i pyesim se cili është emri i partisë që përfaqëson apo kryetari i saj dhe nuk e dinë,” shtoi ai.
Kriza e përfaqësimit politik në qeverisjen vendore nuk është një fenomen i izoluar vetëm në Bashkinë e Tropojës. Në tre bashkitë e Qarkut të Kukësit, këshilltarët bashkiakë përfaqësojnë deri në 18 parti politike në total, ndërkohë që pesha e përfaqësimit të mijëra banorëve të zonave të margjinalizuara rurale është tkurrur për shkak të boshllëqeve në Kodin Zgjedhor dhe aritmetikës elektorale.
Sipas Kushtetutës së Shqipërisë dhe ligjit për “Vetëqeverisjen vendore”, Këshillat Bashkiakë janë organet përfaqësuese të Bashkive, të cilat rregullojnë dhe administrojnë në mënyrë të pavarur çështjet vendore brenda juridiksionit të tyre.
Megjithatë, dhjetra aktorë lokalë në Kukës, Has dhe Tropojë i thanë BIRN në intervista të veçanta se pas reformës administrativo-territoriale të vitit 2015, Këshillat Bashkiakë e kanë humbur edhe më tej rëndësinë e tyre, duke u kthyer në zgjatime të kryetarëve të Bashkive.
Ekspertët e qeverisjes vendore e shpjegojnë këtë ndryshim me interesat e partive politike, po aq sa edhe me mungesën e rregullimeve ligjore që u jep komuniteteve lokale të drejtën e përfaqësimit në Këshillat Bashkiakë.
“Besoj që këtu politika vendore i lë jashtë vëmendjes zonat rurale, sepse investimet bëhen në qendër të qyteteteve, ku ndërveprimi ekonomik është shumë i madh dhe ku impakti elektoral është më i madh,” i tha BIRN Fatlum Nurja, ekspert me përvojë 30-vjeçare në çështjet e qeverisjes vendore.
“E keqja është goxha e thellë, sepse përfaqësimi politik nuk është thjesht për përfaqësim politik, por është për t’u shërbyer atyre që përfaqëson dhe kjo është në Kushtetutë,” shtoi ai.
Zonat rurale pa përfaqësim

Shqipëria është përballur me tre reforma të mëdha administrativo-territoriale që prej rënies së regjimit komunist në vitet ’90; dy të parat me synimin e rritjes së demokracisë vendore dhe e treta për rritjen e eficencës. Reforma e fundit e qeverisë “Rama” në vitin 2015 i shkriu komunat dhe reduktoi numrin e njësive të qeverisjes vendore nga 373 në 61 bashki; pjesa dërrmuese e të cilave kontrollohet nga Partia Socialiste pas zgjedhjeve lokale të vitit 2023.
Përfaqësuesit e pushtetit vendor në Kukës, Tropojë dhe Has i thanë BIRN se rezultati i dukshëm i reformës është përjashtimi nga përfaqësimi politik i dhjetra fshatrave dhe komuniteteve lokale, të cilët janë gjithashtu të penalizuar nga investimet dhe shërbimet publike.
Në Bashkinë e Kukësit, zonat e Gorës, Bushtricës, Grykë-Cajës, Kalisit, Surroit dhe Mamëzit nuk kanë përfaqësues në Këshillin Bashkiak. Në Tropojë, shembulli më i dukshëm është ish-komuna e Lekbibajt, ndërsa në Has ish-komunat e Fajzës dhe të Gjinajt.
Mehmet Bala, kryeplak i fshatit Shishtavec në Bashkinë e Kukësit i tha BIRN se ndonëse zona e Gorës është shpallur zyrtarisht minoritet bullgar prej vitit 2017, nuk ka aktualisht asnjë përfaqësues në Këshillin Bashkiak.
Bala fajëson partitë e mëdha politike që nuk përzgjedhin përfaqësues nga kjo zonë. Edhe ata pak këshilltarë me origjinë të hershme nga Gora, përfaqësojnë sipas tij “interesat e tyre klanore” dhe jo ato të banorëve.
“Shishtaveci është i majtë. Ka votuar PS-në, por nuk ka asnjë këshilltar nga PS-ja,” deklaroi ai.
Në ish-komunën e Lekbibajt, një zonë e besimit katolik në Bashkinë e Tropojës, situata është e ngjashme dhe askush nuk përgjigjet për problemet e banorëve.
“Shumë zona nuk kanë përfaqësues që ta ngrejnë zërin e komuniteteve,” thotë sekretari i Këshillit Bashkiak të Tropojës, Egert Gjongeci.
Përfaqësuesit e pushtetit vendor kërkojnë ndërhyrje në Kodin Zgjedhor për të korrektuar mungesën e përfaqësimit, duke bërë një shpërndarje më të mirë të këshilltarëve sipas kufijve territorialë. Ata theksojnë gjithashtu se nevojitet një edukim më i mirë i qytetarëve për të kuptuar rëndësinë e Këshillit Bashkiak si dhe për të shmangur votimin familjar.
Ismail Buçpapaj, një gazetar veteran nga Tropoja i tha BIRN se nevojitet përfaqësimi mbi bazë zone si dhe një edukim më i mirë i banorëve për zgjedhjet lokale.
“Kandidatët që aspirojnë për këshilltarë i “prenotojnë” votuesit 6 muaj para ditës së zgjedhjeve. Një problem i madh është se elektorati nuk e vlerëson votën për në Këshillin e Bashkisë, prandaj duhet punë për të edukuar zgjedhësit për këtë,” tha Buçpapaj.
Edhe Adem Pepnika, ish-personel mjekësor aktualisht në pension mendon se mungesa e përfaqësimit mund të zgjidhet përmes kuotave të përcaktuara në Këshillin Bashkiak.
“Zonat duhet të përfaqësohen sipas numrit të popullsisë në këshillin e bashkisë. Mos të lejohen të kandidojnë këshilltarë ato parti politike, që nuk kanë degë apo seli në Tropojë, apo bashkitë tjera respektive,” sugjeron Pepnika.
“Kryetari i Bashkisë, më i fortë se Këshilli”
Në zgjedhjet lokale të 14 majit 2023, Partia Socialiste në pushtet siguroi një fitore dërrmuese duke marrë drejtimin e 54 bashkive të vendit, ndërkohë që koalicioni opozitar Bashkë Fitojmë drejton vetëm 7 prej tyre.
Megjithatë, raporti është i ndryshëm në konfigurimin e Këshillave Bashkiakë.
Në Kukës, Has dhe Tropojë, shumicën e Këshillave Bashkiakë e zotërojnë formalisht partitë e vogla. Sipas ekspertëve të qeverisjes vendore, kjo është një anomali e zbatimit në praktikë të Kodit Zgjedhor.
“Kodi Zgjedhor favorizon partitë e vogla,” i tha BIRN kryeplaku i fshatit Shishtavec, Mehmet Bala, dikur anëtar i Këshillit të Qarkut. “Me dalë si kandidat i pavarur duhen më shumë se 1 mijë vota, ndërsa me një parti të vogël mund të dalësh këshilltar edhe me 300 vota ose më pak, nëse je i pari në listë,” shpjegoi më tej ai.
Si pasojë e aritmetikës elektorale, pesha politike e Këshillave Bashkiakë është sot e fragmentarizuar, ndërsa opozitarizmi vendor konsiderohet një fenomen në zhdukje. Në të kundërt, roli i kryetarit të Bashkisë është fuqizuar dhe mbart pothuajse të gjithë pushtetin në nivel lokal.
Eridona Ramallari, sekretare e Këshillit të Bashkisë së Kukësit i tha BIRN se përsa kohë që Kodi Zgjedhor favorizon partitë e vogla, kryetari i Bashkisë është më i fortë sesa Këshilli, ndonëse ligji parashikon të kundërtën.
“Këshilli i Bashkisë së Kukësit është pa opozitë. Nuk ndjehet opozita,” tha Ramallari, ndërsa shton se opozita nuk e ka formuar as formalisht grupin e vet të këshilltarëve.
“Opozita ka qenë gjithmonë pro projekt-vendimeve të ardhura nga administrata e Bashkisë, ndaj nuk formojnë grupe,” shtoi ajo, ndërsa theksoi se kishte parë më shumë opozitarizëm në këshill në vitet 2019-2023 të bojkotit të opozitës sesa aktualisht.
Lulzim Logu, aktivist i shoqërisë civile në Tropojë e quan qeverisjen aktuale vendore “një diktat të kryetarit të Bashkisë” ndaj një këshilli të fragmentarizuar.
“Në bashkitë e vogla, rolin kryesor e luan kryetari i Bashkisë, i cili cakton datën e mbledhjes, ndikon në rendin e ditës dhe çeshtjet e tjera që kanë të bëjnë me zhvillimin e infrastrukturës që vijnë nga administrata e bashkisë,” tha Logu për BIRN.
“Nuk respektohen afatet ligjore. Bëhen mbledhje jashtë radhe 2-3 herë në muaj për interesat e kryetarit të bashkisë apo këshilltarëve dhe komisionet mblidhen formalisht,” shtoi ai.
Flamur Thaçi, ish-nënkryetar i Bashkisë së Hasit shprehu gjithashtu shqetësimin për mungesën e debatit në Këshillin Bashkiak.
“Nuk ka debat në këshillin bashkiak. Investimet shkojnë aty ku dëshiron kryetari i Bashkisë ose këshilltarët,” thotë Thaçi.
Por kryebashkiaku i Hasit, Miftar Dauti thotë se ata këshillohen paraprakisht me këshilltarët dhe vendimet janë kolegjiale.
“Jemi bashki me bazë fshati, ku shumica e këshilltarëve banojnë në fshat. Përfaqësimi në baza politike nuk luan ndonjë rol të rëndësishëm,” tha Dauti.
Të penalizuar nga investimet

Gjatë vitit 2024, Bashkia e Kukësit dhe ajo e Tropojës i thanë BIRN në përgjigje të kërkesave për të drejtë informimi se kishin shpenzuar më shumë para për njësitë administrative rurale sesa për qytetin, ndërsa në Bashkinë e Hasit, investimet në qytet kanë ende përparësi. Bashkia e Kukësit premtoi 4-fishim të investimeve për zonat rurale gjatë vitit 2025.
Por fshati Mamëz në këtë bashki nuk ia ka dalë ende të përfshihet në hartën e investimeve.
Fshati Mamëz njihet për minierën e nikel- silikatit, një produkt që eksportohet drejt Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut duke sjellë miliona euro të ardhura në vit. Por fshati vuan për rrugë dhe sipas anëtarit të pleqësisë, Hamdi Sulmata, nuk ka marrë asnjë investim mbrapsht.
“Investimet bëhen në bazë të preferencave dhe lobimeve të ndryshme, duke shmangur prioritetet. Ndërtohen rrugë në zonat e tjera ku nuk ka as banorë, duke shmangur fshatin tonë nga investimet,” thotë Sulmata, duke fajësuar për këtë edhe mungesën e një përfaqësuesi në Këshillin Bashkiak.
Ekspertët e pushtetit vendor theksojnë se gjatë dekadës së fundit, shumica e investimeve janë përqendruar në qendrat urbane, duke penalizuar mijëra banorë të zonave të thella rurale. Mungesa e përfaqësimit në qeverisjen vendor e thellon sipas tyre shpërndarjen e drejtë të fondeve dhe shërbimeve në zona të caktuara.
Gjongeci nga Këshilli Bashkiak i Tropojës thotë se investimet bëhen kryesisht në qytet, ose anojnë andej “nga vjen shumica e këshilltarëve bashkiakë”.
Në Kukës, sekretarja e Këshillit, Eridona Ramallari thotë se këshilltarët bashkiakë janë të pafuqishëm për të vendosur mbi nisma që kanë kosto financiare, që sipas saj kalojnë kryesisht përmes kryetarit të Bashkisë.
“Ligji nr.139, në nenin 20 të tij nuk u lë hapësirë këshilltarëve… është ndërtuar që fuqinë ta ketë kryetari i Bashkisë,” tha Ramallari.
Eksperti Fatlum Nurja thotë se një problem i madh me shpërndarjen e investimeve lidhet me buxhetet e ulëta të bashkive të vendit, që sipas tij shpenzojnë së bashku vetëm 11 për qind të buxhetit të shtetit.
“Natyrisht, partitë politike kanë gjetur këtë luks ku fokusohen në qendër, pasi përfaqësuesit vendorë periferikë, atyre do u nxirrnin shqetësime…,” tha Nurja për BIRN.
“Ka nevojë për përmirësime, por mesa shoh unë, kjo nuk është në fokusin e politikëbërjes shqiptare,” përfundoi ai./BIRN