Gazetari Rigels Seliman tallet me Kryeministrin: Quo Vadis, shoku Rama? Pse nuk fton në grupin e PS për të raportuar edhe kriminelët dhe krijo edhe Frontin Demokratik…

Kryeredaktori i gazetës “SOT”, Rigels Seliman ka reaguar në rrjetet sociale me ironi ndaj Kryeministrit Edi Rama, pas ftesës që ky i fundit i bëri rektorit të Universitetit Bujqësor për të raportuar para Grupit Parlamentar të PS-së mbi një aksion të SPAK. Gazetari Seliman e çon më tej “logjikën” e Ramës, duke sugjeruar që në mbledhjet e grupit të PS-së të ftohen edhe kriminelët, në mënyrë që të dëgjohen të gjitha “palët e interesuara”. Madje, gazetari tallet duke i propozuar kryeministrit të rikrijojë një “Front të Ri Demokratik”, ku përfaqësimi të jetë total, nga akademikët te ata që kanë eksperiencë në “sipërmarrjen informale”. Me këtë qasje, sipas Z.Seliman, Shqipëria po shkon drejt një realiteti të ri, ku ndarja e pushteteve është thjesht një relike e së shkuarës dhe e ardhmja i përket vetëm një partie – PS-së.

Ja statusi i plotë i gazatarit Z. Seliman

Shoku Edi Rama, ku po shkojmë kështu? Dikur thoshit se drejtësia duhet të jetë e pavarur, tani na njoftoni se SPAK është “krijesë e PS-së”, dhe, po deshët, mund ta shkrini me një marrëveshje të vogël politike me Sali Berishën, të cilin me një fishkëllimë e ulni në prehrin tënd. E çfarë ka këtu për t’u habitur? Demokracia shqiptare gjithnjë ka qenë elastike, por ju po na tregoni se ajo mund të jetë edhe totalisht e personalizuar. Një firmë, një pakt, dhe institucionet shkrihen si akullore në diellin e mazhorancës!

Por prisni, se spektakli nuk mbaron këtu! Në një kthesë të beftë historike, rektori i Universitetit Bujqësor ftohet të japë llogari para Grupit Parlamentar të PS-së për një aksion të SPAK! Universitetet dikur ishin qendra të dijes, por sot, falë jush, janë shndërruar në reparte ideologjike ku rektorët raportojnë para partisë, ashtu si dikur kur Fronti Demokratik vendoste se kush ishte “i denjë” për të qenë intelektual i vërtetë. A mos vallë po rikthejmë dhe notën e sjelljes sipas bindjeve politike?

Dhe kulmi i gjithë kësaj do ishte, që larg qoftë mos ndodhtë: sugjerimi juaj epik për të ftuar edhe kriminelët në grupin parlamentar, që të dëgjohen edhe ata! Një qasje kaq gjithëpërfshirëse, saqë do t’i linte pa fjalë edhe themeluesit e Frontit Demokratik të dikurshëm. Pse të ndalemi këtu? Le të rikthejmë edhe proceset e vetëkritikës kolektive! Le t’u japim hapësirë të gjithë “shtresave të përndjekura” të shprehin eksperiencat e tyre të vlefshme mbi “sipërmarrjen informale” dhe “lidershipin alternativ”!

Shoku Rama, rruga që po hapni është vërtet revolucionare! Ju nuk po sundoni thjesht një vend, por po krijoni një realitet të ri, ku politika, drejtësia dhe arsimi treten në një amalgamë të çuditshme që ndjek vetëm një busull: atë të interesit të ditës. Por mos u shqetësoni, populli ka vetëm një pyetje për ju:

Quo Vadis, shoku Rama? Drejt drejtësisë, apo drejt një Fronti të ri Demokratik, ku e shkuara dhe e tashmja bëhen një?

Artikulli paraprak“Epoka e paprekshmërisë po lëkundet”- Altin Dumani: SPAK ka kryer hetime të guximshme kundër zyrtarëve të lartë
Artikulli tjetërIsh-deputeti i PS, Vladimir Kosta merret në pyetje nga Prokurorët e SPAK!