Sinjale lamtumire, Salah: Ishin 8 vite të mrekullueshme te Liverpuli

Tifozët e Liverpulit mendojnë se Mohamed Salah ka lënë të kuptohet se ai do të largohet nga “Anfield” në fund të sezonit, pasi intervista e tij e fundit tingëlloi si një mesazh lamtumire. Sulmuesi, i cili ka shënuar 30 gola dhe ka regjistruar 22 asiste këtë sezon, është pa kontratë në verë dhe deri tani nuk është arritur ndonjë marrëveshje.

 

Liverpuli dëshiron të rinovojë kontratën dhe egjiptiani ka përsëritur disa herë se dëshiron të zgjasë qëndrimin e tij, por rroga dhe kohëzgjatja e kontratës mbetet një diskutim që ndan palët. 32-vjeçari dha një intervistë në “TNT Sports”, ku tha:

“Unë dua që tifozët të kujtojnë se u dhashë gjithçka atyre, ia dhashë të gjitha qytetit. Unë isha këtu, nuk isha dembel, thjesht e shijova futbollin tim dhe i dhashë të gjitha. Mendoj se për këtë është qyteti, ata të japin dashuri dhe ti krijon një lidhje me ta, sepse jep gjithçka. Unë dua që ata të kujtojnë se kam qenë këtu për tetë vjet dhe i kam dhënë të gjitha”. Të shumta ishin reagimet e zhgënjyera të tifozëve pas kësaj deklarate, ndërsa atyre u ka tingëlluar si një konfirmim lamtumire. Megjithatë, Salah refuzoi të jepte ndonjë përditësim konkret për bisedimet e tij për të ardhmen dhe kontratën.

“Asnjë lajm”, tha ai. “Unë jam duke menduar vetëm për Premier Ligën dhe do të shohim fundin e sezonit”. Egjiptiani është një nga lojtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave të Liverpulit, pasi ka shënuar 241 gola në 388 ndeshje për klubin që kur u bashkua nga Roma në vitin 2017 për një tarifë fillestare prej 36.5 milionë paundësh.

Sulmuesi ka fituar tetë trofe në “Anfield”, duke përfshirë Premier Ligën dhe Ligën e Kampioneve. Ai ka qenë prej kohësh i lidhur me një transferim në Ligën Pro Saudite dhe Liverpuli do të jetë i pafuqishëm për ta ndaluar atë këtë verë, nëse kjo është ajo që ai zgjedh.

Trajneri Arne Slot tha me humor në konferencën e fundit për shtyp se forma e mirë e sulmuesit, po e bën më të vështirë për klubin arritjen e një marrëveshjeje për rinovimin e kontratës me sulmuesin.

“Formën e tij të mirë mund ta shihni në të dyja mënyrat. Sepse sa më mirë ai luan, aq më i shtrenjtë ai mund të bëhet. Por nëse do të luante keq, ne mund të kishim dyshime për rinovimin e kontratës së tij. Ai duhet të ketë këto performanca për të luajtur këtu dhe unë shpresoj që ai të rinovojë. Mo ka pasur karrierën e tij dhe ai ka qenë i shkëlqyer. Ka bërë disa sezone fantastike këtu në Liverpul dhe shpresojmë që të vazhdojë ta bëjë këtë për një periudhë më të gjatë. Dhe mos më pyesni më mua për rinovimin”.

Artikulli paraprakPSE RAMA NUK BË(N)RI DOT SHTET DHE PROGRAMI EKONOMIK PËR NË BE
Artikulli tjetërSulmet kundër SPAK, BIRN: Rama po ‘mbjell farën e mosbesimit’ te sistemi i drejtësisë