Coutinho deri më 2022 te Liverpul

Në erën e futbollit komercial ku të mëdhenjtë e kontinentit bëjnë ligjin në merkato, ka nga ata lojtarë që refuzojnë ofertat joshëse për të zgjedhur klubin e zemrës. I tillë është rasti i brazilianit Felipe Coutinho, i cili ka zgjedhur të vazhdojë karrierën me Liverpulin, duke ia besuar karrierën e tij trajnerit Jurgen Klop dhe jo klubeve me më shumë fuqi ekonomike si Barcelona apo Paris Saint Germain. Sulmuesi i Selecaos ka hedhur të zezën mbi të bardhë duke vazhduar bashkëpunimin me “The Reds” edhe për 5 vitet e ardhshme. Lajmin e bën të ditur klubi nga Merseyside, ku Coutinho do të përfitojë rreth 1 milion euro në muaj, duke u bërë një nga lojtarët më të paguar të Premier League.
23-vjeçari është një nga pikat kyçe të formacionit të trajnerit gjerman, i cili i ka besuar çelësat e sulmit. Ai u bashkua me Liverpulin 4 vjet më parë pas një eksperience të shkurtër me Interin. Në Premier League ai po kalon momentin më të artë të karrierës me 34 gola në 163 ndeshje. “Është një nder i madh për mua që kam firmosur rinovimin për të qëndruar këtu. Jam pritur me krahë hapur nga të gjithë dhe i jam mirënjohës Liverpulit”, shprehet Coutinho në komentin e parë menjëherë pas rinovimit të kontratës. Marrëveshja e re do të hyjë në fuqi në datën 1 korrik të këtij viti.

Artikulli paraprakRezoluta e PPE, Europa tre kushte Ramës për zgjedhjet
Artikulli tjetërRooney drejt Kinës? Mourinho e sponsorizon