Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, përpara samitit të jashtëzakonshëm më 6 mars, i cili do t’i kushtohet mbrojtjes evropiane dhe Ukrainës, ka deklaruar se BE dhe vendet e saj anëtare janë gati të marrin përgjegjësi më të madhe për sigurinë e Evropës.
Antonio Costa ka ftuar presidentin Zelensky në Samitin e Brukselit për të diskutuar zhvillimet e fundit.
“Ne duhet të jemi të përgatitur për një kontribut në Evropë, në garancitë e sigurisë, që do të jenë të nevojshme për të siguruar një paqe të qëndrueshme në Ukrainë ,” thotë Presidenti i Këshillit Evropian në letrën e tij të zakonshme para samitit drejtuar krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së.
Costa thekson gjithashtu se “ekziston një dinamikë e re, e cila duhet të çojë në një paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme” dhe se “është e rëndësishme të shkëmbehet informacion se si ta mbështesim më tej atë dhe parimet që duhet të respektohen në të ardhmen”.
“Synimi është vazhdimi i diskutimit të 3 shkurtit, me synimin për marrjen e vendimeve të para në afat të shkurtër, në mënyrë që Evropa të bëhet më sovrane, më e aftë dhe më e pajisur për të përballuar sfidat e menjëhershme dhe të ardhshme për sigurinë e saj”, tha ai më tej.