“Grand Park Skyline,” projekti i 3 kullave në hyrje të liqenit

Nga Elira Kadriu/ citizens.al

Një tjetër projekt ndërtimi po sfidon horizontin urbanistik të Tiranës duke synuar qiellin. Quhet “Grand Park Skyline” dhe parashikon tre kulla 40, 51 dhe 71 kate për apartamente, hotel dhe qendër tregtare në hyrje të Parkut të Madh të Liqenit Artificial.

Projekti, konceptuar nga arkitekti zviceran Valerio Olgiati me porosi të kompanisë “X One”, parashikon rreth 145 mijë metra katrorë ndërtim.

Struktura kryesore përmban një piramidë të mbuluar me gjelbërim, e dizajnuar për të shërbyer si qendër tregtare, rrethuar nga kullat e larta. Në kulla parashikohen rreth 700 apartamente, kinema, palestra, spa, restorante dhe rreth 185 dhoma për hotel luksoz nën markën “Philipp Plein”.

“Grand Park Skyline”, me lartësi 266 metra, tejkalon “Mount Tirana” (58 kate/206m) si ndërtesa e dytë më e lartë në Tiranë, – projekti Tirana Society Towers i Alejandro Aravena është i parë dhe i vetmi që synon 300 metra lartësi. Në këtë mënyrë vizioni i qiellgërvishtësve në kryeqytet, vizion i mbështetur dhe nga qeveria, duket se do të vijojë.

Citizens.al Cover per artikuj 25
Citizens.al/Renderë të projektit “Grand Park Skyline”.

Leja e zhvillimit u miratua më 31 korrik 2024 dhe u prezantua publikisht në një event privat nëntorin e kaluar, ku administratori i kompanisë, Ylli Ujka, ishte një nga protagonistët kryesorë. Aktualisht nuk ka një vendim për leje ndërtimi, por në rrjetet sociale përmendet viti 2025 teksa zyrtarisht kompania ka hapur dhe një web-site ku prezanton projektin.

Megjithatë, “Grand Park Skyline” ka ngjallur kritika për shkak të vendndodhjes së tij dhe mungesës së konsultimeve publike. Gjurma e ndërtesave bie mbi katër pallate ekzistuese pesëkatëshe në rrugën “Adem Jashari”, mes të cilëve edhe selia aktuale e Tirana Bank.

Lexo më shumë rreth serisë “Tirana Vertikale” që shpjegon ndërtimet në kryeqytet.

Zona është në hyrje të parkut të liqenit, krah ish-Gardës së Republikës. Aktualisht është përfshirë në një transformim rrënjësor urban. Aty po ndërtohet një hotel 14-katësh (Nova Five Star, nga Nova Construction), Qendra e re Kombëtare e Kulturës për Fëmijë (Teatri i Kukullave) dhe pritet të ndërtohet edhe Biblioteka e re Kombëtare duke kafshuar edhe më tej parkun.

ezgif.com speed 1
Citizens.al/Gjurma e projektit “Grand Park Skyline” në hyrje të Parkut të Liqenit Artificial.

Projekti ka zgjuar interes ndërkombëtar, duke u promovuar në portale prestigjioze si ArchDaily dhe Dezeen. Por, një hulumtim i kryer nga BIRN (Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative) ka ngritur pikëpyetje mbi lidhjet mes zhvilluesit dhe qeverisë.

Sipas hulumtimit të publikuar më 24 janar, sipërmarrësi Ylli Ujka qëndronte pas një fushate marketingu elektoral në favor të Partisë Socialiste, që kishte në qendër votuesit shqiptarë të diasporës në Itali. Hulumtimi tregon se Ujka ka mbështetur të paktën dy aktivitete qeveritare në Milano dhe Firence në maj dhe dhjetor të vitit 2024.

Në këtë kohë, Kryeministri Rama, si drejtues i Këshillit Kombëtar të Territorit, i miratoi sipërmarrësit Ujka lejen e zhvillimit për “Grand Park Skyline”. Por përballë dyshimeve për favorizim një zëdhënës i qeverisë i tha BIRN se “insinuatat janë për të ardhur keq” pasi “leja e zhvillimit të pronës është e drejtë, jo favor.”

Ndërsa “Grand Park Skyline” synon të shndërrohet në një simbol të arkitekturës moderne të qytetit, pyetjet mbi ndikimet politike, transparencës në proceset e zhvillimit të qëndrueshëm urban mbeten të njëjta: ku përfundojnë kufijtë mes zhvillimit dhe ruajtjes së hapësirave publike të qytetit?

Artikulli paraprakNgadalësohet Teknologjia e Informacionit, si po ndikohet tregu i punësimit në Shqipëri
Artikulli tjetërAgjërimi për 3 ditë, si e rigjeneron trupin dhe qelizat! Këshillat që ju nevojiten