Izraeli bllokoi hyrjen e ndihmave në Gazë, OKB-ja: Vendim shqetësues! Të hapen rrugët menjëherë

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka bërë thirrje për rivendosjen e menjëhershme të dhënies së ndihmës humanitare për Rripin e Gazës, të cilën Izraeli e pezulloi dje.

“Vendimi i Izraelit për të ndërprerë ndihmën për Gazën është shqetësues. E drejta ndërkombëtare humanitare është e qartë: duhet të na lejohet qasja për të ofruar ndihmën e nevojshme dhe jetike”, shkruajti në “X”, Tom Fletcher, kreu i Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA).

“Guterres bën thirrje për rivendosjen e menjëhershme të ndihmës humanitare në Gaza dhe lirimin e të gjithë pengjeve”, tha zëdhënësi i tij në një deklaratë.

Izraeli njoftoi sot se po pezullon hyrjen e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës, duke akuzuar Hamasin se refuzon të pranojë propozimin e SHBA-së për të zgjatur fazën e parë të marrëveshjes së armëpushimit.

Organizata palestineze e denoncoi menjëherë këtë veprim, duke e përshkruar atë si shantazh, krim lufte dhe një shkelje flagrante të marrëveshjes së armëpushimit, ndërsa u bëri thirrje ndërmjetësve dhe komunitetit ndërkombëtar që të ushtrojnë presion ndaj Izraelit për të ndaluar vendosjen e masave ndëshkuese ndaj Gazës.

Pas përfundimit të fazës së parë të armëpushimit që hyri në fuqi më 19 janar, pas ndërmjetësimit të Katarit dhe Egjiptit me ndihmën e SHBA-së, Izraeli dhe Hamasi nuk bien dakord për vazhdimin e procesit.

Që nga 19 janari, qindra kamionë që transportonin ushqime, furnizime mjekësore, karburant dhe sende esenciale kanë ndihmuar në lehtësimin e popullatës civile prej më shumë se 2 milionë njerëzve që përballen me urinë dhe sëmundjet.

“Duhet të sjellim ndihmë dhe të lirojmë pengjet. Armëpushimi duhet të mbahet”, tha Tom Fletcher.

“Guterres i bën thirrje të gjitha palëve të bëjnë përpjekjet e nevojshme për të shmangur rikthimin e armiqësive në Gaza”, përfundoi ai.

Artikulli paraprakMilani nuk po funksionon, Malik Çau: Shumë gabime nga individët, duhet më shumë fokusim
Artikulli tjetërDenoncimi i kandidates së Koalicionit Euroatlantik, Mirela Karabina: Zyra Arsimore Elbasan dhe KQZ patronazhistë “të licensuar” të pushtetit