Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të martën më 4 mars paraqitjen për kalimin në gjykim të çështjes penale në ngarkim të kryetarit të Bashkisë së Tropojës, Rexhë Byberi dhe zëvendësit të tij, Abedin Kërrnaja, të akuzuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”. Sipas SPAK, Byberi, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tropojë, ka kryer veprime dhe mosveprime në mospërmbushje të rregullt të detyrës, gjatë procesit për hapjen e rrugëve, sipas projekteve të miratuara nga Këshilli Bashkiak.
SPAK vëren se për kryerjen e punimeve, kompania e interesuar duhej të aplikonte në sistemin elektronik e-leje pranë Bashkisë Tropojë, si institucioni vendor që ka tagrin të shqyrtojë dhe miratojë lejen e ndërtimit të infrastrukturës. Kjo, pasi të verifikohej plotësimi i dokumentacionit të nevojshëm tekniko-ligjor nga aplikuesi, sipas parashikimeve ligjore për këto lloj punimesh. Gjithashtu, SPAK shprehet se Bashkia Tropojë duhej të bashkëvepronte me institucionet e tjera kompetente për ndërtimin e rrugës si: Agjencia Kombëtare e Mjedisit për hartimin e raportit të vlerësimit për ndikimin në mjedis dhe me Ministrinë e linjës për impaktin e ndërtimit të rrugës së re dhe pasojat e këtyre punimeve të ndërtimit.
Prokuroria vlerëson se hapja e rrugëve sipas projekteve të miratuara nga Këshilli Bashkiak është bërë në kundërshtim me aktet ligjore e nënligjore në fuqi duke sjellë një dëm prej 277 milionë lekësh. Sipas prokurorisë, kjo ka ardhur si pasojë e veprimeve dhe mosveprimeve të kryera në bashkëpunim nga Byberi dhe Kërrnaja.