“Mos më krahasoni me Mesin”, Jamal: Flik është i rreptë, Barcelona do Champions-in

Lamin Jamal është një prej djemve të tmerrshëm të Luis de la Fuentes, që mori përdore Spanjën me talentin e tij në Europian. Po kërkon të bëjë të njëjtën gjë edhe me Barcelonën.

 

Ai që e quante veten një fëmijë përpara Europianit të Gjermanisë, tani mendon se është më i pjekur. Golat në Champions i quan unikë dhe kërkon që këtë trofe ta shijojë sa më shpejt.

ORIGJINA- “Është një qytet ku kultura mbizotëron dhe ka shumë të ndryshme. Por në fund të fundit ne jemi si vëllezër, jemi të një nëne. Vazhdoj që të kem të njëjtën lidhje me qytetin. Kur shkoj që t’i takoj miqtë e mi jam shumë i qetë. Askush nuk më bezdis. Është vendi perfekt ku unë pushoj dhe ndihem në paqe me veten. Më jep forcë sa herë që rikthehem”.

RRITJA- “Kam ndryshuar shumë. Tani kam më shumë besim në vete dhe bëj gjëra që më përpara nuk guxoja. Më përpara luaja thjesht dhe bëja thjesht gjërat që më takonin. Tani kërkoj që të argëtohem më shumë në fushën e lojës dhe të inspiroj veten. Duhet të marr më shumë përgjegjësi dhe besoj që e kam bërë. Besoj që luaj me më shumë besim për momentin”.

MESI- “Nuk mendoj kurrë që kam apo jo diçka më shumë sesa lojtarët e tjerë. Mendoj se çelësi është që të mendoj vetëm për veten, që të bëj më të mirën për ekipin dhe për veten. Nuk jam një lojtar që shoh shumë statistikat, por luaj vetëm për t’u argëtuar. Sigurisht që dua të fitoj dhe të ndihmoj klubin. Nuk besoj nëse njëri është apo jo më i mirë sesa unë”.

STILI- “Kur shoh një ndeshje futbolli të një skuadre tjetër dua që ta shijoj. Dua që të shoh lojtarët për atë që bëjnë. Këtë dua të bëj edhe unë kur zbres në fushë, që të argëtoj tifozët që më shohin në stadium dhe në televizor. Në fund futbolli për këtë është”.

FLIK- “Është një person shumë i dashur, me të cilin mund të flasësh lehtësisht. Të pyet nëse je mirë, të mëson. Jam përmirësuar shumë prej tij. Kjo e bën atë të respektuar si trajner dhe si person. Është se si e sheh. Ndonjëherë është më shumë strikt, por ndonjëherë kjo është ajo që duan lojtarët në disa momente të caktuara. Kur bëhet fjalë për koncepte mbrojtëse më kërkon gjëra dhe mi shpjegon ato. Por në aspektin sulmues nuk më thotë shumë. Thjesht që ta shijoj dhe kaq mjafton. Është më shumë te besimi që na jep”.

GOLI ME FRANCËN- “Ai gol më ndryshoi mua, por edhe rivalin. Më përpara isha si një fëmijë në fushë, ndërsa pas Europianit ndihesha ndryshe dhe fitues. Kam më shumë besim në vetvete. Kur fiton një titull, sheh për më shumë dhe kjo vihet re te çdo futbollist. Kujtoj disa fragmente nga goli kundër Francës. Që kur topi u nis, mendova që do të shkonte në portë. Kujtoj festimin dhe nënën time që po qante në tribunë”.

FAMA- “Është ndryshe tani. Të gjithë më njohin se kush jam. Më përpara mund të udhëtoja lehtësisht në avion, ndërsa tani është e vështirë që të shkosh në aeroport. Është diçka që të bën krenar, por ndonjëherë është e vështirë sepse nuk kam një jetë normale. Nuk mund të dal me tim vëlla për të bërë shëtitje apo me nënën për të ngrënë diçka. Fama të jep gjëra pozitive, por edhe negative”.

CHAMPIONS- “Nëse ka dy kompeticione ku goli të shijon më shumë dhe je më i lumtur janë Champions-i dhe Botërori. Janë dy kompeticionet më të rëndësishme. Kur këndohet himni i Champions-it, të jep një emocion të madh. Unë kam shënuar kundër Monakos dhe Atalantës dhe kurrë nuk e kisha përjetuar atë emocion. Vetëm në Europian me golin kundër Francës. Shpresoj që të shkojmë sa më gjatë dhe të fitoj trofeun”.

Artikulli paraprakProfesionet e lira nuk “shpëtojnë” nga tatimi
Artikulli tjetërPartia Demokratike/ Demokratët Euroatlantikë, nuk kanë hequr dorë nga shqyrtimi i rekursit në Gjykatën e Lartë. Çdo kërkesë e depozituar sot, nga individë që nuk janë pjesë e Partisë Demokratike/ Demokratët Euroatlantikë, ka zero efekt në këtë proces