REAGIM I PD-DEMOKRATËT EUROATLANTIKË:
Ata që kanë shpallur sot tërheqjen janë vetëdemaskuar, si autorët e një shantazhi politik për interesa të ngushta personale. Vetëm dy ditë më parë drejtues të Koalicionit Euroatlantik /PD – Demokratët Euroatlantikë, janë kërcënuar, se nëse Koalicioni Euroatlantik, nuk do t’ju nënshtrohej kushteve për bashkëpunim, duke hequr dorë nga identiteti ynë politik, do të përballeshin me tërheqjen nga rekursi në Gjykatën e Lartë.
Demokratët Euroatlantikë e kanë provuar me vepra, se nuk ka forcë të na shantazhojë dhe se, nuk biem pre e asnjë presioni. Ne kemi qëndruar dhe qëndrojmë për parime dhe vlera. Duhet të marrë fund koha kur interesat politike i mbivendosen të drejtës në këtë vend.
Ne do ta vazhdojmë pa u ndalur, betejën ligjore dhe i kërkojmë Gjykatës së Lartë të marrë një vendim sa më shpejt, bazuar në ligj, pa u ndikuar nga presioni, shantazhet apo lojërat politike që synojnë të marrin peng Partinë Demokratike për tu mbrojtur nga drejtësia.