Nga Elsa Demo
Dosja për çiftin Veliaj-Xoxa dhe të tjerë persona nën hetim, nuk është tekst për t’u informuar. Në varësi nga fusha e interesit publik që njeh secili, gjen në dokument aktivitetin e aleancës së elitave, të vetëquajturave elita, në politikë, biznes dhe kulturë. Tek kjo e fundit po ndalem, me disa shembuj për individë, organizata dhe institucione shtetërore. Kam pyetur artistë, menaxherë, njohës të skenës kulturore, a është reale për tregun e Shqipërisë: vlera 17,000,000 lekë për një festival; që në zërat buxhetorë për një muzikal, të mos figurojë dirigjenti, po as vetë regjisori; që Bashkia e Tiranës jep për një instalacion 6,300,000 lekë?
Puna e ekspertëve hetimorë ndihmon të matet e dukshmja me të padukshmen e krimit financiar në kulturë. E gjitha sugjeron se, të kuptosh kulturën, do të thotë të kuptosh njerëzit, sepse bashkë me krimin financiar ka ndodhur korruptimi i individëve dhe i grupeve shoqërore, është ngritur një sistem paralel patronazhimi që ka dobësuar, deri kolapsuar, institucione shtetërore për kulturën dhe artet
Në 366 faqet e dosjes të Gjykatës së Posaçme të Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, realiteti i lidhjeve të fshehura midis kulturës dhe pushtetit, ia kalon çdo forme të riprodhimit artistik e gazetaresk, dhe po të jenë në të njëjtin nivel dosjet e tjera në seri me të, që thuhet se po përgatiten, bëhet një dokument me vlerë të pazakontë për historinë e korrupsionit në Shqipëri.
Në letërsinë e madhe ndodh që vjedhësi i bukës Zhan Valzhan, bëhet kryetar bashkie dhe vë drejtësi për mizerjen, ndërkohë që Franca, edhe falsifikimin e monedhës e dënon me vdekje. Në jetën reale, ndodh që një kryetar bashkie dhe gruaja e tij bëhen grabitës sistemik të njerëzve dhe turma artistësh e burokratësh protestojnë, që punëmbaruari të rrijë në detyrë. Ndodh në Shqipëri, një vend që funksionon si shoqëri e hapur dhe e fshehtë.
“Nuk do bëhemi ne shembull”
Të dhënat e para që dolën me zhurmë dhe lanë në hije faktet tronditëse të dosjes, ishte pretendimi i SPAK-ut (Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar) se Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka përvetësuar 110 ml lekë (1.1 ml euro), nga të cilat 870,000 euro janë shpenzuar për veshje luksoze. Prej këtej erdhën anekdotat krahasuese me Imelda Marcosin.
Çiftin filipinas dhe çiftin e Tiranës e lidh diçka më e fortë: krimi kundër kulturës. E provon aftësia e kontabilistit financiar. Aq e rafinuar kjo në dosjen hetimore, sa zbërthimi i vjedhjes mund të matet me shkathtësinë e vjedhësve. Në të dyja rastet, çiftet me pushtet kanë jetuar në një realitet ku nuk kanë bërë më dallim midis publikes dhe privates, ç’është e të tjerëve dhe ç’është e tyre. Nëpërmjet artit (në duart e saj më shumë) dhe ndërtimit (në duart e tij më shumë), ata krijuan njëherësh përshtypjen e progresit, e punëmbaruarve.
Nën arrest shtëpie, Xoxa kundërpërgjigjet se nuk është kukulla që prezanton media, se njeriu që po linçohet e pështyhet, punon “12 orë në ditë” dhe puna e saj është cilësore. Pasurinë deklaron se e ka vënë nga biznesi si konsulente ligjore, nga qiradhëniet, nga trashëgimitë, toka nga ana e së ëmës dhe nga i ati, aksionet e shoqërisë Botimet Enciklopedike, dikur pronë shtetërore! Në gjashtë vitet e fundit, ka zgjeruar veprimtarinë e shoqërive të saj, jofitimprurëse kryesisht, dhe të ardhurat janë rritur ndjeshëm.
Si mbërriti Ajola Xoxa në këtë nivel performance, që të ketë patronazhin në fushën e artit bashkëkohor në Shqipëri, duke konkurruar kryeministrin, i cili, ndërsa qeveris, vepron me një axhendë si artist, po ka edhe një patronazh në nivel institucional nëpërmjet Qendrës për Hapje dhe Dialog. Pra, si kaloi kjo grua e re nga trashëgimtare e një familje intelektuale-artistësh në kleptomaniake?
E nisi me metaforat si mjet letrar dhe i ktheu ato në praktikë ekonomike dhe shoqërore. Harabel, muza, eventues, zabel, leviatan, zâ, bletë, tokë e ëmbël e hidhur, janë ca nga emërtimet e organizatave të saj dhe e veprave të artit, të cilat i komisiononte, mbikëqyrte, kuronte, faturonte, përdorte dhe u gjente vend në hapësirën publike.
Në kompjuterin personal të Xoxës, ekspertët hetimorë gjejnë të futur gabimisht në folderin OJQ “Harabel” statutin e OJF “Eventus”, një nga ojf-rat që Xoxa i krijon, me një ritëm dy ose tre në vit, në emër të familjarëve të saj. Këta kalojnë nga Sky Tower sa për të firmosur, aty janë të gjitha vulat dhe kështu bëhen aktive shoqëritë, brenda nate, në tregun e artit.
Po zgjedh veprimtarinë e njërës, për kuptuar skemën e të tjerave dhe për të parë botëkuptimin e kësaj gruaje të re e të shkolluar në Perëndim, tek nuhat përfitimin nga e vogla tek e madhja. Nuk po merrem me detajet e praktikave financiare të OJF-ve në raport me kompanitë e mëdha që përfitojnë tendera dhe leje ndërtimi nga Bashkia Tiranë. Po përpiqem të plotësoj ato që kolegët e kronikës, në mënyrë të vetëkuptueshme, i kanë lënë jashtë.
“Ava Studio” shpk, themelohet në tetor 2021, me administratore Valbona Xoxën, e ëma e Ajolës. Sa herë krijohet një shoqëri e re, zgjerohet objektivi në përshtatje me axhendat për thithjen e parasë publike.[1] Në këtë rast, aktiviteti hapet për botime, festivale, sfilata, prodhim filmi dhe materiale audiovizive etj.
“Ava Studio”, thotë një dëshmitare, lindi për të faturuar “shërbime” për projektet artistike dhe për kurset e pianos që bënte nëna e Ajolës.
Nga bashkëbisedimet në telefon, del një informacion domethënës për punësimin në Universitet të zonjës Xoxa, mëma. Ekonomistja i sugjeron shefes që nëna e saj “të mos figurojë e punësuar, meqenëse përfiton pensionin e pleqërisë, por ta kalojnë sikur ofron një shërbim”. Ajola e kundërshton, duke i thënë, do e lëmë siç është, se “nuk do bëhemi ne shembull. Ka shumë pensionistë të tillë që punojnë”.
Kështu ndodh që “Ava Studio”, pa kapacitet teknik, e drejtuar nga një pensioniste, dikur mësuese pianoje, merr përsipër shërbime postproduksioni (montazh video, efekte vizuale, korrigjim ngjyrash) për klientin Driant Zeneli, drejtor ekzekutiv i Qendrës “Harabel”. Këtij, shoqëria i lëshon një faturë në vlerë 5.900 euro.
Gjatë hetimit, Ajola ka shpjeguar se, dhe ajo vetë ka bërë regji ose konceptim vizual, me kërkesë të klientit të “Ava Studios”, por pa u paguar.
Në një rast, shtetasi Robert Aliaj ka nënshkruar një aktmarrëveshje me “Ava Studio” për katalogun e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit 48 Orë, Edicioni i 12-të, kundrejt vlerës 300,000 lekë. Xoxa vendos që emri i nënës të mos shfaqet në kontratë dhe “Ava” të përfaqësohet nga njëra prej punonjëseve të zyrës “Partners Law”, që ajo drejton prej vitesh. Kjo për faktin se aplikimi për buxhet bëhet në Bashkinë e Tiranës. Nuk e di nëse është ofruar ky shërbim, për një produkt me tirazh të kufizuar dhe për një aktivitet periferik në skenën kulturore, pa llogaritur që, për efekt qarkullimi, një festivali ndërkombëtar i duhet, së pari, një katalog elektronik. Krahasuar me përfitime të tjera, është një hiçgjë, por peshën e kësaj vogëlsie e shoh tek takimi i një influencer-i të ekranit me patronen e artit.
Në vijim, “Ava Studio” merr përsipër Atelienë Kreative, një hapësirë dedikuar fëmijëve, në ambientet e zyrave në Sky Tower, me instruktore Eni Zenelin, bashkëshortja e Driant Zenelit.
Sipas dëshmisë së njërës prej punonjëseve, Xoxa ka dhënë shuma prej 10,000 ose 20,000 euro dhe ka kërkuar të priten fatura, sepse “prindërit e fëmijëve i kishin dhënë parapagim për disa muaj”.
Xoxa: “Tani do presim disa fatura gjasme për të rritur xhiron e “Harabelit” për 2020.”
Zeneli: “Ti e din.”
Xoxa: “Pra, unë Besës dhe Mirelës i kam thënë që do paguajnë sa të duan për këtë vit, por ama faturat do t’i presim sikur të kishin paguar 48,000/lekë. Pra, gjasme si për 6 muaj.”
Zeneli: “Super.”
Sipas ekspertizës hetimore financiare, “Harabel” ka faturuar nga kurset e artit 7,413,197 lekë dhe këto shërbime, gjatë 1 viti e gjysmë, nuk janë kryer sipas vlerës së deklaruar në shitje. Faturat janë lëshuar fiktivisht dhe janë kthyer mbrapsht tek Xoxa, e cila më parë kishte dhënë cash. Në dosje thuhet se, ajo ka pasur gjithmonë gjendje në euro, të prerjeve të mëdha. Gjyqtari Erjon Bani ngre dyshimin se “edhe në këtë rast, jemi para një skeme të pastrimit të produkteve të veprës penale”.
Në tre vjet aktivitet, shuma e shitjeve të “Ava Studios” është 44,014,551 lekë, me klientë, ndër të tjerë:
Gogel: 7,468,692 lekë (në pronësi të Arbër Veliajt, vëllai i Erion Veliajt)
Harabel: 3,571,636 lekë
Rametal: 3,501,780 (në pronësi të Elman Abules, biznesmen nën hetim)
Eventus: 3,397,777 lekë (e kontrolluar nga A.Xoxa)
BYL-A: 2,380,599 lekë (e kontrolluar nga A.Xoxa)
Elhaida Dani: 564,401 lekë
Frobolous: 540,000 lekë
Qendra “Eventus” u krijua në nëntor 2021, nga Linda Kazani, Emil dhe Erald Simixhiu, pra familja e dajës së Xoxës. Këta e emërojnë veten anëtarë të Bordit Drejtues, siç e provojnë dokumentet të nënshkruara tek e njëjta notere, në Bllok, ku kanë kaluar të gjitha OJQ-të e Xoxës. Familja Simixhiu-Kazani jetonte në Austri. Vijnë dhe ditën që firmosin, largohen nga Shqipëria – e tregojnë të dhënat e sistemit Tims, në Rinas – për t’u rikthyer pastaj përgjithmonë dhe për të ushtruar “aktivitetin” në atdhe. Xoxa deklaron në SPAK se nuk njeh asnjë anëtar apo drejtor ekzekutiv të “Eventus”-it! Po, ashtu, Kazani nuk e ka idenë që çeqet e “Eventus”-it ndodhen në zyrën e Xoxës.
Në vitin 2023, “Eventus” deklaron shitje në total në vlerën 17,082,800 lekë, për një festival të financuar nga:
Bashkia Tiranës: 10,580.000 lekë
Palushi shpk: 3,237,300 lekë (ka përfituar leje ndërtimi nga Bashkia Tiranë, midis viteve 2019-2024)
Banka Amerikane e Investimeve: 2,220,000 lekë
Ministria e Kulturës: 900,000 lekë
Nuk di për çfarë lloj festivali është fjala dhe nëse është bërë vërtet. Duke e diskutuar rastin, drejtori i një festivali filmi në Shqipëri, më thotë se aktiviteti i tij prej vitesh funksionon me një buxhet të luhatshëm, midis vlerave minimale 500,000 dhe maksimale 2,5 ml lekë. “Për ta bërë tamam”, thotë ai, “do duheshin 5 ml, që të kishim mundësi të akomodonim të gjithë pjesëmarrësit, t’u paguanim shpenzime transporti, të jepnim edhe çmime në vlerë monetare. Në kushtet ku jemi, u kemi dhënë nga 500 euro fituesve nga Ballkani.” Edhe drejtuesja e një festivali muzikor përmend të njëjtat shifra dhe vlerën 5 ml lekë e gjykon si më të kënaqshmen, por të pamundur, duke ditur në duart e kujt shkojnë fondet publike për kulturën, po edhe mbështetja e të huajve në Shqipëri.
Në vitin 2023, me rizgjedhjen e Veliajt kryetar bashkie, Xoxa përshkallëzon aktivitetin. Nga qershori në nëntor, themelon një organizatë dhe dy galeri: “Muza”, e drejtuar nga Erald Simixhiu, Arben Spartaku dhe Rea Spartaku, përkatësisht daja dhe dy kushërinjtë; galeria “Naan” në Bllok, sërish në bashkëpunim me Driant Zenelin; dhe galeria GurGur në Petrelë, ku ndonjëherë shfaqet edhe kryetari i bashkisë. Këto organizata kanë aktivitet më të gjerë, në përputhje me axhendat e përditësuara të Bashkimit Europian, të qeverisë dhe të Bashkisë Tiranë, për të mbështetur grupe të margjinalizuara, gratë, të rinjtë me mundësi të kufizuara, projekte për rritjen e ndjeshmërisë për probleme sociale dhe shëndetësore, për të promovuar turizmit, etj..
Nuk mund të mos përmend disa fakte që nxjerrin në pah rolin e elementit psikologjik në këtë rrugë trëndafilash.[2]

Ajo punon shumë që të hajë krejt livadhin: të arrijë patronazhin e plotë të skenës së artit bashkëkohor, pra të kulturës së lartë, dhe të përhapet në kulturën celebrity, si kuratore e festivalit të kërcimit bashkëkohor apo si regjisore klipesh muzikore. Financieren e urdhëron që për sponsorët e “Harabelit” të mos shënojë “pagesë fature”. Është ajo që gjen klientët, të cilët lëshojnë fatura fiktive për të justifikuar zërat e buxheteve për aktivitete të tjera. Ajo vendos sa dhe si faturohen “shërbimet”, kur punonjëset pyesin çfarë detyrash t’u listojnë shokëve, si Olsi Efthimi, për shembull, klient i qeverisë dhe bashkisë.[3] Është ajo që kontrollon në emër të cilës shoqëri të lëshojë të përgjysmuar faturën e restorantit. Ajo përcakton se nga cila kompani do bëhet pagesa për një buqetë lulesh. Ajo kalëron mbrëmjet gala në Pallatin e Brigadave, që hap dyert sa herë ka nevojë të tregojë me luks dhimbshurinë për trashëgiminë kombëtare, me restaurimin e “Mësonjëtores” dhe Roza Anagnostin prezente, dhe për ta kthyer në pasarelë “Couture Awakening”, me skenografi në lule të zeza “bërë nga vajzat e Harabelit”. Këto, “vajzat e Harabelit”, punonjëset pra, ngatërrohen në morinë e shoqërive që menaxhohen nga një zyrë e vetme dhe nga një shefe “tejet skrupuloze, por edhe imponuese”.
“Hiqja vizën. Boll ke duruar. Sikur jemi zaret e tyre”, thotë njëra.
“Tmerr! Këtu është teatër! Më vjen për të vjellë! Turp!”, përgjigjet tjetra.
Edhe të huajt lëshojnë fatura, me përshkrime për persona të cilët nuk janë në realitet pjesë e projekteve. Domenico de Chirico, i cili kishte kuruar një ekspozitë për një OJF të Xoxës, lëshon faturën 1.000 euro. Me kërkesën për të bërë “gjasme”, emri i de Chiricos figuron krahas përshkrimit “production/coordination curator for Spa: Re project”, për ekspozitën “Rear-view mirror” të Idlir Kokës, të cilën italiani nuk e ka kuruar. Si ndihet piktori Koka, vallë, kur dëgjon si përdoret emri dhe puna e tij?[4]
Për të paguar artistin Adrian Paci, lekët hiqen nga buxheti i parashikuar për Ergys Krisikon. Fenomeni “Krisiko”, artist, pedagog dhe biznesmen, analizuar në vazhdim, nuk thotë kurrë “jo”, për të lëshuar fatura për shërbime të pakryera ndonjëherë për shoqëritë tregtare të familjarëve që kontrollohen nga Xoxa.
Për ta zgjeruar kontekstin, po prek pak Qendrën BYL-A (Balkans Youth Link-Albania). Kjo u themelua në vitin 2004 si organizatë jofitimprurëse me qëllime bamirësie, shkencore dhe edukuese, nga Endri Fuga, Klotilda Ferhati (Bushka) dhe disa të tjerë. I pari u bë ministër PR-i i Ramës, ndërsa Bushka, deputete e PS-së, arriti në krye të Komisionit të Ligjeve në Parlamentin e Shqipërisë, sot e përfshirë në aferat e Veliaj-Xoxës. Ngjajnë të gjitha historitë e atyre që nuk zgjedhin të bëjnë një profesion në jetë dhe kapërcejnë nga aktivizmi në pushtet.
Në vitin 2023, BYL-A u zgjerua për qëllime kulturore dhe artistike, nën drejtimin e punonjëseve të Xoxës. Për periudhën 2022-2024, organizata ka deklaruar shitje në vlerën 31,521,286 lekë, për aktivitete të financuara kryesisht nga:
Bashkia Tiranë: 5,000,000 lekë
Shoqata Kongresi Rinor Kombëtar (financuar nga Bashkia Tiranë): 4,000,000 lekë
Ministria e Kulturës: 3,100,000 lekë

Përgjithësisht, artistët e huajt paguhen me fatura në vlerën 137,955-176,120 lekë. Midis tyre njoh vetëm koreografen austriake Anna Possarnig, të cilën e kam intervistuar për një performancë shumë të mirë në Tiranë. Nuk mund të flas për kontributin e artistëve të tjerë të kësaj liste. Por vërej se, nga artistët shqiptarë, ata që janë të afërt me çiftin Veliaj-Xoxe, paguhen 2-5 herë më shumë. Shembuj:
Ergys Krisiko: 861,800 lekë
Marsela Çibukaj: 325,000 lekë.
Pse? Sepse lëshojnë fatura fiktive si Krisiko, ose paguhen cash, si Çibukaj.
Në një rast, edhe nusja e dajës, Linda Kazani, pedagoge në Universitetin e Arteve, paguhet dorazi dhe i lëshohet një mandat pagesë ku bëhet e ditur se shuma do kalohet në bankë. Përveç shkeljes së legjislacionit tatimor, gjyqtari Bani dyshon se, “lënia e kësaj gjurme të bën të mendosh për mungesën reciproke të besimit, megjithëse në kushte afërsie gjinore”.
Faktet e dosjes hetimore mbushin me zemërim dhe zemërimi të bën të pafuqishëm. Pafuqia, kur kalon në analizë, bëhet vetëdije dhe prej saj përftohet forcë. Këtu ndahen njeriu që kërkon shpjegim për skandalet nga ai që i prodhon skandalet. Duhet dalë nga indinjata, për të kuptuar pse vjedhja është më e rënda e punëve. Dymbëdhjetë orë punë në ditë për të vrarë mendjen si të hysh atje ku viktima nuk e fantazon, e pa u mbyllur dita, të hidhesh në vjedhje të re, të biesh në një cikël patologjik dhe ta shpërblesh veten me fustan prej leshi apo qimesh të holla kafshësh.[5]Pa e ditur nga vjen ky pasion dhe për të kuptuar çfarë ka qenë shpirti para se të banojë trupin që rropatet në skema vjedhjeje, kërkon ndihmën e psikanalizës dhe të një podcasti (about entrepreneurship, fashion, body shaming, role models: Don’t try to be a Kardashian-Be You!.. bla, bla, bla).
– Ç’të tha psikanaliza?
– Kam qenë trëndafil, kam qenë parfum, harabel kam qenë, edhe qen, dikur, por u ktheva si zot.
Marrë nga Peizazhe të Fjalës © 2025 Elsa Demo. Të gjitha të drejtat janë të autorit.
[1] E njëjta gjë ndodh me kompanitë e mëdha, të cilat, duke e hapur veprimtarinë, kanë më shumë mundësi për të hyrë në tenderime. Konkretisht, subjekti “AGI KONS” – pronari Gentian Sula është nën hetim, i përfshirë në aferat Veliaj-Xoxa – kalon nga objekti i aktivitetit në fushën e ndërtimit të përgjithshëm dhe projektimit, në shërbim bar-restorantesh, shitje dhe tregtim karburanti, zgjerohet më tej me veprimtari në ujësjellësa, vajsjellësa, kuzhina e lavanderi, rikonstruksion monumentesh arkitekturore, deri në prodhimin e veprave të artit dhe tregtimin e tyre, duke përputhur axhendën me OJF-të e Xoxës.
[2]Sipas dosjes hetimore, blerjet on line të Xoxës, me logon e kompanisë DHL, shkonin tek marrësi me adresën: “Ajola Xoxa, Rezidenca Kodra e Diellit, Rruga e Trëndafilave Nr. 94”. Kjo për periudhën 2014-2021, që mund ta quajmë faza e parë e ngritjes së Xoxës, pasi ishte bërë zonja Veliaj. Më pas, kur blerjet kamuflohen më shumë, rezultojnë të zhdoganuara nga shtetësja Valbona Xoxa, me adresë në Sky Tower, vendi ku ngrihet rrjeti i organizatave jofitimprurëse nën kontrollin e Xoxës.
[3] Ne dosje thuhet se Efthimi ka ndjekur punimet për arredim, por edhe ndërtim të më shumë se një pasurie të paluajtshme që dyshohet se zotërojnë bashkëshortët Veliaj-Xoxa. “Atelier 4”, studio projektimi e vëllezërve Efthimi, është nga më të gjendurat në projektimin dhe rikonstruksionin e ndërtesave publike në Shqipëri, si Pazari i Ri, ArTurbina, Teatri i Operës dhe Baletit, Teatri i Kukullave, Galeria Kombëtare. Në TOB, Efthimitë kanë krijuar në hollin koncertor një kitsch kolonash antike si në bukë peshku, tavan të dekoruar me xhingla-mingla pasqyrash, ballkonë në sallën qendrore që pengojnë shikimin normal të shfaqjeve, një gropë orkestre që cënon komunikimin normal të muzikës me sallën. “Atelier 4” është përzgjedhur gjithashtu për realizimin e disa prej projekteve të rehabilitimit të qendrave të qyteteve në kuadër të “Rilindjes Urbane”.
[4] Sipas dosjes hetimore rezulton se, Sokol Kryeziu, një ish-pastrues rruge, i kthyer në pronar të kompanisë së ndërtimit “Gerard-A”, që ka përfituar fonde të konsiderueshme publike nga Bashkia Tiranë, ka blerë me vlerën 50,000 euro, një seri pikturash të Idlir Kokës ekspozuar në Galerinë “Naan”. Koka, shok i Xoxës, është paguar 13,000 euro.
[5] Në serinë e blerjeve të Xoxës, ka diku, sipas dosjes hetimore, një përshkrim malli në rubrikën me Nr.31: “Prej leshi apo qimesh të holla kafshësh – 3 Copë fustane”.