Kandidati i Koalicionit Euroatlantik për zgjedhjet e 11 majit, Gazment Koduzi, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar hipokrite dhe të pavërtetë përpjekjen e tij për të paraqitur veten si mbështetës të drejtësisë.
“Edi Rama ju tha sot shqiptarëve se ai ka respekt për Altin Dumanin dhe se i ka dhënë drejtësisë ‘shpatën e drejtësisë’. E vërteta është krejt e kundërta,” – u shpreh Koduzi, duke nënvizuar se Rama në fakt ka mbështetur dhe fuqizuar kriminelët që nga dita e parë e qeverisjes së tij.
Sipas tij, historia e qeverisjes nga 2013 e deri më sot ka treguar qartë se Edi Rama ka respekt vetëm për krimin dhe padrejtësinë. “Ai i ka graduar kriminelët, i ka bërë deputetë dhe drejtues të institucioneve kyçe, ndërsa shqiptarët e ndershëm i ka lënë pa mbrojtje”, theksoi kandidati i Koalicionit Euroatlantik.
Koduzi e konsideroi qeverisjen e Ramës si një aleancë të hapur me krimin, duke shtuar se krimi e solli në pushtet dhe krimi po e mban aty. “Sa herë që dëgjoni Ramën të flasë për drejtësinë, kujtoni se ai ka vetëm një synim: të shpëtojë veten dhe bashkëpunëtorët e tij nga drejtësia e vërtetë.”
Koduzi u bëri thirrje qytetarëve që më 11 maj të zgjedhin një alternativë të pastër, që mbështet drejtësinë dhe ndarjen e politikës nga krimi. “Drejtësia nuk mund të pengohet, shqiptarët nuk do të mashtrohen më. Është koha për ndryshim.”
Postimi i Koduzit:
Reagimi sot i Ramës është po aq hipokritë sa gjithë qeverisja e tij nga 2013 deri më tani. Edi Rama ju tha sot shqiptarëve se ai ka respekt për Altin Dumanin dhe përsëriti shprehjen e lodhshme që ai ju dha “shpatën e drejtësisë” kur në fakt është komplet e kundërta. Historia nga 2013 e deri në këto momente ka treguar se Edi Rama ka vetëm respekt për krimin dhe padrejtësinë. Edi Rama gradoi kriminelët dhe i veshi me kostum zyrtari të lartë duke i bërë dhe përfaqësues të parlamentin. Edi Rama i stimulonte kriminelët me pushtetin e dhënë duke e dekurajuar drejtësinë dhe shqiptarët e ndershëm dhe punëtor. Prandaj sa herë të dëgjoni që Edi Rama ka respekt për Altin Dumani, ai po ju gënjen sepse ai ka vetëm respekt për krimin, me ata e mori pushtetin dhe me ata po e mban pushtetin.