Vendimi i lojtarit të Malishevës, Etnik Brruti, për të luajtur për Shqipërinë, ka ngjallur reagime të shumta, duke u etiketuar kështu edhe si tradhtar.
E pas këtij etiketimi, ka reaguar babai i Etnikut, Besniku, duke thënë se djali i tij mori një vendim që siç u shpreh ai, buron nga bindjet e tij dhe dashuria për kombin .
Sipas babait të Etnikut, kjo nuk është tradhti, por siç tha ai besnikëri ndaj idealit për të cilin është luftuar,
“Tradhtarë janë të gjithë ata që i thonë tradhti mbrojtjes së flamurit të Adem Jasharit, Zahirit, Agimit e të gjithë dëshmorëve të rënë për liri! Biri im ka marrë një vendim që buron nga bindjet e tij dhe dashuria për kombin. Ai nuk e ka refuzuar Kosovën, por ka zgjedhur të luajë për kombëtaren Shqiptare, për flamurin me të cilin i kemi mbështjellë dëshmorët tanë”.
“Kjo nuk është tradhti, por besnikëri ndaj idealit për të cilin kemi luftuar. Të gjithë ata që sot e gjykojnë duhet ta dinë se askush nuk mund të na japë leksione për atdhedashuri dhe sakrificë për Kosovën. Askush nuk ka të drejtë të vërë në dyshim vendimin e Brrutit, i cili me zemër dhe shpirt po ndjek rrugën e tij, duke mbrojtur vlerat kombëtare. Për ne, Kosova dhe Shqipëria nuk ndahen, sepse jemi një komb, një gjak dhe një histori”, ka shkruar Besnik Brruti.