Çmimi i kafesë në bursat e huaja ka shënuar nivele të larta përgjatë muajve të fundit, ndërkohë që të dhënat e tregtisë së jashtme nga INSTAT kanë treguar një rritje të ndjeshme të importeve në vlerë. Vetëm në muajin Janar të vitit aktual vlera e importit për këtë grup u vlerësua në 471 milionë lekë, me një rritje prej gati 118%.
Ndërkohë, nëse marrin në analizë importet në peshë shohim se për muajin Janar të këtij viti totali arrin në 787,834 kilogramë kafe, pra e thënë kështu rreth 598 lekë për kilogram, nga 462 lekë për kilogram që ishte vitin e kaluar.
Këto ndryshime janë reflektuar edhe në të dhënat sa i përket inflacionit për muajin Janar dhe Shkurt.
“Scan Intel” ka marrë në analizë normën e rritjes së çmimit të kafes dhe kakaos në harkun kohor të pesë viteve për të parë se si paraqiten ndryshimet.
Norma e rritjes së çmimeve për grupin “Kafe, çaj dhe kakao” vlerësohet në 3% për muajin Shkurt të këtij viti. Sipas shifrave, kjo është norma më e lartë që prej muajit Mars të vitit 2023, kur regjistrohej në 3.2%.
Përgjatë vitit të kaluar, inflacioni për këtë produkt preku nivelin më të ulët në muajin Maj dhe Nëntor. Ndërkohë, pas muajit nëntor nisi trendi rritës që u reflektua sidomos në dy muajt e parë të vitit aktual.
Duke qenë së kafeja nuk është vetëm një produkt konsumi në vendin tonë, por përfaqëson në një farë mënyre edhe një stil jetese të shqiptarëve lind pyetja nëse do ta frenojë konsumin çmimi më i lartë i kafes.
Nga ana tjetër, në analizat e kryera më herët nga “Scan Intel” edhe importi i kakaos ka arritur vlera të larta muaj pas muaji. Çmimi i kakaos është rritur me shpejtësi në vende të ndryshme të botës, duke arritur në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave, për shkak të motit të thatë që ndikoi në korrjet e kakaos në Afrikën Perëndimore. Kjo ndodhi pasi kushtet atmosferike këto vitet e fundit ishin më të ashpra se zakonisht në vendet kryesore prodhuese të këtyre produkteve./SCAN