Taulanda Jupi: Lista e hapur e Koalicionit Euroatlantik, akt guximi i Bashës për t’i dhënë fund tranzicionit

Kandidatja për deputete në Qarkun e Tiranës me Koalicionin Euroatlantik, Taulanda Jupi, ka përshëndetur vendimin e Lulzim Bashës për të hyrë në garën e 11 majit me lista të hapura, duke e cilësuar atë si një hap të guximshëm drejt fundit të tranzicionit 34-vjeçar.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Jupi theksoi se Koalicioni Euroatlantik ka zgjedhur transparencën dhe përfaqësimin e vërtetë, duke ofruar një listë kandidatësh me integritet, profesionistë dhe përfaqësues të komunitetit, të cilët nuk u përzgjodhën pas dyerve të mbyllura, por në bashkëpunim me qytetarët dhe strukturat.

“Në Parlament duhet të shkojnë përfaqësuesit e qytetarëve, jo të kryetarëve. Dhe ne këtë betejë do ta fitojmë.” – shkruan Jupi, duke e diferencuar qasjen e KEA nga ajo e forcave të tjera politike, të cilat, sipas saj, mbetën peng i së shkuarës, duke ndërtuar lista që reflektojnë më shumë interesin e një individi sesa të një partie të vërtetë demokratike.

Në përfundim, ajo i bëri thirrje qytetarëve që më 11 maj të zgjedhin demokracinë e vërtetë, ku vendosin ata, dhe jo një grusht njerëzish.

“Qytetarët meritojnë një Parlament ku jehon zëri i tyre! Shqipëria meriton më shumë!” – përfundon reagimin e saj Taulanda Jupi.

Reagimi i Jupit:

Listë e hapur – me këtë akt të guximshëm të Lulzim Bashës, ne nisëm betejën për t’i dhënë fund tranzicionit 34-vjeçar.

Koalicioni Euroatlantik hyri në këtë garë me lista të hapura me kandidatë me integritet, profesionistë, intelektualë dhe përfaqësues të vërtetë të komunitetit. Kandidatët tanë nuk u zgjodhën pas dyerve të mbyllura, por nga ata që e mbajnë demokracinë gjallë – qytetarët dhe strukturat tona. Në Parlament duhet të shkojnë përfaqësuesit e qytetarëve, jo të kryetarëve. Dhe ne këtë betejë do ta fitojmë.

Ndërsa ne u drejtuam nga parimi i transparencës dhe besimit te qytetarët, të tjerët mbetën peng i së shkuarës. Iluzioni i demokracisë u shua brenda një nate, kur listat e tyre u mbushën me besnikë të një njeriu dhe jo me përfaqësues të një ideje. Ata që besuan se fjala e dhënë do të mbahej, sot shohin një realitet tjetër – një parti e një personi, jo e anëtarëve dhe mbështetësve.

Por shqiptarët nuk janë pa zgjedhje. Më 11 maj, ata mund të zgjedhin midis demokracisë reale, ku fjala e fundit u përket qytetarëve, dhe teatrit politik, ku vendimet i merr një grusht njerëzish. Ne besojmë te forca e qytetarëve për të ndryshuar të ardhmen. Dhe këtë herë, ndryshimi nuk është vetëm një shpresë, është një mundësi e vërtetë.

Qytetarët meritojnë një Parlament ku jehon zëri i tyre! Shqipëria meriton më shumë!

Artikulli paraprakRama-Berisha prodhojnë lista që do jenë lendë e parë për SPAK!
Artikulli tjetër“Thuaji po vlerave, Shqipëria meriton ma shumë”, Valbona Quku Lisha, kandidate e Koalicionit Euroatlantik në Shkodër