Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, në një prononcim për mediat nga qyteti i Elbasanit, ka uruar shqiptarët për Ditën e Verës. Ai theksoi se Elbasani është një qytet me vlera të mëdha intelektuale dhe kulturore, që ka kontribuar shumë për Shqipërinë dhe kombin.
Basha uroi të gjithë qytetarët për një verë të mbarë, duke theksuar se ky vit duhet të sjellë ndryshime pozitive dhe besim në një të ardhme më të mirë. Ai vuri në dukje se Elbasani, së bashku me gjithë Shqipërinë, meritojnë më shumë, dhe shprehu angazhimin e koalicionit për përfaqësimin e vlerave qytetare dhe ndryshimeve të domosdoshme.
Basha gjithashtu vlerësoi kontributin e kandidatëve të koalicionit për Elbasanin dhe Shqipërinë.
Prononcimi i plotë i Bashës:
Nga Elbasani, që sot është kryeqyteti i të gjithëshqiptarëve, ju uroj gëzuar Ditën e Verës. Çdo familje shqiptare, gjithë qytetarëve shqiptarë, ju uroj një verë të mbarë, ju uroj shëndet dhe mbarësi për ju dhe familjet tuaja! Suksese dhe plotësim të dëshirave, planeve, aspiratave për gjithësecilin prej jush. Për mua është një kënaqësi e jashtëzakonshme që ndodhem sot këtu në mes të qytetarëve të Elbasanit, qytetit tim të dytë ku kam shërbyer për një kohë të gjatë si përfaqësues, të ndodhem prap në këtë qytet i cili i ka dhënë kaq shumë Shqipërisë, i ka dhënë kaq shumë kombit tonë dhe të shprh pa asnjë kompleks dobësinë që kam për Elbasanin, për qytetarinë e Elbasanit, për vlerat intelektuale dhe kulturën që rezaton ky qytet. Është një ditë mirësie dhe mbarësie dhe është një ditë pozitiviteti, siç uroj nga zemra të jetë kjo verë për të gjithë shqiptarët duke e nisur pse jo, ngë një verë e hershme, nga maji. Një maji i ndryshimeve pozitive, një maji i kthimit të besimit se një jetë më e mirë është plotësisht e mundshme këtu në Shqipëri. Se Elbasani, Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë më shumë. Dobësia ime për Elbasanin njihet fare mirë, jo thjesht për mikpritjen që më ka ofruar, për shpirtin e madh të qytetarisë Elbasanase, por edhe për kontributet e jashtëzakonshme me të cilat ka shërbyer. Nuk është e rastësishme, kam në krah ish-zëdhënësen deri dje të Partisë Demokratike, Mirela Karabinën, tani kandidate së bashku me kandidatët e tjerë në qarkun e Elbasanit. Nuk është më zëdhënësja jonë, por edhe zëdhënësja e re që ka ardhur Doriana Musai që e prezantova dje, është po kështu nga Elbasani. E them me natyrisht me humor që është shenjë e dobësisë, në fakt është shenjë e forcës që rezaton Elbasani në këtë ditë vere. Dhe pikërisht në këtë ditë vere jemi mbledhur këtu me grupin e kandidatëve tanë për deputetë të cilët rezatojnë dhe përfaqësojnë këto vlera dhe i thonë po vlerave qytetare, i thonë po ndryshimit dhe jo riciklimit. Sepse të gjithë jemi këtu duke besuar që Elbasani meriton më shumë, Shqipëria meriton më shumë. Nga Elbasani ju uroj të gjithë shqiptarëve gëzuar ditën e verës, qpftë një verë dhe një vit i mbarë për të gjithë familjet shqiptare dhe për vendin tonë.