Risi dhe dëmtime, pesë kuqezinj janë akoma në infermieri. Ja pikëpyetjet e Silvinjos për listën e Kombëtares

Misioni “Botëror” do të marrë dritën jeshile nesër, ditë kur Silvinjo do të zbulojë emrat e “luftëtarëve” për këtë kapitull të ri të Kombëtares shqiptare.

Mes risive dhe dëmtimeve, trajneri brazilian duhet të thërrasë më të mirët, të cilët do të japin në çdo ndeshje maksimumin për të realizuar një ëndërr të madhe të tifozëve kuqezi: pjesëmarrja në një Kampionat Botëror.

Padyshim që rruga është shumë e gjatë dhe me pengesa, por të gjithë presin nga timonieri që të ketë një plan të qartë në kokën e tij, gjithmonë duke filluar edhe nga emrat e lojtarëve në listë, shpeshherë edhe të diskutuar shumë. Edhe pse me herët jo zyrtarisht ishte planifikuar që lista e lojtarëve të publikohej sot, trajneri, me sa duket, ka vendosur që të “fitojë” edhe 24 orë kohë, ndoshta duke e “kuruar” edhe më mirë.

TË KONFIRMUAR Një pjesë e madhe e lojtarëve janë të konfirmuar dhe nuk ka vend për dyshime. Gjimshiti, Kumbulla, Balliu, Mitaj apo Mihaj në mbrojtje, pritet që të përfshihen. Po ashtu në mesfushë: Asllani, Ramadani, Laçi, Bajrami, por edhe Medon Berisha është pjesë e projektit. Gjithashtu, në pjesën para, nuk pritet të ketë surpriza për Jasir Asanin, Rei Manajn dhe Mirlind Dakun.

DËMTIMET Një aspekt ku Silvinjo dhe çdo trajner bëhet me “dhimbje koke”, janë dëmtimet, ku, në raste të ralla, Kombëtarja ka qenë e plotë sa u përket lojtarëve titullarë. Për t’u shqetësuar është pjesa e portës, sepse Tomas Strakosha rezulton i dëmtuar me probleme muskulare dhe nuk dihet nëse do të jetë gati për ndeshjen e parë. Stafi mjekësor do ta vlerësojë. Prej disa ndeshjesh, Ardian Ismajli është jashtë dhe rikuperimi nuk ka ende një datë të përcaktuar. Vlerësimet e gjendjes së tij do të bëhen kur ai të mbërrijë në Tiranë.

I pafat Keidi Bare. “Panorama Sport” mëson se mesfushori ka marrë një ftesë nga Silvinjo, por para dy ditësh është dëmtuar në stërvitje. Ai ka pësuar një tërheqje të lehtë në pulpë dhe po merr trajtim në Barcelonë. Nuk dihet nëse do të vijë dhe do të vlerësohet nga mjeku i Kombëtares Stesina apo do të vijojë me rikuperimin në klubin e tij të Saragozës. Një tjetër pikë edhe për vetë eksperiencën është Elseid Hysaj. Edhe pse mbrojtësi i djathtë ka humbur hierarkinë dhe në ndeshjet e fundit ka luajtur Balliu, ai mbetet i rëndësishëm. Hysaj është në luftë me kohën për t’u rikuperuar nga një tërheqje e pësuar më 2 shkurt. Jashtë për shkak dëmtimi është edhe Indrit Tuci.

NË DYSHIM Sa i përket portës, nëse Strakosha nuk ia del, Simon Simoni është gati. Dilema ka edhe në krahun e djathtë dhe, nëse Hysaj nuk vjen, një mes Andi Hadrojit dhe Albion Markut pritet të thirret. Mesfusha është një repart delikat dhe nëse ka mungesa, janë tri emra të cilët mund të luajnë për një vend. Do të shihet nëse Silvinjo do t’i besojë eksperiencës së Abrashit apo dy të rinjve si Pajaziti dhe Fetai. Nuk përjashtohet edhe një rikthim i Lindon Selahit. Sa u përket krahëve dhe sulmit, mund të ketë vend edhe për Arbër Hoxhën, Ernest Muçin, Taulant Seferin apo Myrto Uzunin. Këtu pritet që Silvinjo të “zihet ngushtë”. Megjithatë, një dyshim i madh është në sulm, kur nuk dihet nëse Armando Broja do të përfshihet në këtë grumbullim. Sulmuesi ka zhvilluar normalisht stërvitje me Evertonin ditën e djeshme. Një tjetër lojtar që mendohet se do të rikthehet nga Silvinjo, është edhe Anis Mehmeti.gfdh

Artikulli paraprakZelensky nuk beson në vullnetin e Putinit për paqen/ DW: Kreu i Kremlinit ka vendosur kushte duke dashur të fitojë kohë
Artikulli tjetërReuters: Rusia kërkon të përjashtojë të dërguarin special të Trump për Ukrainën nga bisedimet për paqe