“Kushdo që ka një influencë, ose i shkon fjala te një nëpunës i Shtetit ose te një anëtar i Dhomave Legjislative, merr të holla ose përfitime të tjera, dënohet me…”/ Çfarë parashikonte Kodi Penal i vitit 1928?

Nga Dashnor Kaloçi/ Historia e zgjedhjeve parlamentare në vendin tonë, apo më saktë tentativat për zgjedhje e kanë zanafillën që nga koha e sundimit Osman, kur Shqipëria ishte pjesë e Perandorisë Turke. Një nga deputetët e parë shqiptarë që u zgjodhën për në Parlamentin e parë të Turqisë, i cili hapi punimet në dhjetorin e vitit 1877, ishte Abdyl Frashëri. Por ai parlament nuk pati jetë të gjatë, pasi u prish nga vetë Sulltani, për shkak të fillimit të Luftës Ruso-Turke. Pas prishjes së parlamentit të parë të Turqisë, pati edhe disa tentativa të tjera për zgjedhje, por që të gjitha dështuan për shkaqe të ndryshme. Zgjedhjet e para dhe të rregullta në Shqipëria u mbajtën vetëm në vitin 1908, kur në Turqi erdhën në fuqi xhonturqit. Ato zgjedhje nuk ishin direkte, por me përfaqësim, apo siç janë njohur ndryshe; me zgjedhës të dytë. 

Parlamenti i parë i Turqisë u hap më 10 dhjetor të vitit 1908 dhe aty nga 266 deputetë, 27 prej tyre ishin shqiptarë të zgjedhur në katër vilajetet e Shqipërisë. Në atë kohë anëtarët e Komitetit “Bashkim-Përparim”, në Turqi ku bënin pjesë dhe shumë shqiptarë, u ndanë dhe u grupuan në tre grupime politike. Grupimi i parë ishte “Bashkim-Përparim” (partia turko-maqedonase) me 164 deputetë, ku 130 ishin turq, 5 arabë, 1 grek dhe 15 shqiptarë, të cilët kryesoheshin nga Hasan Prishtina, deputet i Kosovës.

Në grupin e dytë që quhej: “Bashkimi-Liberal”, (partia greko-shqiptare) ku bënin pjesë 45 deputetë, kishte 12 shqiptarë të cilët kryesoheshin nga Ismail Qemali. Ndër deputetët e tjerë shqiptarë që kishte asokohe Parlamenti i Turqisë, ishin dhe Esad Pashë Toptani, Nexhip Draga, Rexhep Pashë Mati etj. Pas vitit 1908, pati edhe disa zgjedhje të tjera ku shqiptarët vazhdonin të votonin për përfaqësuesit e tyre në Parlamentin e Turqisë dhe ajo gjë zgjati deri në nëntorin e vitit 1912 kur u shpall Pavarsia dhe Ismail Qemali u zgjodh kryetar i Qeverisë.

Kurse zgjedhjet e para parlamentare në Shqipëri u zhvilluan në pranverën e vitit 1921, pasi deri në atë kohë ato nuk ishin zhvilluar për shkak të Luftës së Parë Botërore, ku ishte përfshirë dhe Shqipëria. Parlamenti i parë Shqiptar u hap më 21 prill të atij viti dhe godina e parë e Parlamentit Shqiptar ka qenë aty ku është sot Akademia e Shkencave dhe në atë parlament morën pjesë 76 deputetë, të cilët u zgjodhën pas një procesi relativisht të rregullt nga nëntë prefekturat e vendit, si: Berati, Durrësi, Elbasani, Gjirokastra, Korça, Kosova, Shkodra, Vlora dhe ajo e kolonisë shqiptare të SHBA-së.

Ashtu si dhe në të kaluarën, ato zgjedhje u bënë me sistem përfaqësimi, apo siç njihen ndryshe me zgjedhës të dytë, ku në bazë të ndarjes territoriale, përfaqësuesit e çdo krahine kishin të drejtë të zgjidhnin deputetin e tyre. Sa më sipër, si dhe një historik të shkurtër të zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, që nga ajo periudhë e deri në vitin 1991, Memorie.al i ka publikuar në numrat e kaluar, këtu po publikojmë të plotë Statutin Themeltar të Republikës Shqiptare, (Kushtetuta) të vitit 1925, ku pas legjislacionit të zgjedhjeve parlamentare të asaj kohe, si dhe rregullorja e Parlamentit, me të drejtat e detyrat e deputetëve, një vend të veçantë zë edhe Kodi Penal, gjë të cilat janë botuar nga Shtypshkronja “NIKAJ”, në vitin 1925.

 Statuti themeltar i Republikës Shqiptare (1925)

                                   (Tiranë, Shtypshkronja “Nikaj” 1925)

                                       Kodi Penal 1928

                                     LIBRI I DYTË

Deliktet

Deliktet kundra padhunësisë të së mshehtave

KAPTINA X

Mburje si me pasë influencë pranë zyrtarëve.

NENI 233. – Kushdo që, tue u mburun se ka një influencë ose i shkon fjala te një nëpunës i Shtetit ose te një antar’i Dhomave Legjislative, merr ose ban t’i epen osë t’i zotohen, atij vetë ose të tjerve, të holla ose përfitime të tjera, qoftë si inkurajim ose si shpërblim për me ndërmjetsue mb’anë atij zyrtari, qoftë me pretekst sikur ka me ble favorin ose ka me shpërblye atë, ndëshkohet me burgim të randë nga tre muej deri në dy vjet, dhe me gjobë të randë nga njëqind deri në dymijë fr. ari.

Në qoftë se fajtori asht një nëpunës Shteti, ndëshkimeve u shtohet, në çdo rast ndalimi përhershëm nga ofiqet publike.

KAPTINA XI

Mos përmbushja e detyrimeve dhe mashtrime në furnitura publike

NENI 234. – Kushdo që, tue mos përmbush detyrimet që ka marrë përsipër, len mangut ushqimet, ose sende të tjera të nevojshme për një stabiliment ose shërbim publik, ose për me ndalue ose prevenue një kalamitet publik, ndëshkohet me burgim të randë nga gjashtë muej deri në tre vjet dhe me gjobë të randë ma tepër se pesqind fr. ari.

Në qoftë se mos përmbushja vjen vetëm nga pakujdesija, fajtori ndëshkohet me burgim deri në një vit dhe me gjobë të randë deri në tremijë fr. ari.

NENI 235. – Kushdo që, ban mashtrim në llojin, cilësinë, ose sasin’e sendeve të tregueme në nenin e ma sipërme, ndëshkohet me burgim të randë nga gjashtë deri në pesë vjet dhe me gjobë të randë ma tepër se pesëqind fr. ari.

Kurdoherë që mashtrimi bahet në të tjera fornitura të destinueme për një stabiliment ose shërbim publik, ndëshkimi asht burgim i randë deri në dy vjet dhe gjobë e randë deri në tremijë fr. ari.

KAPTINA XII

Dispozita të përbashkëta për kaptinat e masipërme

NENI 236. – Për efektet e ligjës penale konsiderohen nëpunës Shteti:

Gjith’ata që janë ngarkue me funksione publike, qofshin dhe të përkohëshmë, me rrogë ose jo, në shërbim të Shtetit, të Prefekturave, të Nën-prefekturave, të Krahinave, të Bashkive, të katundariëve dhe të komuniteteve të pranueme prek Shtetit, ose të një instituti të nënvumun prej ligjës në kujdesie të Shtetit ose, në kujdesië të një Prefekture, Nënprefekture, Krahinarie, të një Bashkie, të një katundarije ose të një komuniteti si ma sipër.

Noterët.

Agjentët e forcës publike dhe ftuësit e gjykatoreve.

Po për ato efekte njisohen me nëpunësit e Shtetit dhe fetarët, kur ushtrojnë funkcione publike si dhe arbitrat, ekspertat sindikët, liqidatorët, dragomanët, dishmitarët, përsa vazhdon funkcioni për të cilin janë thirrun.

NENI 237. – Kur ligja konsideron cilsiën e nëpunësit të Shtetit si element përbaëse ose si një shkak randësuer të fajit, për arësye se ay faj asht ba për shkak të funkcionit që ka ushtrue, përfshihet dhe rasti në të cilin personat e treguemë në nenin e ma sipërme nuk kanë ma cilësinë e nëpunësit të Shtetit, ose nuk ushtrojnë ma këto funksione kur asht ba faji.

NENI 238. – Kur ndonjani për me ba një delikt përdor fakultenë ose mjetet që janë të lidhuna me funksionin publik që ka, ndëshkimit të caktuem për deliktin e bamun i shtohet një e gjashta deri në një tretën, për veç kur cilësia e nëpunësit të Shtetit asht marë parasysh nga ligja në caktimin e ndëshkimit.

TITULLI IV

Delikte kundra administrasionit të Drejtësis

KAPTINA I

Refuzim i një funkcioni të detyruëm me ligjë

NENI 239. – Kushdo që, tue qënë i thirrun nga Autoriteti gjyqsuer si dishmitar, ekspert, ose dragoman, mrrijn të përjashtojë veten nga presentimi tue vuëm përpara pretekste të rrema, ose, tue qenë i prezentuem, refuzon të dëshmojë ose të bajë detyrën’ e ekspertit ose të dragomanit, ndëshkohet me burgim deri në gjashtë muej, ose me gjobë të randë deri në njëmij fr. ari.

Pēr ekspertat nē kētē rast kur ndëshkohen me burgim, dēnimi ka pēr efekt pezullimin e ushtrimit të profesionit ose të mjeshtërisë për një kohë baras me atë të burgimit.

KAPTINA II

Simulasion fajesh dhe personash

NENI 240. – Kushdo që i kallzon Autoritetit gjyqsuer ose një nëpunësi të Shtetit, i cili asht detyruem me i a referue atij Autoriteti, një faj q’e din se nuk ka ngja ose simulon gjyrmat e ktij faji, në një mënyrë që mund të fillojnë hetime penal, ndëshkohet me burgim të randë deri më tridhjet muej dhe me gjobë të randë, deri në dymijë fr. ari.

Po me këtë dënim ndëshkohet dhe ay që dekllaron përpara Autoritetit gjyqsuer, rrenësisht, se ka ba një faj ose ka bashkëpunue në të kryemit e një faji, për veç se kur një i tillë dakllarim i remë bahet për me shpëtue ndonjanin nga gjinija a afërme e vet.

NENI 241. – Kushdo që, prezenton veten përpara Autoriteteve në vend të një personi tjetër, dhe sikur këtë vepër t’a ketë ba pa mos i thirrun ose pa mos u kërkue, ndëshkohet me burgim nga pesë ditë deri në një muej, ose me gjobë të randë nga pesëdhjet deri pesqind fr. ari.

NENI 242. – Kushdo që, prezentohet ose ven veten në vëndin e një personi tjetër, q’asht dënue me një akt-gjykim, ndëshkohet me burgim nga një deri në gjashtë muej dhe me gjobë të randë nga njëqind deri në njëmijë fr. ari.

KAPTINA III

Çpifje

NENI 243. – Kushdo që, me kallxim ose me ankim të bamun n’Autoritetin gjyqsuer, ose të një nëpunës Shteti, q’asht i detyruem m’i a referue atij Autoriteti, ngarkon me një faj tjetrin, të cilin, e din se asht i pa fajshem, ose simulon në dam t’atij, gjyrmat ose shënjat materiale të një faji, ndëshkohet me burgim të randë nga një deri në pesë vjet dhe me ndalim të përkohëshmë nga ofiqet publike. 

Fajtori ndëshkohet me ndalim të përhershëm nga ofiqet publike dhe me burgim të randë nga tre deri në dymbëdhjet vjet.

Në qoftë se faji i atribuem sjellë një ndëshkim kundra lirisë personale ma tepër se pesë vjet.

Në qoftë se kallzimi ose ankimi rrenacak ka përfundue me një ndëshkim ma të math se burgimi i randë.

Në rast që i kallzuemi asht dënue me vdekje dhe ky ndëshkim asht eksekutue, fajtori dënohet me burgim të randë, jo ma pak se njëzet vjet.

NENI 244. – Kur faji i atribuem sjellë një ndëshkim me gjobë të randë ose të lehtë, ndëshkimi i çpifësit asht me burgim të randë deri në gjashtë muej.

NENI 245. – Ndëshkimeve të caktueme në nenet e ma sipërme, u zbriten dy të tretat, në qoftë se fajtori i deliktit të parapamë n’atë nen kthen nga çpifja ose zbulon simulasionin para se të bahet çdo veprim ndjekje kundra personit të cilit i bahet çpifja.

Në qoftë se fajtori kthen nga çpifja ose zbulon simulimin e gjyrmave dhe të shënjave passi t’jenë ba ndjekjet kundra të kallxuemit, por para se t’epet vendim për fajsinë, atje ku epet veçanërisht vendimi për fajsinë, dhe në rastet e tjera para se t’epet vendimi i gjykatores, ndëshkimit i zbritet një e treta deri në gjysmën.

KAPTINA IV

Të rrenunit në gjyqe dhe përpara këshillavet

NENI 246. – Kushdo që, tue deshmue përpara Autoritetit gjyqsuer, tregon si të vërtetë të rremen, ose mohon të vërtetën, ose tue i dijtun, hesht në të gjitha ose ndonjanën nga faktet për të cilat pyetet, ndëshkohet me burgim të randë, nga një deri në tridhjet muej, tue ndalue dhe nga ofiqet publike përkohësisht.

Burgimi i randë asht nga një deri në pesë vjet, në qoftë se faji asht ba në dam të një të pandehuni ose para gjyqit në një padia delikti, dhe në qoftë se bashkohen që të dya këto cirkostanca, ndëshkimi asht me burgim të randë, nga dy deri në dhjet vjet.

Në qoftë se faji ka shkaktue një vendim dënimi me burgim të përjetëshmë ose me vdekje burgimi i randë asht nga dhjet deri në njëzet vjet.

Në qoftë se faji ka shkaktue dënimin e të pandehunit me vdekje dhe kjo asht eksekutue, ndëshkimi me burgim të randë asht ma pak se pesëmbëdhjet vjet. Në qoftë se dëshmija asht ba pa bè ndëshkimit i zbritet një e gjashta deri në një të tretën.

NENI 247. – Përjashtohet nga ndëshkimi i fajit të parapamë në nenin e ma sipërmë:

Ay që, po të thoshte të vërtetën do t’ekspozonte me doemos veten ose njanin nga gjinia e afërme e tij, në një dam të randë në lirinë ose në nderin;

Ay që për shkak të cilësinave personale të veta, të cilat i a pat deklarue gjyqit, nuk duhej të detyrohesh për me dëshmue ose duhej që t’i bahesh e dijtun se kishte të drejtë m’u heq nga dëshmia.

Ndëshkimi i zbritet gjysma deri në dy të tretat, në qoftë se dëshmia rrenacake e ktyne, ekspozon një tjetër person në ndjekje penale ose në dënim.

NENI 248. – Përjashtohet nga ndëshkimi për fajin e parapam në nenin 246, ay që, tue dëshmue në një padië penale, kthen nga e rremja dhe tregon të vërtetën para se të marrin fund hetimet me vendim për ndalim gjyqi, ose para se t’i epet fund gjyqit, ose para se gjyqi të shtyhet për tjetër ditë për shkak të dëshmisë rrenancake.

Në qoftë se të kthyemit nga e rremja asht ba ma pas ose dëshmija e rreme asht ba në një padië civile, ndëshkimit i zbritet një e treta deri në gjysmën me konditë që të ktyemit të jetë ba para se padia në të cilën asht ba dëshmija e rreme, të marrë fund me vendim të fajsiës, ose atje ku nuk epet veçanërisht ky vendim, me vendimin e fundit të gjygjit.

Në qoftë se nga dëshmia rrenancake i shkaktohet rreshtimi ose të tjera dame të randa ndonjë person, ndëshkimit i zbritet vetëm një e treta, në rastin e § I të këtij neni, dhe vetëm një e gjashta në rastin e § II.

NENI 249. – Dispozitat e neneve të ma sipërme aplikohen dhe për ekspertët dhe dragomanët të cilët, tue qenë të thirrun me këto cilsina përpara Autoritetit gjyqsuer, apin mendime, informata, ose interpretime të rrema; dhe sa për ekspertat ndalimi i përkohëshmë nga ofiqet publike mund të zgjanohen dhe n’ushtrimin e profesionit ose të mjeshtërisë.

NENI 250. – Kushdo që tue dhanë ose zotue të holla ose të tjera përfitime, ose tue përdor dhelpënina ose friksime bind (suborne) një dishmitar, ekspert ose dragoman, me qëllim që të bajnë fajin e parapamë në nenin 246, në rast që dishmija rrenancake, ekspertimi ose interpretimi i rremë asht ba, ndëshkohet:

Me burgim të randë nga te muej deri në tre vjet, në rastin e parapamë në pikën e I-rë të nenit 246;

Me burgim të randë nga dy deri në shtatë vjet, në rastin e parapamë në pjesën e parë të pikës II-të të nenit 246, dhe me burgim të randë nga pesë deri në dymbëdhjet vjet, në rastin e pjesës së dytë po t’atij paragrafi.

Me burgim të randë jo ma pak se dymbëdhjet vjet, në rastin e parapamë në § III po t’atij neni dhe jo ma pak se njëzet vjet në rastin e parapamë në §IV po t’atij neni.

Në qoftë se dishmija rrenacake, ekspertimi ose interpretimi i rremë asht ba pa bè, ndëshkimit i zbritet një e gjashta deri në një të tretën.

Kurdoherë që fajtori vetëm asht përpjek (tentè), që, me friksime, dhurata ose zotime, të bindë dëshmitarin, ekspertin ose dragomanin, ndëshkimet e caktueme në dispozitat e ma sipërme zbriten në një të tretën.

Në të gjitha këto raste, ku dënimi nuk ka për efekt ndalimin e perherëshmë nga këto ofiqet publike, ndëshkimit i shtohet ndalimi i përkohëshëm nga ato ofiqe.

    Gjith’ato sende që janë dhanun për me ba këtë faj konfiskohen.

NENI 251. – Ndëshkimeve të caktueme në nenin e ma sipërmë, i u zbritet gjysma deri në dy të tretat, në qoftë se fajtori i deliktit të parapamë n’atë nen, asht i pandehuni ose një nga gjinia e afërme e tij, me konditë që të mos ketë ekspozue një tjetër person në ndjekje penale ose në dënim.

NENI 252. – Kur fajtori i dëshmiës, i ekspertimit ose i interpretimit rrenacak kthen nga kjo, në mënyrat dhe në kohën e tregueme në nenin 249 ndëshkimit, për fajtorin e deliktit të parapamë në nenin 250, i zbritet një e gjashta deri në një të tretën.

NENI 253. – Kushdo që, tue qenë nga ndërgjygjësat në gjyqin civil, ban bè në të rremë, ndëshkohet me burgim të randë nga gjashtë deri tridhjet muej dhe me gjobë të randë, nga njëqind deri në tremijë fr. Ari, tue ndalue përkohësisht nga ofiqet publike.

Në qoftë se fajtori kthen nga beja para se t’epet një vendim mbi çashtjen e kontestueme, burgimi i randë asht nga një, deri në gjashtë muej dhe gjobë e randë, jo ma pak se pesdhet fr. ari.

NENI 254. – Ata dëshmitarë, eksperta, ose dragomana, që përpara Këshillave Administrative, ose të Bashkive ose përpara Komisioneve t’emnuem e të ngarkuem me ushtrimin e një shërbimi publik ose të Bashkisë, bajnë një dëshmië ose ekspertim ose një përkthim të rremë, ndëshkohen me burgim deri në gjashtë muej ose me gjobë të randë nga njëqind, deri në njëmij e pesqind fr. ari.

NENI 255. – Në rast që vendoset dënimi i fajtorit të ndonjanit nga deliktet e parapame në Kaptinat III e IV të këtij titullu, gjyqi mbi kërkimin e anës së damtueme, mund t’urdhënojë n’akt-gjykim, publikimin e shkurtimit t’atij vendimi, në njanën nga nga fletoret e vëndit ku asht ba faji dhe n’atë të banimit të fajtorit. Memorie.al

Artikulli paraprakReuters: Rusia kërkon të përjashtojë të dërguarin special të Trump për Ukrainën nga bisedimet për paqe
Artikulli tjetërBasha poston videon me kandidatët e Koalicionit Euroatlantik të qarkut të Elbasanit: Shqipëria meriton më shumë