Inxhinieri Gerard Komini, kandidati i Koalicionit Euroatlantik për qarkun e Fierit në zgjedhjet e 11 majit, ka shpërndarë mesazhin e tij për qytetarët, duke shprehur vendosmërinë për të sjellë një politikë ndryshe, larg premtimeve boshe dhe riciklimit të së shkuarës.
“Unë zgjedh të luftoj për ndryshimin!” shprehet Komini, duke theksuar se Fierit i duhet një përfaqësim që ofron shpresë për të rinjtë, siguri për familjet dhe mbështetje reale për fermerët dhe bizneset.
Si përfaqësues i brezit të ri, ai premton një angazhim konkret për uljen e taksave, investime në arsim dhe punësim, subvencione për bujqësinë dhe një qeverisje që punon për qytetarët, jo për interesat e ngushta të disa individëve.
“Ne kemi një plan të qartë dhe do ta çojmë deri në fund së bashku, sepse Shqipëria meriton më shumë!” përfundon ai, duke ftuar qytetarët e Fierit që më 11 maj të zgjedhin ndryshimin.
Mesazhi i Gerard Kominit:
Fieri Meriton Më Shumë – Së Bashku për Ndryshimin!
A do të vazhdojmë të shohim Qarkun Fier të zbrazet, të rinjtë të largohen dhe familjet të
luftojnë për të mbijetuar? Apo do ta marrim fatin në duart tona dhe të ndërtojmë të ardhmen që
meritojmë?
Unë nuk e pranoj këtë realitet. Unë zgjedh të luftoj për ndryshimin!
Unë jam Gerard Komini, 27 vjeç, inxhinier ndërtimi, një i ri i rritur në Fier me pasionin për ta bërë këtë qytet dhe këtë vend një shtëpi të denjë për të gjithë ne. Kam parë miqtë dhe bashkëmoshatarët e mi të largohen, jo sepse duan, por sepse nuk shohin më shpresë. Kam parë prindërit tanë të përballen me
çmime të larta dhe mundësi të pakta. Kam parë fermerët tanë që punojnë pa mbështetje dhe bizneset
e vogla që mbyten nga taksat e padrejta.
Dikush duhet të ngrihet dhe të thotë: MJAFT!
Pse po kandidoj për deputet në Qarkun Fier?
– Sepse dua që të rinjtë të kenë një arsye për të qëndruar dhe për të ndërtuar të ardhmen e tyre
këtu.
– Sepse dua që familjet të kenë siguri ekonomike dhe mbështetje të vërtetë.
– Sepse dua që fermerët dhe bizneset të kenë një shtet që i ndihmon, jo që i pengon.
– Sepse dua një Shqipëri me arsim cilësor, shëndetësi moderne dhe ekonomi që rritet për të gjithë,
jo vetëm për pak veta.
Sot, shpall kandidaturën time për deputet në zgjedhjet e Majit 2025, si përfaqësues i
Koalicionit Euroatlantik në Qarkun Fier.
Unë nuk vij nga një kastë politike. Unë vij nga një brez që nuk dorëzohet, por kërkon ndryshim! Vij
nga një qytet i fortë, nga një familje punëtore, nga një realitet që më ka mësuar se suksesi arrihet
vetëm me ndershmëri dhe përkushtim. Dhe këtë dua ta sjell në politikë!
Ne kemi një plan të qartë:
Ulje taksash dhe mbështetje për bizneset e vogla – që ekonomia të lulëzojë, jo të mbytet nga
barra fiskale.
Investime në arsim dhe punësim për të rinjtë – sepse Shqipëria nuk mund të përparojë nëse të
rinjtë e saj largohen.
Mbështetje për fermerët dhe subvencione reale për bujqësinë – sepse ne jemi një vend me
potencial të madh dhe nuk mund të mbetemi pas.
Drejtësi e vërtetë dhe luftë kundër korrupsionit – sepse Shqipëria meriton institucione të
ndershme dhe një politikë që punon për qytetarët.
Kjo nuk është fushata ime – kjo është fushata jonë! Do ta fillojmë së bashku dhe do ta çojmë
deri në fund së bashku! Sepse Shqipëria meriton më shumë!