Luftoi për çështjen kombëtare, cili ishte “Isa Boletini” i Çamërisë! Roli për mbrojtjen e trojeve shqiptare dhe kontaktet e Themistokli Gërmenjit

HAJREDIN ISUFI
HISTORIAN

Fshati Koskë bën pjesë në fshatrat e Kazasë së Filatit. Koska është e vendosur në një luginë, rrethuar nga të tria anët me male, që e mbrojnë nga erërat e forta të dimrit. Koskën e hasim për herë të parë në Defterin e Delvinës të vitit 991 (1583), ku janë regjistruar emrat e kryefamiljarëve të fshatit Koskë, që mbajnë emra të krishterë si: Todër, Deda, Kond, Gjon, Ardian, Jorgo, Leka etj. Sipas Defterit të Delvinës Koska kishte 127 familje dhe krahasuar me fshatra të tjerë të Filatit, renditej ndër fshatrat më të mëdhenj të Kazasë.

Koska nga Lindja, fshatin më të afërt kishte fshatin e madh të krishterë Pleshovicën, kufiri ndarës ishte një përrua që qëndronte mes pemës vreshtat e fshatit Koskë me ato te Pleshovicës. “Përpara revolucionit Xhonturk muslimanët e të krishterët kanë shkuar shumë mirë dhe si u shpall liria pa vështruar fe a din, të gjithë së bashku u puthën në xhaminë e Filatit, që të mos mbetej asnjë armiqësi e vogël midis tyre. Akoma dhe për të ngrirë fanatizmën e besës, në kishën e Filatit s’kishte këmbanë, u zotuan muslimanët shqiptarë që të sillnin këmbanën dhe kështu u bë. Ditën që u var këmbana, u mblodhën në mitropoli më shumë se 150 muslimanë dhe hoxhë dhe e shpunë në qishë dhe i pari që e vuri dhe i ra ishte hoxha” 1

Myslimanët me disa të krishterë u thartuan kur u hapën shkollat shqipe në Filat dhe në fshatrat përreth. Këtë harmoni dhe formim të njëjtë shpirtëror që kishin dy komunitetet, tek të krishterët e helmoi propaganda greke dhe kisha. Kjo bëri që tre shqiptarë nga Koska të vriteshin në mes të pazarit të Pleshovicës. “Për këtë ngjarje njerëzit e të vrarëve zunë pritë dhe vranë dy pleshoviciotë. Qarqe të caktuara shoviniste greke për ta thelluar më shumë konfliktin bënë dhe një vrasje tjetër në Pleshovicë, vritet Petro Plastira. Për këtë vrasje u akuzuan shqiptarët, por e shoqja e tij dhe fëmijët thanë se e vranë ata të fshatit që janë shkruar në “Ethniqi Eterinë”.2

Konfliktet mes Koskës dhe Pleshovicës, i kishin ndezur gjakrat e hakmarrjes. Në ndihmë të shqiptarëve të Koskës dhe të afërmve të viktimave ishin bashkuar shumë çamë e labë të gatshëm për ta bërë hi Pleshovicën. Por ishte “vetë Muharrem Rushiti që e prapsi këtë qëllim të lig dhe njerëzit e të vrarëve të mos bënin trazira sa të dalë e vërteta në shesh”.3

Çeta e Çamërisë dhe drejtuesi i saj Muharrem Rushiti

Krijimi i këtij formacioni luftarak në zonën e Filatit ngjalli reaksion të menjëhershëm në Komitetin Xhonturk, ishte kjo arsyeja që Kajmekani i Filatit me të marrë lajmin e formimit të Çetës i raportoi qeveritarëve osmanë në vilajet, rrezikshmërinë që paraqiste për administratën osmane dhe drejtuesit e saj. 4)Muharrem Rushiti, Musa Demi dhe Alush Taka, bënë që Filati të kthehej në një zonë të nxehtë të kryengritjes shqiptare, që po afrohej dhe Muharrem Rushiti nga fshati Koskë ishte promotori i saj. Klubi patriotik i Vlorës i telegrafoi klubit të Filatit që të merrte masat përgatitore se kryengritja e shqiptarëve mund të shpërthente nga çasti në çast. Çetës së Çamërisë dita-ditës i shtohej efektivi i saj, jo vetëm nga Filati dhe rrethinat e tij, por edhe nga kazatë e tjera të Çamërisë. Në këtë çetë më 1910 ishin bashkuar një grup patriotësh vlonjatë, që ndiqeshin nga Komiteti Xhonturk, që kishin shkuar në Filat, te Musa Demi dhe Muharrem Rushiti dhe më pas iu bashkuan Çetës së Çamërisë. Bashkërenduesit kryesore të Komitetit të Përgjithshëm ishin Themistokli Gërmenji, Nikollë Ivanaj etj.

Themistokli Gërmenji u nis më 10 maj 1911 për në Korfuz, ku e priste Spiro Ballkameni dhe Alush Taka, i dërguari i Komitetit. E vërteta është se Themistokli Gërmenji bëri disa plane në Korfuz. Njëri prej tyre ishte dërgimi i armëve, fishekëve dhe pajimeve të tjera për kryengritësit në bregdetin e Çamërisë, e prej andej të shpërndaheshin në zonat kryengritëse të Shqipërisë së Poshtme.

THEMISTOKLI GËRMENJI NË KOSKË

Themistokliu me një barkëtar u nisën nga Korfuzi me një barkë, që ishte dhe me pëlhurë, por punohej me lopata dhe mbas 4-5 orësh lundrim, mbërritën në Çamëri në skelën e vogël të Skupicës (në zonën e Filatit ). Pasi qëndruan për disa orë në shtëpinë e një patrioti në fshatin Smërte, u nisën nga Smërtja për në fshatin Koskë, të përcjellë nga Musa Demi dhe pas nja 2 orë udhëtimi, arritën në shtëpinë e Muharrem Rushitit.5

Themistokli Gërmenji dhe Musa Demi nuk shkuan rastësisht në shtëpinë e Muharrem Rushitit. Madje ajo nuk duhet vlerësuar si një vizitë në rrugë e sipër. Muharremi, si komandant i të vetmes çetë të organizuar, që lëvizte në malet e Çamërisë, ishte në pritje të ardhjes së Themistokliut për të koordinuar veprimet.

Fshatrat e Smërtes dhe Koskës, Themistokliu i shfrytëzoi për të marrë kontakte me rrethet patriotike të Çamërisë dhe për të çuar përpara planet për Kryengritjen e Përgjithshme. Në këto takime u ndanë dhe detyrat e drejtuesve të çetës së Çamërisë, Musa Demi do të përfaqësonte si këshilltar në çetë, që do të shtohej në numër, kurse Muharrem Rushiti do të ishte Komandanti ushtarak i saj. Themistokli Gërmenji u nda nga Koska, i përcjellë nga luftëtarët trima dhe besnikë të Muharrem Rushitit, Alush Taka dhe Saliko Çami, mori rrugën për në Delvinë.6

Namik Delvina, një nga figurat drejtuese e më kryesore në Komitetin e Kryengritjes së Përgjithshme në Shqipërinë e Poshtme, do ta kujtonte me këto fjalë odisenë e Themistokli Gërmenjit: “Muharrem Rushiti, i arratisur në malet e Çamërisë ishte nga ata që priti dhe përcolli të gjithë përpjekësit e lirisë kombëtare. Ai priti dhe të ndjerin Themistokli Gërmenji.” 7

Në këtë kohë Çeta e Çamërisë, e fuqizuar me efektivë prej 150 vetash ishte dislokuar në rrethinat e Filatit. 8

Në bashkërendim me të, ishte edhe çeta e Haki Beut nga Progonati, që lëviste në malet e Koskës dhe Spatarit. 9

Në qershor 1911, me urdhër të Komitetit të Përgjithshëm të Kryengritjes, një pjesë e çetës së Çamërisë, me në krye Muharrem Rushitin, la malet e Filatit dhe u nis të mbështeste veprimet e çetave të Gjirokastrës, të Delvinës dhe të Kurveleshit. Alush Taka, me një pjesë luftëtarësh nga Çeta e Çamërisë, qëndronte në rrethinat e Konispolit. Pas ca ditësh Çeta Çame bashkë me çeta të tjera u nisën për në Manastirin e Cepos. Atje, më 21 korrik 1911, u organizua një tubim drejtuar Portës dhe Fuqive të mëdha. Pas vendimeve të rëndësishme, që u morën në Manastirin e Cepos, Namik Delvina do të vepronte në zonën e Vlorës, të Mallakastrës e të Beratit, ku drejtimi ushtarak iu besua Muharrem Rushitit, komandantit të Çetës së Çamërisë.10

Në bashkëveprim dhe në mbështetje të Muharrem Rushitit, ishte dhe Alush Taka me një pjesë të luftëtarëve të tij. 11

Në fund të korrikut 1911 në fshatin Smërte u zhvilluan luftime të ashpra mes kryengritësve dhe forcave turke. Fitorja e kryengritësve në këtë beteje u dha kurajo kryengritësve dhe u tërhoqën në malet e Lopsit dhe të Koskës. Një ekspeditë ndëshkimore turke e përforcuar me forca të ardhura nga Preveza e Saranda, rrethuan fshatin Koskë dhe të afërmit e Muharrem Rushitit dhe me urdhrin e komandantit turk i vunë zjarrin kullave të Muharremit. Një këngë popullore çame i bëri jehonë asaj ngjarjeje, e shprehur në këto vargje:

Të dogjnë saraje,
Të dogjnë shtëpi
Turqit e Gjiritit
Muharrem o Koskalli

Këtë këngë ma ka kumtuar i ndjeri miku im Lutfi Berberi në vitin 1963. Kjo është një këngë mjaft e njohur në Çamëri, që këndohej në grup nga burrat. Athina dhe metropoliti i Paramithisë e përcillte me shqetësim Çetën e Çamërisë.

Lëvizja e armatosur e Shqipërisë së Poshtme e vitit 1912 ndeshi në armiqësinë e Athinës dhe të Kishës greke. Për të diskretituar lëvizjen patriotike shqiptare, Athina i mëshoi tezës së prapa kërkesave të shqiptarëve fshihej propaganda e huaj. Qarkoret greke, që përcilleshin nga Athina dhe mitropolitet e Janinës dhe të Paramithisë u bënin thirrje ithtarëve të shovinizmit grek që të përdornin çdo mjet “për të bindur Evropën se Epiri është grek” 12

Ndërkohë, në Vilajetin e Janinës kishin nisur të vepronin një mori bandash greke të drejtuara nga Grikor Farmaqi, Nikolla Kutupis, Kostas Zorkados nga Papova e Paramithisë. Këto banda vepronin kryesisht në zonën e fshatrave të Paramithisë, ku terrorizonin fshatrat myslimane e të pambrojtura. Dy banda të tjera, e Timos dhe e Ajdon Hajdusit nga Pleshovica, vepronin në zonën e Filatit. 13

Në këto rrethana Çetës së Çamërisë i duhej të luftonte në dy fronte, kundër regjimit osman dhe kundër shovinizmit e terrorizmit grek. Për këtë qëllim u punua me përparësi për fuqizimin e çetës së armatosur, duke rritur numrin e luftëtarëve dhe duke shtuar bashkëveprimin me çetat e tjera të Shqipërisë së Poshtme. Në vizionin e patriotëve shqiptarë, problemi i Shqipërisë së Poshtme dhe veçanërisht, i Çamërisë, fitonte një rëndësi të jashtëzakonshme, aq më tepër kur tani ambiciet aneksioniste greke ishin shfaqur hapur. Këtu qëndronte arsyeja e grumbullimit në këto zona të çetave të shumta, që përmendëm më sipër, të cilat në verën e vitit 1912, iu shtua edhe ajo e Dervish Himës.14

Burimet e kohës vënë në dukje se me çetën e Dervish Himës, që ishte në Gjirokastër, ishte bashkuar edhe Muharrem Rushiti me luftëtarët e tij çamë.15

Në këtë kohë e kishte shtrirë rrezen e veprimeve të saj luftarake nga malet e Pleshovicës, të Koskës dhe Spatarit, në Delvinë e Lobohovë, (16) në Gjirokastër, në Kurvelesh, në Hormovë. I ndjeri Prof. Skënder Luarasi më ka kumtuar se kishte shkuar në vitin 1932 në fshatin Mavrovë të Vlorës për të gjetur kostume karakteristike vlonjate për një grup studentësh, që do të luanin një dramë për Spiro Ballkamenin. Në bisedë me fshatarët, Skënderi u tregoi atyre pse i donte veshjet karakteristike popullore të krahinës. Një plak nga fshati, më i moshuari, u ngrit në këmbë dhe i tha:

– Për Spiro Ballkamenin?
– Ku e njihni ju Spiro Ballkamenin? – iu drejtua Skënderi.
– Ai ka ardhur në fshatin tonë, në Mavrovë. E ka sjellë Muharrem Rushiti.

Qarqet greke në këtë kohë ndërmorën në shtyp dhe në mënyrë të veçantë në gazetën “Epiros”, një propagandë të gjerë shpifjesh dhe akuzash kundër Çetës së Çamërisë dhe drejtuesit të saj Muharrem Rushitit. Përmbajtjen e këtyre akuzave na e përcjell gjerësisht historiania greke E. Nikollaidu. Sipas kësaj të fundit, Çeta e Çamërisë që drejtohej dhe komandohej nga Muharrem Rushiti, “nuk kishte motive politike, por ishte vetëm një bandë kusarësh, që vriste e grabiste duke terrorizuar fshatarët e krishterë”. Propaganda që bëhej kundër Çetës së Çamërisë kishte për qëllim të justifikonte veprimet që kishin ndërmarrë qeveria greke, duke dërguar banda në Çamëri kundër fshatrave myslimane. Propaganda greke e motivonte dërgimin e bandave të armatosura në rajonet shqiptare, gjoja për të përballur rrezikun e shqiptarëve ndaj shtetit grek. Vëzhguesit e huaj, që i ndiqnin nga afër ngjarjet me Shqipërinë e Poshtme, megjithëse nuk e kishin parapëlqyer krijimin e Çetës së Çamërisë, raportonin të kundërtën e atyre që përhapnin qarqet greke. Në kundërshtim me këto që thoshin grekët, konsulli austro-hungarez në Janinë, në raportin që i dërgonte Vjenës, deklaronte: “Qëllimi i Çetës së Çamërisë është të luftonte bandat e hajdutëve që gjendeshin në Çamëri”(18).Ndryshe nga propaganda greke, që përpiqej të hidhte baltë mbi veprimet e Çetës Çame dhe drejtuesve patriotë të saj, që nuk ishin “as banditë” as “pseudopatriotë”, por luftëtarë të vendosur të çështjes shqiptare.

Mihal Grameno, njëri nga figurat e shquara të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, që ka njohur nga afër edhe Muharrem Rushitin, do të shkruante: “Kurrë s’kam për ta harruar plakun trim, plakun e urtë, të ndershëm e luftarak dhe një nga më kombëtarët, Muharrem Rushitin” 19

Namik Delvina, një tjetër figurë qendrore e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, do ta karakterizonte kështu komandantin trim të Çetës Çamëria:”Muharrem Rushiti ka qenë një patriot i thjeshtë, me një vullnet e patriotizëm shumë të plotë nga sa mund të falë kultura përmbi ndjenjat e ndryshme të njerëzve…Ai nuk ka qenë ndonjë i arratisur kriminel ose grabitës në kohën e Turqisë, por ka qenë një i arratisur shpirtëror në gjurmët e hidhërimit të humbjes së djalit të vet prej grekëve …” 20

Në gazetën “Politika”, që dilte në Vlorë, një atdhetar shqiptar me pseudonimin “Labi”, që e ka njohur nga afër komandantin e Çetës Çame, ndër të tjera do të shkruante kështu për Muharrem Rushitin: “Muharrem Rushiti luftoi për qëllime kombëtare, mori pjesë në çdo lëvizje kombëtare kundër tiranisë shekullore. Trupi i tij është mbushur me shumë plagë, që nuk janë shëruar akoma… Xha Muharremi, ose më mirë ta themi “Isa Boletini” i Çamërisë, është i gjallë, por i plakur, i drobitur, i thatim se e kanë munduar e tretur vuajtjet trupore e hidhërimet shpirtërore që ka hequr tërë jetën e tij për atdheun…” 21

Pragu i Pavarësisë e gjeti Muharrem Rushitin në ballë të luftës për çlirimin e vendit dhe mbrojtjen nga shovinizmi grek. Më 18 nëntor 1912, Çeta e Çamërisë kishte zhvilluar një betejë të përgjakshme kundër forcave greke në Pleshovicë, ku ranë dëshmorë dy çamë: Abedin Madani dhe Jasin Murati. 22

Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, krijoi shqetësime serioze në Athinë dhe shtoi frikën se mos shteti shqiptar, në bazë të parimit të kombësisë, do t’i njihej edhe Shqipëria e Poshtme.23

Veprimet e qeverisë greke tregonin se kishte filluar njëra nga faqet më tragjike për popullsinë shqiptare në krahinën e Çamërisë, mbi të cilën po zbrazej gjithë egërsia shoviniste greke. Interesi i vendit dhe i Çamërisë e donte që drejtuesi i Çetës së Çamërisë të vazhdonte të drejtonte qëndresën kundër forcave greke, që ishin vërsulur si të tërbuar kundër territoreve shqiptare. Ndërkohë Muharrem Rushiti, me Çetën e Çamërisë, lëvizte nga një zonë në tjetrën për t’u bërë ballë bandave greke, që ishin turrur kundër fshatrave shqiptare. Muharrem Rushiti shkoi në Vlorë në 2 dhjetor 1912, së bashku me Mufit Libohovën dhe përfaqësues nga Tepelena dhe Përmeti. 24

Muharrem Rushiti ishte një hero, prandaj do të mbetet në histori dhe do të kujtohet me respekt e dashuri.

REFERENCAT

1. Gazeta “Dielli”, Boston, dt. 22 Tetor 1910
2. Poaty,
3. Po aty,
4. Gazeta “Bashkimi i Kombit”, Manastir, 4 shkurt1910
5. P.Pepo, Lufta per Clirim Kombetar
6. Po aty,
7. Gazeta ” Besa”, Tirane ,27 Gusht 1931
8. Gazeta “Dielli” , Boston, 01 dhjetor 1911
9. Gazeta “Shkambi, Kostandina paje”, dt. 9 prill 1911
10. Gazeta “Rilindja Shqiptare “, Sarande, dt. 2,10,19,29.
11. Gazeta “Dielli”, Boston, dt. 22 Janar 1924
12. Raporti i konsullit Austro-hungarez ne Janine , Vjene ,18
korrik 1931
13. Po aty, dt.9 shtator 1912
14. Po aty, dt 18 korrik 1912
15. Po aty, dt. 21 korrik 1912
16. Gazeta “Liria” Selanik, 21 korrik 1931
17. E. Nikollaidu, “Ethiniqi qinisi sto vilajet Janina”,
18. Raporti i Konsullatës austro- hungareze, dok. përdi 1931
19. Gazeta “Besa”, Tirane,31 Gusht 1931
20. Po aty,
21. Gazeta “Poltika”, Vlorë
22. H. Isufi, Musa Demi dhe qendresa Çame 1846-1900…f. 133
23. P. Xhufi,H. Isufi, “Aneksimi i dhunshem i Çamerise nga
Greqi.” Ne “Studimet Historike ” nr. 1-4,1997,f.9
24. Raporti i konsullit Austro-hungarez ne Vlore, Vjenes dt.03
dhjetor 1912.

/Gazeta Panorama 

Artikulli paraprakMisioni “Botëror” nis nga “Uembli”, zbulohen fanellat që lojtarët e Kombëtares do të veshin kundër Anglisë
Artikulli tjetërRreziku i pensioneve, borxhi i sigurimeve shoqërore nuk ndalet, arrin 244 mln euro