Nga Lindita Çela
E quanin njeri-tjetrin “kumbar”, flisnin pothuajse çdo ditë në telefon, jo vetëm për thashethemet që qarkullon në Shkodër por dhe për hallet i secilit. Herë pas here shkëmbenin mendime për persona të caktuar, çka linte pa gjumë tjetrin, deri sa situata sqarohej në telefonatën e radhës.
Të paktën këtë tregojnë komunikimet telefonike mes Behar Bajrit dhe Ibrahim Licit, të përgjuara nga Prokuroria e Posaçme në kuadër të hetimeve të nisura për zbardhjen e një sërë ngjarjesh kriminale në qytetin e Shkodrës.
Në dosjen që “shteg.org” ka parë komunikimet i referohen verës së vitit 2018, kohë në të cilën ende nuk ishte vrarë Fatbardh Lici dhe mes dy fiseve duket se ishte vendosur një paqe garant i së cilës ishte njohja e kundërshtarit si “kumbar”.
Po përtej komunikimeve “miqësore” mes Behar Bajrit dhe Ibrahim Licit, Prokuroria e Posaçme pretendon se ka siguruar prova të mjaftueshme që tregojnë konfliktet mes dy fiseve në Shkodër.
Sipas prokurorisë, vrasja e Fatbardh Licit është pasojë e këtyre konflikteve, luftë për territor dhe hakmarrje deri në shuarje.
Në shkurt të 2025, Prokuroria e Posaçme njoftoi se ka siguruar “prova se Safet e Behar Bajri dhe Astmer Bilali kanë planifikuar, organizuar dhe kanë kryer më 10 gusht 2018 në qytetin e Shkodrës vrasjen me armë të njeriut të afërt të Ibrahim Licit”.
Policia, arrestoi Safet Bajrin ndërsa përmes një njoftimi për shtyp sqaroi se ndaj tij ishte miratuar një masë “arresti me burg” nga Gjykata e Posaçme për akuzat e “vrasjes me paramendim” si dhe akuzën e “grupit të strukturuar kriminal”. Masa arresti për këtë ngjarje u lëshuan edhe ndaj Behar Bajrit dhe Astmer Bilalit, të cilët ndodhen në qeli, të akuzuar po për ngjarje të tjera kriminale të ndodhura në vend.
Miqësi & Intrigë

Boran Bërcana, një ish-punonjës policie dhe bashkëjetuesja e tij Silvi Ndoci, u ekzekutuan poshtë banesës që kishin me qira mesnatën e 15 korrikut të vitit 2018. Viktimat nuk ishin persona të rastësishëm, por miqtë të Behar Bajrit.
Pas ngjarjes, prokuroria ka vendosur në përgjim anëtarët e familjes Bajri dhe Lici, prej ku beson se ka siguruar prova që hedhin dritë jo vetëm mbi ngjarjet që pasuan më pas por dhe marrëdhëniet mes dy fiseve që besohet se ishin përfshirë në një luftë për territor në qytetin e Shkodrës.
Referuar komunikime, prokuroria dyshon se Behar Bajri vendosi të hakmerrej për vrasjen e “miqve” të tij të cilët ai besonte se ishin ekzekutuar nga Ibrahim Lici.
“Hakmarrja është një gjellë që hahet e ftohtë” thotë një proverb kinez dhe komunikimet mes Behar Bajrit dhe Ibrahim Licit lënë të kuptosh se ngjarja nuk ka ndryshuar marrëdhëniet me dy burrave.
Për t’i garantuar miqësinë Behar Bajri kishte bërë Ibrahimin kumbarë të djalit të tij.
Komunikimet tregojnë se dy burrat i çojnë të fala njëri-tjetrit, kujdesen për shëndetin e fëmijëve, apo dhe diskutojnë për ngjarje që ndodhin në qytet, siç ishte rrahja e një personi që ata e identifikojnë si “profe” apo dhe vlerësojnë “miqtë” e tyre të përbashkët, siç është Astmer Bilali.
Ndër biseda, Behari i bën të ditur Ibrahimit se ish shoku i tij Astmeri gjatë kohës që shoqërohej me “profen” shante me fjalë shumë të rënda Sokol Licin dhe fisin e tij.
Nga ana tjetër e telefonit Ibrahimi e garanton se Astmeri nuk mund ta shante pasi e njeh mirë se kush dhe çfarë përfaqëson.
“Ka kenë gjarpër uji, është bërë gjarpër toke, i është forcu helmi”- thotë Behari.
Biseda e orëve të para të mëngjesit të 9 gushtit 2018 mes dy kumbarëve përqendrohet tek Asmer Bilali, apo dhe Arjan Zogaj të cilit vite më parë i kishin humbur disa rika.
Ibrafim Lici i thotë vjedhja ishte bërë nga Astmeri i cili sipas tij e kishte filluar “karrierën me vjedhje rikash” dhe maksimumi që mund të bënte ishte të rrihte dikë me grushta në mes të qytetit.
“Ka kalu një mur nja 10 metra lartë, a nja njëzet metra, ja ka vjedhë rikat Behar, ai bir k…” i thotë Ibrahimi ndërsa në sfond dëgjohet një zile telefoni prej të cilës dyshon se bisedën po dëgjonin dhe persona të tjerë.
Prokuroria beson se qëllimi i kësaj bisede ishte vendosja në konflikt mes Licit dhe Bilalit që dikur ishin shokë. Të njëjtën dyshim ngre dhe Ibrahimi.
“E fute intrigën itash. Është 100%, por për me e fut ta thashë, mos çaj kryet. Thuaja dhe Astmerit dhe Arjanit” – i thotë ai Behar Bajrit.
Pas kësaj bisedë Ibrahim Lici telefonohet disa herë nga Astmer Bilali i cili kërkonte sqarime për akuzat e vjedhjes së rikave dhe fjalët e thëna.
Ibrahimi dhe Astmeri flasin që të takohen sy më sy për fjalët e dala por po atë mbrëmje më 9 gusht 2015, Bilali merr një telefonatë nga Safet Bajri i cili i kërkon të takohet më të në Tiranë.
Prokuroria thotë se nga Tirana është hartuar dhe plani i ekzekutimit të Fatbardh Licit i cili do të vritej në orën 7 të mëngjesit më 10 gusht 2018.
Pas vrasjes, autoritetet hetimore kanë nisur një sërë veprimesh intensive për të zbardhur ngjarjen dhe për të mbledhur prova që implikojnë të dyshuarit. Një pjesë kyçe e këtij hetimi ka qenë përdorimi i përgjimeve telefonike. Këto përgjime kanë lejuar hetuesit të monitorojnë komunikimet e personave të dyshuar, duke shpresuar të zbulojnë biseda që mund të ofrojnë dëshmi për zbulimin e tyre në vrasje, motivet e mundshme dhe lidhjet me mes personave që morën pjesë në vrasje.
Dëshmitarët e heshtur

Linjat telefonike u bënë “dëshmitarë të heshtur” jo vetëm të ekzekutimit të Ibrahim Licit por dhe të marrëdhënieve mes dy fiseve në Shkodër.
Duke shpresuar të kapnin biseda inkriminuese që mund të bashkonin copëzat e enigmës së ekzekutimit të Licit, menjëherë pas ngjarjes autoritetet vendosën nën përgjime telefonike një numër të konsiderueshëm personash, përfshirë dhe anëtarët e dy familjeve Lici dhe Bajri.
Paralelisht me përgjigjet prokurorët iu drejtuan syve vigjilentë të kamerave të sigurisë aso kohe të shumta në Shkodër.
Pamje filmike u mblodhën dhe u shqyrtua me imtësi çdo automjetet që qarkulloi në zonën ku ndodhi krimi.
Dy makina me “AA 339 JN” dhe “AA 837 SH” ngjallën dyshime tek hetuesit.
Të dhëna vizuale ofruan potencialin për të identifikuar të dyshuarit dhe për të gjurmuar veprimet e tyre para dhe pas vrasjes.
“Më datë 10 gusht 2018, në orët e para të mëngjesit, Safet Bajri (Rustemi), Astmer Bilali dhe E.A., e dashura e Safet Bajrit janë nisur drejt Shkodrës me dy automjete, njëri i markës ‘Benz’ me targë AA 989 TE, në përdorim të Safet Rustemit dhe tjetri i markës ‘Volkswagen’ me targë AA 383 PN, në përdorim të Denis Brajoviq” – thuhet në dokumentet e prokuroirsë.
Pasi kanë mbërritur në Shkodër, Safet Bajri dhe Astmer Bilali, kanë zbritur nga makinat e tyre dhe kanë përdorur një automjet të vjedhur të markës ‘Benz’ ngjyrë gri, me targa AA 760 FX.
Automjet me të cilin janë afruar tek vendi ku ndodhej lokali me qira i shtetasit Sokol Lici, këtu ku pothuajse çdo ditë, në të njëjtën orë shkonte dhe pinte kafen vëllai i tij, viktima Fatbardh Lici, që është njëkohësisht edhe xhaxhai i Ibrahim Licit.
Pasi kanë parë që viktima ka qenë i ulur jashtë lokalit, automjeti është afruar pranë tij. Këtu nga dera e pasagjerit ka zbritur, dyshohet Astmer Bilali, i cili ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij, duke e lënë atë të vdekur.
Pas ekzekutimit të krimit, hetuesit kanë gjurmuar lëvizjet e dy autorëve. Ata janë parë duke lëvizur me automjetet e tyre dhe më pas kanë djegur automjetin e përdorur gjatë vrasjes, për të fshirë çdo gjurmë. Pas djegies së automjetit, Astmer Bilali ka udhëtuar për në Tiranë me një automjet të markës ‘Volkswagen’ të pronësisë së Denis Brajoviq, ndërsa Safet Bajri ka mbetur në zonën e Dobraçit, ku është parë të bashkëpunonte me Behar Bajri për të mbuluar gjurmët e krimit.
Saga e Hakmarrjes
Prokuroria e Posaçme ka arritur në përfundimin se Fatbardh Lici u ekzekutua nga Astmer Bilali dhe Safet Bajri, ndërsa Behar Bajri Bajroviq është identifikuar organizator i vrasjes.
Sipas hetimeve të kryera nga grupi hetues, vrasja e Fatbardh Licit është inskenuar nga Behar Bajri, i cili kërkonte të hakmerrej ndaj Ibrahim Licit.
“Nga komunikimet e kryera rezulton se shtetasi Boran Berçana ka qenë njohje e personit nën hetim Behar Bajri dhe shtetasit Gjin Boriçi, ku ky i fundit ka deklaruar se e ka pasur vëlla. Personi nën hetim i’a ka atribuar vrasjen e shtetasit Boran Bërçana shtetasit Ibrahim Lici dhe për këte arsye ka filluar të planifikojë dhe të përgatisë një konflikt ndërmjet shtetasit Ibrahim Lici dhe Astmer Bilali. Duke qenë se nga komunikimet e kryera me Ibrahimin rezulton se ky i fundit është vështirë të takohet, ai ka përgatitur vrasjen e familjarëvë të shtetasit Ibrahim Lici, konkretisht, xhaxhain e tij Fatbardh Lici, pasi ky i fundit konsumonte vazhdimisht kafen në orarin e zakonshëm, në lokalin e marrë me qira nga shtetasi Sokol Lici” – argumenton prokuroria.
Bazuar në provat e mbledhura gjatë hetimeve, Prokuroria e Posaçme i është drejtuar Gjykatës së Posaçme me një kërkesë të fortë për caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg” për Behar Brajoviqin, Astmer Bilalin dhe Safet Rustemin.
Kjo kërkesë mbështetet në bindjen e prokurorisë se ekzistojnë prova të mjaftueshme që tregojnë për përfshirjen e tyre në veprat penale idhen me vrasje me paramendim dhe pjesëmarrje në krimin e organizuar.
“Vrasja është planifikuar, përgatitur dhe organizuar nga personat nën hetim, nën drejtimin e Behar Bajrit, për qëllime jo vetëm të hakmarrjes për vrasjen e shtetasit Boran Berçana, por edhe për shkak konflikteve për zotërim të territorit ndërmjet këtyre dy familjeve që veprojnë dhe kanë aktivitete në qytetin e Shkodrës” – thuhet në vendimin e gjykatës.
E bukura që vret
Eria Agos dyshohet se u përfshi në vrasjen e Fatbardh Licit
Lexo më shumë …

Provat dhe akuzat e prokurorisë janë kundërshtuar nga avokati i Safet Bajrit, i cili i ka konsideruar gjetjet e prokurorëve të vjetra dhe klientin e tij të pafajshëm.
Sipas avokatit, tre trupa gjyqësore i kanë vlerësuar provat dhe në përfundim të procesit gjyqësor klienti i tij është shpallur i pafajshëm.
“Provat që janë përdorur për të lëshuar këtë masë sigurimi, ato tashmë janë prova të vjetra dhe janë hetuar nga 2 grupe prokurorësh dhe janë vlerësuar nga 3 trupa gjyqësore dhe nuk kanë arritur të akuzojnë klientin e mbrojtur prej meje Safet Bajrin, as për këtë ngjarje në lidhje me vrasjen dhe as për ngjarje të tjera. Duhet të theksoj edhe një herë se për të ri-çelur një çështje të pushuar duhen prova të reja dhe të marura në harmoni njëra me tjetrën” – tha për “shteg.org” avokati Sokol Tahiraj, i cili insiston në prezumimin e pafajësisë të klientit të tij deri në momentin që e kundërta do të vërtetohet./shteg.org