Spitalet pa ilaçe, qytetarët nuk i blejnë dot, Rama-Beqaj ndajnë milionat e shëndetësisë

Epidemia më e rrezikshme sot në vend, është mungesa e ilaçeve, sidomos për sëmundjet e rënda, çfarë po vë në rrezik jetën e qytetarëve, ndërkohë që 340 milionë euro Edi Rama dhe Ilir Beqaj kanë ndarë me miqtë e tyre, ndërkohë që qindra milionë lekë jepen çdo muaj për Vilmën, e megjithatë, medikamente nuk ka.
Deputetja demokrate, Albana Vokshi përmes një deklarate për shtyp solli në vëmendje dje situatën skandaloze ku ndodhen spitalet sot.
Ajo tha se fondi për shëndetin po vidhet çdo ditë, dhe Ilir Beqaj injoron thirrjet për ndihmë të pacientëve dhe familjarëve të tyre.
Vokshi bëri të ditur se vetëm në Spitalin Onkologjik, edhe pas denoncimeve të pacientëve, vizitës së deputetëve të PD të Komisionit parlamentar të Shëndetësisë, gjendja është katastrofike. “Akseleratori linear nuk është vënë në funksionim ende. Njëra prej aparaturave të kobaltit nuk e ka burimin e energjisë të përshtatshëm e nuk funksionon ashtu siç duhet. Ilaçet mungojnë. Në pjesën më të madhe të rasteve, qytetarët nuk e përballojnë dot faturën e kripur të këtyre medikamenteve të shtrenjta që duhet t’i marrin nëpër farmaci. E në këto raste, jo vetëm shëndeti, por edhe jeta e tyre është në rrezik çdo ditë. Për ta përditësuar kampionin e korrupsionit, po ju sjellim disa dëshmi, të publikuara ditët e fundit në gazetën “Shëndet Plus”” tha Vokshi.
Vokshi solli raste të qytetarëve konkret që vuajnë pasojat e situatës skandaloze në spitale. “ Qerimi nga Kukësi, i papunë ka dy fëmijë hemofilik, një djalë 10 vjeç dhe një vajzë 12 vjeç. Ai thotë se në QSUT nuk ka ilaçe, mungon prej kohësh faktori VIII. Mungesa e mjekimit të pështatshëm shkakton hemoragji dhe jeta e fëmijëve është në rrezik. Xhuljana 18 vjeç nga Pogradeci. Trajtohet tek Onkologjiku. Ajo dëshmon se nuk po e bën dot kurimin sepse në spital nuk ka medikamente. Në Farmaci janë shumë shtrenjtë dhe familja e saj nuk i përballon dot. Dituria, një grua e shtruar tek Hematologjia thotë se i blen vetë ilaçet. Por ai i duhuri, Velkadi, kushton miliona dhe ajo nuk e përballon dot” bëri të ditur Vokshi.
“Ndërkohë, tek Infektivi në QSUT, mungon prej javësh çdo preparat për trajtimin e të sëmurëve me HIV-AIDS.
Tek Trauma mungon çdo gjë. Barnat i blejnë vetë pacientët, analizat duhet të bëhen tek privati, protezat duhet t’i sigurojnë vetë ku më e lira kushton 800 euro.
Akoma më e rëndë është gjendja në spitalet bashkiake dhe rajonale në gjithë Shqipërinë.
Mungesa e ilaçeve është kriza më e madhe që po vuajnë qytetarët, të sëmurët dhe familjarët e tyre.
Por një tjetër shqetësim i madh, është futja e ilaçeve kontrabandë, të pakontrolluar. Tregu farmaceutik është kapur nga, “koordinatori i korrupsionit  Beqaj” .
Për shkak të politikave klienteliste, Glaxo dhe Actavis janë larguar nga Shqipëria. Jo vetëm në çdo spital, por dhe në farmaci mungojnë çdo ditë barna, edhe ato jetike.
Ndryshimet klienteliste të ligjit të barnave në Shqipëri, i hapën rrugë barnave të falsifikuara dhe atyre kontrabandë dhe të skaduara. Cilësia e barnave nuk është e garantuar. Në datën 7 mars në një seancë dëgjimi në Komisionin e Jashtëm, Beqaj u detyrua të pranojë se në treg ka barna të falsifikuara, në përpjekje për të shpëtuar nga ndjekja penale.
Me Konventën Medicrime dhe në ndryshimet në Kodin Penal, lejimi i ilaçeve kontrabandë konsiderohet krim, neni 284-d që parashikon deri në 5 vjet burg.
Partia Demokratike bën përgjegjës për këtë krim Edi ‎Ramën dhe Ilir Beqjen.
Ndaj i bëjmë përsëri thirrje Prokurorisë të përparojë me hetimet për të ndalur këtë krim të tmerrshëm në shëndetësi” tha Vokshi.

Artikulli paraprakKoncesioni i ndriçimit të rrugëve në Tiranë e Durrës përplas LSI me PS
Artikulli tjetërRama bën gati ligjin për kultivimin e marijuanës si kërp