PAMJET/ Cilat janë pronat publike dhe vilat qeveritare që do t’i “falen” privatit për kulla dhe hotele

Qeveria vendosi vitin e shkuar nisjen e një partneriteti të ri me biznesin privat, për të sjellë atë që po e quan rijetëzimi i pronës shtetërore. Bëhet fjalë për ndërtesa të vjetra, zyra dhe truall shtetëror që nëpërmjet marrëveshjeve do të rikonceptohen në projekte të reja, të cilat do të financohen nga privati. Në këtë nismë, shteti synon përfitimin e hapësirave të reja për zyra pa shpenzuar fonde, teksa privati do të marrë pas sipërfaqe ndërtimore, e cila do të hyjë në tregun e pasurive të paluajtshme. Korporata e Investimeve Shqiptare është institucioni kryesor që po zbaton këtë projekt, i cili lidhet me zhvillimin dhe menaxhimin e pronave të paluajtshme. Por çfarë përfiton shteti nga kjo formë e re partneriteti, duke nisur nga godinat e reja të Kadastrës dhe kompleksit governativ, te kullat LIFT dhe Void apo rezidencat qeveritare në Velipojë e Vlorë si dhe stadiumi “Selman Stërmasi” dhe godina e re e Bibliotekës Kombëtare.

Në qershor të vitit 2024, qeveria do të niste për herë të parë procedurat për disa projekte që do të ndërtoheshin potencialisht mbi prona shtetërore, në partneritet me privatin.

Gara që ngriti siparin për këtë fazë të re u njoftua si fillim nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe kishte dy lote, ku në disa faza do të përzgjidheshin projektet më të mira, që më pas do të zhvilloheshin në partneritet me sektorin privat.

Në këtë marrëdhënie, shteti do të përfitojë hapësira të reja për zyra, ndërsa privati, i cili do të financojë projektet, do të marrë sipërfaqe ndërtimore për shitje në disa nga zonat më të mira të kryeqytetit që do të hyjnë menjëherë në tregun e pasurive të paluajtshme.

Në shtator të vitit të shkuar u zgjodhën edhe projektet fituese, të cilat tashmë janë në fazën e kërkimit të investitorëve privatë, me të cilët shteti do të hyjë në marrëdhënie partneriteti.

Në këtë proces, roli më i rëndësishëm i është besuar Korporatës Shqiptare të Investimeve, e cila po publikon shpalljet lidhur me thirrjet dhe që do të ndjekë hap pas hapi edhe marrëveshjet.

Tashmë në tryezë projektet janë shtuar dhe kjo formë partneriteti me privatin është shtrirë edhe në disa prona të tjera shtetërore, ndër të tjera stadiumi “Selman Stërmasi”, Biblioteka e re Kombëtare apo vilat qeveritare në Velipojë dhe Vlorë, si pjesë e nënprojektit “Hospitality”.

Të gjitha këto thirrje janë sot aktive pranë Korporatës Shqiptare të Investimeve në faza të ndryshme.

Kësaj liste, sikurse është deklaruar edhe nga Kryeministri Edi Rama, pritet t’i shtohet edhe Pallati i Kongreseve, një thirrje që ende nuk është hapur, e cila si fillim duhet të kalojë procedurën e kalimit të të drejtave të pronës te Korporata.

Por çfarë parashikojnë këto projekte, çfarë pritet të lëshojë shteti dhe të marrë pas rast pas rasti. “Monitor” rendit më poshtë të gjitha këto projekte dhe detajet e tyre.

Ndërtimi i godinës së Kadastrës dhe LIFT Tower

Korporata Shqiptare e Investimeve çeli si fillim thirrjen për fazën e parë të dy projekteve, ku së pari është nënprojekti “Ndërtimi dhe menaxhimi i godinës së Kadastrës Shqiptare”, nëpërmjet kontratës “Zhvillimi nëpërmjet sipërmarrjes i LIFT Tower”.

PAMJET/ Cilat janë pronat publike dhe vilat qeveritare që do t’i

LIFT Tower që do të zërë vend në një truall shtetëror në afërsi të Inxhinierisë së Ndërtimit

Korporata synon të përzgjedhë partnerin privat, në cilësinë e Sipërmarrësit për zhvillimin e pronës për sipërmarrje, duke realizuar projektidenë arkitekturore të bashkimit të subjekteve Baukuh Studio Associato & Muoto & Sam Chermayeff Office & Yellow Office & Bollinger Grohmann & Atmoslab & Simoj Boudvin & Arkimade.

Për të mundësuar zhvillimin e godinës së Kadastrës Shqiptare (kushti publik i transferimit të pronës) dhe në mënyrë që institucionet publike të përfitojnë pa kosto 34,000 m² ndërtim me parametra modernë dhe cilësorë, për këtë rast vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronave për zhvillim me sipërmarrjen të godinës LIFT Tower, prona e saj te rruga “Muhamet Gjollesha”, pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, rreth 2357 m².

Kjo do të thotë se ndërtimi i Godinës së Kadastrës do të bëhet nga rakordimi me pjesën takuese të shtetit në godinën LIFT Tower.

PAMJET/ Cilat janë pronat publike dhe vilat qeveritare që do t’i

Zyrat e reja të Kadastrës Shtetërore që do të ndërtohen tek ish-Hipoteka e vjetër

“Në vijim, partneri privat mbulon koston totale të projektit të detajuar arkitektonik, koston totale të lejes së ndërtimit dhe ndërtimin e të gjithë godinës LIFT Tower, në pronën për sipërmarrje, pavarësisht përqindjes së tij në këtë godinë, si dhe mbulon koston totale të projektimit, lejes së ndërtimit dhe ndërtimit total të godinës së Kadastrës Shqiptare, në pronën për zhvillim publik.

Shpenzimet e lidhura me ndërtimin e godinës së Kadastrës Shqiptare mbulohen nga vlera përkatëse e pjesës së shtetit në LIFT Tower.

Partneri privat gjithashtu mbulon çdo shpenzim që buron nga plotësimi i angazhimeve të marra në fazën e kualifikimit, pavarësisht citimit të tyre në këtë përshkrim”, – thuhet në dokumentet e Korporatës.

Ky projekt, edhe pse arriti të kalonte fazën e parë ku dy kompani aplikuan për të qenë pjesë e garës, në fazën e dytë nuk paraqitën asnjë ofertë ekonomike.

Për rrjedhojë, Korporata në datën 3 mars njoftoi anulimin e procedurës së parë. Në datë 4 mars e njëjta procedurë u çel përsëri duke nisur nga e para dhe duke lënë 17 prillin si afatin e fundit që kompanitë e interesuara të aplikonin.

Ndërtimi i kompleksit Governativ dhe VOID Tower

Nënprojekti i dytë për të hyrë në partneritet me Korporatën e Investimeve Shqiptare është ai për “Ndërtimin dhe menaxhimin e Kompleksit Governativ” me objekt kontrate “Zhvillimi nëpërmjet sipërmarrjes i VOID Tower”.

PAMJET/ Cilat janë pronat publike dhe vilat qeveritare që do t’i

Void Tower që do të ndërtohet në Bulevardin Zhan d’Ark në partneritet me kompani private

Korporata nëpërmjet kësaj procedure konkurruese publike njoftoi se synonte të përzgjedhte partnerin privat, në cilësinë e Sipërmarrësit për zhvillimin e pronës për sipërmarrje, duke realizuar projektidenë arkitekturore të bashkimit të subjekteve Andrea Kaputo & Focus Architecture & OpenFabric & James Beckett.

Ky projekt parashikon ndërtimin e kompleksit guvernativ në zonën urbane pranë stadiumit “Selman Stërmasi” në një truall rreth 11,892 m² dhe VOID Tower në zonën urbane në bulevardin “Zhan d’Ark”.

Në këtë kontekst, privati do të zhvillojë ndërtimin tek Aviacioni Civil dhe Parku i Delegacioneve, me pjesën takuese që shteti duhet të marrë tek kulla VOID që do të ndërtohet në Bulevardin Zhan d’Ark.

Ky projekt ka avancuar duke pasur tashmë një kompani fituese. Në fazën e dytë, garuan Progeen sh.p.k. dhe A.i.b.a Kompani sh.a. Sipas vlerësimit, fituese u shpall Aiba me 46.1% të sipërfaqes, duke lënë pas Progeen me 45% të sipërfaqes takuese.

Stadiumi i ri “Selman Stërmasi”

Në dhjetor të vitit të shkuar, stadiumi “Selman Stermasi” i kaloi Korporatës së Investimeve Shqiptare me një vendim të veçantë të qeverisë, çka e autorizonte këtë të fundit të zhvillojë këtë pronë në partneritet me privatin për një stadium të ri.

Gjatë një aktiviteti të mbajtur me këtë rast, përfaqësues të institucioneve deklaruan se stadiumi i ri “Selman Stërmasi” do të jetë i kategorisë 4 të UEFA, me një numër vendesh 14 mijë deri në 16 mijë.

Në total, sipas institucioneve, territori për shfrytëzim është 60 mijë metër katrorë.

“Pjesë e këtij janë prona publike, çka përbëjnë 50 mijë metra katrorë. Programi që ne synojmë të vendosim nëpërmjet ideve që do vijnë në konkurrim është në masën 120 mijë metra katrorë” do të deklaronte Adelina Greca, Drejtore e Agjencisë së Planifikimit të Territorit, duke theksuar se në fazën e parë do të jenë 5 skuadra që do të përzgjidhen, që do të marrin dhe çmime për projektidetë e tyre.

Në fazën tjetër, tri prej skuadrave do të garojnë për të dalë me një fitues, duke pasur parasysh ofertën më të përshtatshme ekonomike. Ky projekt është aktualisht në fazën e dytë.

Partneriteti me privatët, shteti “lëshon” tokën për një Bibliotekë të re

PAMJET/ Cilat janë pronat publike dhe vilat qeveritare që do t’i

Pas transferimit të disa pronave te Korporata e Investimeve Shqiptare nga ana e Këshillit të Ministrave, ky i fundit shpalli në janar thirrjen për zhvillimin me privatët të një tjetër projekti, siç ishte ai për Godinën e re të Bibliotekës Kombëtare.

Kjo e fundit do të zërë vend në disa prona në rrugën “Gramoz Pashko” në afërsi të Qytetit Studenti, me një sipërfaqe trualli prej 27 mijë m2.

Thirrja e shpallur së fundmi kërkon që privatët e interesuar për të zhvilluar në partneritet këto prona shtetërore të dorëzojnë projekte potenciale që do të kalojnë në disa faza.

Pronat e vënë në dispozicion janë në një zonë të Tiranës e njohur si ish-Vilat Gjermane, ndërkohë që vendimi që transferonte tek Korporata këto prona parashikon disa nënprojekte të tilla si “Copëzat”, “Hospitality” dhe “Godina e re e Bibliotekës Kombëtare”. Në rastin në fjalë kemi të bëjmë me çeljen e thirrjes për nënprojektin e Bibliotekës Kombëtare.

“Ky projekt investimi synon konceptimin dhe projektimin e një zhvillimi shumëfunksional në zonën e ish-‘Vilave gjermane’, një lokacion i rëndësishëm në kryeqytet, i njohur për urbanizimin dinamik dhe afërsinë me një numër destinacionesh dhe nyjesh kryesore në zonën urbane përreth tij, duke e kthyer në një qendër shumëfunksionale për të rritur efikasitetin funksional dhe për të kontribuuar në vlerë të shtuar në jetën sociale dhe në ekonominë të qytetit të Tiranës.

Projekti i investimit realizohet nëpërmjet një modeli partneriteti, ku Korporata ka rolin e zhvilluesit të pronave shtetërore në pronësi të saj dhe ndërmjetësuesit midis institucionit publik, që ka interes të zhvillojë pronën e tij dhe të përfitojë një bibliotekë bashkëkohore dhe partnerit privat, që posedon burimet financiare, njerëzore dhe ekzekutive dhe ka interes në realizimin e projektit të investimit”, – thuhet në shpalljen e Korporatës që lë ai afat të fundit për shprehje interesi datën 10 shkurt 2025.

Sipas njoftimit, faza e kualifikimit (Faza I) konsiston në paraqitjen e një aplikimi nga subjektet e interesuara, aplikim i cili përmban projektidenë paraprake arkitekturore të projektit të zhvillimit shumëfunksional në rrugën “Gramoz Pashko”, Tiranë (ish-“Vilat gjermane”) dhe dokumentacionin që vërteton plotësimin e kushteve dhe kritereve të kualifikimit të aplikantëve.

Faza e përzgjedhjes (Faza II) konsiston në paraqitjen e një propozimi, i cili përmban dy zarfe të ndarë:

(a) zarfi i parë përmban projektidenë arkitekturore të zhvillimit multifunksional në rrugën “Gramoz Pashko”, Tiranë (ish-“Vilat gjermane”) dhe

(b) zarfi i dytë përmban ofertën financiare, siç detajohet në Ftesën për Propozim. Afati për dorëzimin e aplikimeve ishte data 11 mars 2025.

Kompanitë që kaluan fazën e parë për kullat dhe stadiumin

Nga data 24 shkurt, kompanitë që kanë kaluar fazën e parë të kualifikimit për projektet VOID Tower dhe LIFT Tower hyjnë zyrtarisht në të dytën. Për projektin e stadiumit “Selman Stërmasi”, i cili do të zhvillohet sipas së njëjtës ideje me privatin, deri më tani janë njoftuar vetëm fituesit e fazës së parë dhe data për fazën e dytë mbetet ende për t’u përcaktuar.

Por cilat janë në fakt kompanitë që kanë kaluar fazën e parë për secilin prej projekteve?

VOID Tower dhe Kompleksi Governativ

Për nënprojektin ndërtimi dhe menaxhimi i kompleksit governativ me objekt kontrate “Zhvillimi nëpërmjet sipërmarrjes i VOID Tower” nga Korporata Shqiptare e Investimeve pas fazës së parë të konkurrimit janë kualifikuar katër kompani.

2.Shoqëria “PROGEEN” sh.p.k.

3.Shoqëria “DK Construction ONE Corp”

4.Shoqëria “A.I.B.A Kompani” sh.a.

LIFT Tower dhe Godina e re e Kadastrës

Për nënprojektin, ndërtimi dhe menaxhimi i godinës së Kadastrës Shqiptare me titull kontrate “Zhvillimi nëpërmjet LIFT Tower”, Korporata njoftoi më herët se ishin të paktën dy kompani që morën pjesë në fazën e parë, që pas vlerësimit kaluan në fazën e dytë.

Gjatë kësaj të fundit, asnjëra prej tyre nuk bëri një ofertë ekonomike duke sjellë për pasojë anulimin e procedurës dhe gjithçka të nisë nga e para me afatin 17 prill për të gjithë kompanitë që duan të aplikojnë për të hyrë në partneritet me shtetin për këtë projekt.

1.Shoqëria “EDIL AL IT” sh.p.k.

2.Shoqëria “DK Construction ONE Corp”

Projekti i stadiumit “Selman Stërmasi”

Projekti për rijetëzimin e stadiumit “Selman Stërmasi” u njoftua në fund të vitit të shkuar duke ftuar partnerët privatë të shprehnin interes nëpërmjet projektideve paraprake. Në fazën e parë u paraqitën 10 projektide, por për fazën e dytë u kualifikuan vetëm pesë prej tyre.

1.Foster & Partners + Artech Studio sh.p.k + BOLV Oil

2.OMA + Diagonal Projektim & Zbatim sh.p.k. + Albanian Investment Construction sh.p.k

3.Office Kersten Geers David Van Severen + l’AUC + Baukuh + Arquitectura-G + Yellow Office + Ne Arkitektët + Matilde Cassani + Bollinger & Grohmann + ALES Construction

4.Far Frohn & Royas + Progeen sh.p.k

5.ZAHA HADID Architects + AGIKONS

Vilat qeveritare në Vlorë do të kthehen në hotele luksoze

Projekti “Zhvillimi dhe menaxhimi i pronave shtetërore” ka një tjetër nënprojekt të pagëzuar si “Hospitality” dhe që synon të rikonceptojë rezidencat qeveritare të Vlorës në struktura akomodimi elitar.

Aktualisht Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit do të jetë institucioni që do të udhëheqë konkursin e projektimit.

Pas kësaj faze ku do të zgjidhet projekti fitues, do të kalojë me zbatimin e tij në partneritet me sektorin privat, në një proces që sërish do të udhëhiqet nga Korporata e Investimeve Shqiptare.

“Ky projekt ka si synim të transformojë këto rezidenca nga struktura të amortizuara dhe të pashfrytëzuara në qendra bashkëkohore të turizmit elitar dhe zhvillimit ekonomik.

PAMJET/ Cilat janë pronat publike dhe vilat qeveritare që do t’i

Foto e pozicionimit të Vilës qeveritare në Velipojë dhe hapësirës që do të zhvillohet

Duke ruajtur vlerat historike të përdorimit të këtyre pronave, rikonceptimi do të sjellë një harmoni mes së shkuarës dhe së ardhmes, duke i dhënë rëndësi jo vetëm inovacionit, por edhe ruajtjes së identitetit të tyre.

Rezidencat qeveritare do të përfshijnë standardet më të larta të mikpritjes bashkëkohore, të mbështetura nga teknologjitë më të avancuara dhe dizajni bashkëkohor.

Transformimi i tyre synon të krijojë një përvojë unike për turistët, investitorët dhe personalitetet VIP, duke i kthyer ato në modele të qëndrueshmërisë ekonomike dhe mjedisore”, – nënvizohet në dokumentet e thirrjes.

Rezidencat qeveritare në Vlorë ndodhen tek zona që njihet si Uji i Ftohtë, rreth 6 kilometra nga qendra e qytetit. Lidhur me rikonceptimin e tyre janë të paktën tre ndërtesa që janë pjesë e konkursit.

E para, rezidenca Qeveritare “Vila nr. 2” ku sipërfaqja ndërtesës 1126 m². Rezidenca Qeveritare “Vila nr.6” ku sipërfaqja ndërtesës është 332.48 m² dhe e treta rezidenca Qeveritare “Vila nr.9” me sipërfaqe të ndërtesës 186 m².

Në total, sipërfaqja e konkursit: 1,644.7 m². Por cili do të jetë roli i partnerit privat në këtë rast. Sipas dokumenteve, partneri privat në këtë model të bashkëpunimit me Korporatën dhe institucionet publike luan një rol thelbësor në transformimin dhe zhvillimin e pronave dhe godinave shtetërore, me qëllim përshtatjen e tyre në struktura akomoduese hotel ose butik hotel, të cilat mundet t’u bashkohen strukturave që menaxhohen ose janë në proces ndërtimi/projektimi për t’u operuar e menaxhuar si struktura akomoduese me 5 yje të certifikuara/kualifikuara si të tilla nga Ministria përgjegjëse për turizmin apo subjekti me “brand name” ndërkombëtar.

“Ky partner zgjidhet për t’u përfshirë në këtë model për burimet financiare të tij apo partnerëve të tij dhe për kapacitetet e tij të provuara organizative dhe ekzekutive në realizimin e projekteve me natyrë ngritje dhe operim të strukturave akomoduese hoteleri, butik hotel të një niveli të tillë, të cilat mund të përdoren nga personalitete apo figura të ftuara nga institucionet e përfshira në protokollin e shtetit”, – thuhet në dokument.

Afati për dorëzimin e aplikimeve është data 17 mars 2025.

Rikonceptohet edhe vila qeveritare në Velipojë, hotel markë ndërkombëtare

Vila qeveritare në Velipojë pritet të jetë gjithashtu pjesë e një marrëveshjeje partneriteti me sektorin privat për ta rikonceptuar atë në një strukturë elitare, por si fillim faza ku ndodhet ky proces është ajo e garës për të zgjedhur projektin më të përshtatshëm.

Korporata e Investimeve Shqiptare njoftoi se kjo pasuri, pjesë e projektit të përgjithshëm “Zhvillimi dhe menaxhimi i pronave shtetërore”, përmes nënprojektit “Hospitality”, është nxjerrë për interes dhe afati i fundit për aplikim është data 28 shkurt.

“Ky konkurs synon të gjenerojë ide dhe propozime inovative për transformimin e rezidencës qeveritare në Velipojë në struktura të akomodimit elitar, duke krijuar destinacione moderne dhe të qëndrueshme që përmbushin standardet më të larta ndërkombëtare të luksit.

PAMJET/ Cilat janë pronat publike dhe vilat qeveritare që do t’i

Foto e pozicionimit të Vilës qeveritare në Velipojë dhe hapësirës që do të zhvillohet

Projekti do të luajë një rol të rëndësishëm në rigjallërimin ekonomik dhe turistik të këtyre zonave, duke i kthyer këto prona të nënshfrytëzuara në qendra tërheqëse që reflektojnë harmoninë mes inovacionit dhe peizazhit unik natyror.

Me këtë nismë, promovuesit synojnë të krijojnë një precedent për zhvillimin e qëndrueshëm dhe efikas të pronave shtetërore, duke kombinuar arkitekturën bashkëkohore dhe teknologjitë më të avancuara me një vizion të integruar për luksin, mikpritjen dhe qëndrueshmërinë”, – thuhet në dokumentet e Korporatës.

Referuar të dhënave që janë bërë publike, kjo pasuri është në total 8100 metra² ku përfshihet edhe ndërtesa.

Të dhënat e pasurisë janë: Rezidenca Qeveritare “Vila Velipojë”, Shkodër, Zona Kadastrale nr. 3072, lloji i pasurisë “Ndërtesë + Truall”, numër pasurie: 5, Sipërfaqja e gjurmës së ndërtesës 1200 m² + Sipërfaqja e truallit 8100 m².

“Institucioni përfiton hapësira të reja që janë më funksionale, në kushtet e një hoteli butik e një standardi me 5 yje, ku personalitetet e larta shtetërore do të vazhdojnë të përfitojnë nga shërbimet që këto godina qeveritare do të ofrojnë, kushteve të përcaktuara në marrëveshjen mes Korporatës dhe DSHQ”, – thuhet në dokument.

Partneri privat, edhe në këtë rast, do të përfshihet në këtë model për burimet financiare të tij apo partnerëve të tij dhe për kapacitetet e provuara organizative dhe ekzekutive në realizimin e projekteve me natyrë ngritje dhe operim të strukturave akomoduese hoteleri, butik hotel të një niveli të tillë, të cilat mund të përdoren nga personalitete apo figura të ftuara nga institucionet e përfshira në protokollin e shtetit.

Afati për dorëzimin e aplikimeve është data 17 mars 2025.

Artikulli paraprakStudentët nisin të mblidhen, ja kur do të shkojnë drejt Parlamentit! Numër i madh i forcave policore në qendër të Beogradit
Artikulli tjetër“TikTok”, Misiraj: Ka makinacione sërish për përdorim, mbyllja nuk është zgjidhje