Kur shteti dhe kombi shqiptar luftonte në tre fronte

Nga dr. Hasan Bello

Në pranverë-verë 1920 kur e gjith vëmendja dhe energjitë e shtetit shqiptar ishin përqendruar në dëbimin e italianëve nga Vlora, erdhi lajmi se në kufirin shqiptaro-jugosllav kishte ndodhur një masakër.

Një kolonë shqiptarësh që po tërhiqej nga Hoti dhe Gruda për t’i shpëtuar represionit serbo-malazez, ishte sulmuar papritur. Viktimë kishin mbetur 80 shqiptarë, ndërsa pjesa tjetër që kaloi kufirin në drejtim të Kastratit së bashku me dy reparte te xhandarmërisë, në shenjë hakmarrje kishte sulmuar forcat jugosllave.

Më 26 korrik 1920, qeveria e Sulejman Delvinës kërkoi nga nënprefektura e Malësisë së Madhe që të tregohej e kujdesshme që forcat shqiptare mos ta kalonin vijën kufitare. Kjo, sepse shteti shqiptar nuk mund të përballonte përplasjen me italianët në Vlorë; intervencionin e ushtrisë jugosllave në kufirin veri-lindorë (në Dibër), ku ato kishin shkelur në brendësi të territorit shqiptar në të ashtuquajtur vijë strategjike ose të demarkacionit; përballjen me Fuqitë e Mëdha në arenën diplomatike (në Konferencën e Paqes në Paris) dhe tani edhe në kufirin veriorë.

Në Tiranë lindën dyshime se ky ishte një konflikt i stisur: 1) ose nga italianët që kërkonin hapjen e një fronti të dytë, për të tërhequr vëmendjen nga Vlora; 2) ose nga agjentura jugosllave, e cila rrinte në gadishmëri për të ndryshuar qëndrim sipas vendimeve të Konferencës së Paqes lidhur me të ardhmen e shtetit shqiptar.

Megjithatë situata precipitoi dhe nga korriku 1920 deri në shkurt 1921 u zhvillua ajo që quhet Lufta e Koplikut, kundër intervencionit jugosllav.

Në pazarin e Shkodrës u dha kushtrimi. Çirakë, mjeshtra dhe zanatçinj u grumbulluan në fushën e Shtojit për t’u nisur drejt frontit. Ndërsa nga Tirana erdhi personalisht ministri i Brendshëm A.Zogu, i cili mbajti një fjalim motivues për vullnetarët dhe forcat ushtarake.

Një shtab me Taip Shkodrën dhe oficerë të tjerë të njohur morën drejtimin e luftës. Ndërkoh që shteti shqiptar filloi bisedime me konsullin jugosllav për ta mbyllur konfliktin në rrugë diplomatike. Për këtë, ai dërgoi në Cetinë edhe dy ministra, Sotir Pecin dhe Bajram Fevziun, të cilët më 4 gusht 1920 u takuan me komandantin e ushtrisë jugosllave. Por këto bisedime nuk rezultuan të frytshme. Më 14 gusht, Tirana zyrtare i drejtoi një notë kancelarive europiane, ku kërkonte ndërhyrjen e tyre, për t’i bërë presion qeverisë jugosllave.

Për të nxitur diversion në prapavijë të armikut, një mision zbulues u dërgua në Prizren me qëllim: a) për të shkaktuar incidente që të tërhiqte vëmendjen e ushtrisë jugosllave dhe b) për të hyrë në kontakt me parinë shqiptare.

Solidariteti në mesin e shqiptarëve ishte i jashtzakonshëm. Forca vullnetare arritën në Shkodër nga disa qytete të Shqipërisë së Mesme. Gratë shkodrane kërkuan transportimin e tyre në prapavijë, për të ndihmuar luftëtarët dhe të plagosurit, duke mbajtur në krahë inicialet “G.Sh” (Gruaja Shqiptare). Ndërsa forcat shqiptare për herë të parë u detyruan të aplikonin pengmarrjen civile, të disa personave të dyshuar nga pakica malazeze në Vrakë.

Lufta e Koplikut ishte një luftë frontale, por që u mbyll në rrugë diplomatike. Rëndësia e saj qëndron në frymën e lartë që u tregua për mbrojtjen e atdheut, dhe mbi të gjitha si një tregues historik për ekzistencën dhe përballimin e tre fronteve përnjëherësh (Vlorë, Koplik, Dibër). Kjo në sajë të patriotizmit, pa të cilin nuk ndërtohet e mbrohet shteti dhe që sot, fatkeqësisht, konsiderohet si demode.

Artikulli paraprakJoan Pelushi, Kryepeshkopi i ri i Kishës Ortodokse Shqiptare
Artikulli tjetërKryeministri britanik: Herët apo vonë, Rusisë do t’i duhet të angazhohet në bisedimet për armëpushimin