Një raport i organizatës mjedisore Eco Albania ngre shqetësimin për lumin Vjosa dhe degët e tij, Bënça, Drino dhe Shushica.
Raporti identifikon dhe analizon presionet kryesore që rrezikojnë Vjosën, ku veçohet aktiviteti industrial dhe ekonomik i kompanive që ndodhen në territorin e Parkut Kombëtar.
Gjetjet janë një këmbanë alarmi për mbrojtjen e integritetit ekologjik të lumit të fundit me rrjedhë të lirë në Evropë.
“Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me institucionet dhe aktorët lokalë për të siguruar zbatimin efektiv të masave të propozuara në Planin e Menaxhimit të Parkut dhe për të garantuar që Vjosa të mbetet e mbrojtur për brezat e ardhshëm”, thotë Olsi Nika nga Eco Albania.
Sipas raportit rreziqet vijnë nga aktiviteti urban, gërmimet, vaditja dhe turizmi, por thekson si më shqetësuese tri kategori kryesore që janë: Marrja dhe nxjerrja e ujit, marrja e zhavorrit nga lumi dhe industria nxjerrëse dhe përpunuese.
“Aktivitetet industriale përfshijnë nxjerrjen e naftës, bitumit, gurit gëlqeror dhe mineraleve të tjera. Zona më e prekur është Selenica, me 13 miniera aktive dhe mbi 150 puse nafte që ndikojnë në cilësinë e ujit dhe tokave përreth”, nënvizon raporti.
Zona e studimit përfshin disa bashki si Fieri, Vlora, Mallakastra, Selenica, Himara, Memaliaj, Tepelena, Këlcyra, Përmeti, Gjirokastra, Libohova dhe Dropulli. Secila ka karakteristika të veçanta që ndikojnë në menaxhimin e burimeve ujore dhe biodiversitetit.
Nisur nga kjo analizë ekspertët e mjedisit dhe EcoAlbania kërkojnë që të merren masa duke sugjeruar menaxhimin e shfrytëzimit të ujërave, rregullimin e marrjes së zhavorrit, dhe kufizimin e aktiviteteve industriale.
Banorët, aktivistët e mejdisit dhe organizatat mjedisore kanë bërë një betejë të gjatë për mbrojtjen e Vjosës dhe shpalljen e saj Park Kombëtar.
Dy vite më parë, më 13 mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e saj me rrjedhe të lirë Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi u shpallën Park Kombëtar duke përbëre edhe parkun e parë të një lumi të egër në Evropë.
Por prej kohësh parkut i shfaqen rreziqe të ndryshme. Përpos aktivitetit të kompanive, një nga deget e Vjosës, Shushica është e rrezikuar nga ndërtimi i hidrocentraleve dhe i ujësjellësit të Himarës, që rrezikon ta thajë lumin./citizens.al