Ndonëse qarkullimi në tunelin e Murrizit, që ishte vepra e fundit e papërfunduar në Rrugën e Arbrit u hap më 14 mars, sistemi i pastrimit të ajrit në brendësi të tunelit ende nuk është vënë në funksion.
Qarkullimi në Tunelin e Murrizit u hap për të gjitha llojet e automjeteve dhe tashmë të gjithë qytetarët që lëvizin nga Tirana në drejtim të Qarkut Dibër dhe në drejtim të Maqedonisë së Veriut apo anasjellas, përdorin tunelin për të shmangur bypassin e Murrizit.
E teksa kalojnë me qindra automjete në ditë, në tunelin e gjatë prej 3.8 kilometrash mungon vetilimi, ndonëse aty emetohen gazra të dëmshëm. Të indinjuar, drejtuesit e mjeteve kërkojnë vënien në funksion të ventilatorëve, pasi shëndeti i tyre po vihet në rrezik.
Punimet për ndërtimin e Rrugës së Arbrit, me një gjatësi prej 69 kilometrash, e përbërë nga 6 tunele dhe 4 ura nisën në vitin 2011, ndërsa kostoja totale e koncesionit përllogaritet në 40.3 miliardë lekë.