Barcelona është skuadra e katërt gjysmëfinaliste e Kupës së Mbretit. Katalanasit e Luis Enrikes kanë fituar pa shumë mund ndaj Real Sociedadit, të cilin e kishin mposhtur edhe në sfidën e parë, për të plotësuar katërshen e ekipeve që do të luftojnë për trofeun.
Nëse në ndeshjen e parë, Barcelona fitoi vetëm 1-0 në transfertë, në “Kamp Nou” gjithçka ka qenë shumë më e thjeshtë, edhe pse u desh të pritej pjesa e dytë për të parë dominimin e plotë të katalanasve. 45 minutat e para u mbyllën vetëm me shifrat 1-0 për Barçën, falë golit të Denis Suarez në minutën e 17-të të ndeshjes.
Më pas, shumë dominim në mbajtje topi dhe në raste, por asnjë gol, deri në minutën e 55-të, kur Mesi dyfishoi shifrat nga pika e bardhë pas një penalltie të fituar nga Nejmar. Huanmi dhe Uillian u përpoqën më kot të rihapnin ndeshjen, por golat e Luis Suarez, Turan dhe përsëri Denis Suarez, vulosën rezultatin e thellë 5-2 për Barcelonën.
Barcelona-Real Sociedad 5-2 17’, 82’ D. Suarez, 55’ (p) Mesi, 64’ L. Suarez, 80’ Turan / 62’ Huanmi, 73’ Uillian.
Tashmë mbetet të mësohet se cilën skuadër do të ndeshin katalanasit në gjysmëfinale mes Deportivo Alavesh, Atletiko Madrid dhe Selta Vigo, të cilët janë rivalët e mbetur në garë.