Milorad Dodik shkon në Izrael pavarësisht urdhërarrestit! Nisin hetimet për kalimin e kufirit nga presidenti i Republikës Srpska

Millorad Dodik, presidenti i entitetit të Republikës Sërpska (RS), ndodhet në Izrael ku më 26 dhe 27 mars do të marrë pjesë në një konferencë mbi antisemitizmin në Jerusalem, ndërkohë që ndaj tij është lëshuar një fletarrestim në Bosnje dhe Hercegovinë.

 

Dodik ka arritur në Izrael të martën me një avion të Qeverisë së RS-së, që ishte nisur nga Beogradi i Serbisë.

Një ditë më parë, në rrethana ende të paqarta, ai kishte kaluar kufirin mes Bosnjës dhe Serbisë për të shkuar në Batajnicë, afër Beogradit, ku mori pjesë në ngjarje të organizuara për përvjetorin e bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe.

Policia Kufitare e Bosnjë dhe Hercegovinës ka bërë të ditur se po zhvillon një hetim lidhur me kalimin e kufirit nga ana e Dodikut.

Presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit të Republikës Sërpska, Milorad Dodik, Radovan Vishkoviq dhe Nenad Stevandiq, janë të dyshuar për sulm ndaj rendit kushtetues, dhe ndaj tyre është lëshuar një fletarrestim qendror, siç është konfirmuar për Radion Evropa e Lirë më 17 mars.

Nëse ndaj një personi lëshohet një fletarrestim qendror, secila prej 16 agjencive policore në Bosnje dhe Hercegovinë është e detyruar ta arrestojë atë. Praktikisht, të gjitha agjencitë policore në vend kanë në kompetencat e tyre parandalimin e kryerjes së veprave penale, zbulimin e autorëve, ndriçimin e veprave dhe bashkëpunimin me prokuroritë përkatëse.

Ndryshe, Dodik është përmendur si një nga folësit në konferencën në Jerusalem, që organizohet nga Ministria e Diasporës e Izraelit.

Përveç Dodikut, folës në konferencë janë edhe figura të ekstremit të djathtë francez, presidenti i Argjentinës, Javier Milei, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidenti Isaac Herzog.

Komisionari gjerman për çështjet hebraike, Felix Klein, e ka anuluar pjesëmarrjen në konferencë, gjë që është konfirmuar më herët për REL-in.

“Kur zoti Felix Klein e pranoi ftesën disa muaj më parë, ai nuk ishte në dijeni se kush do të merrte pjesë në konferencë”, tha zyra e tij.

Eli Tauber, themelues i Shoqatës “Hagada”, historian dhe anëtar i komunitetit hebre në Bosnje, mendon se Dodiku nuk do të duhej të merrte pjesë në një konferencë të tillë.

Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se ata që e kanë ftuar Dodikun, do të duhej ta dinin se kush është ai dhe me çfarë merret.

“Nëse e kanë anashkaluar këtë qëllimisht apo rastësisht, nuk hyj në këtë, por atëherë faji është krejtësisht i tyre”, vlerëson ai.

Gjithashtu, ai mendon se qëllimi i Dodikut është të paraqesë situatën në Bosnje ashtu siç dëshiron ai, përfshirë edhe qëndrimet e zyrtarëve më të lartë të RS-së, të cilët pretendojnë se në Bosnje, konkretisht në Federatën e Bosnje e Hercegovinës, ekziston një politikë që mbështet Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian./rel

Artikulli paraprakDy golat e bëjnë protagonist, UEFA vendos Manajn si rival me kapitenin e Arsenalit për lojtarin më të mirë në kualifikueset e Botërorit
Artikulli tjetërShefi i NATO-s paralajmëron Putinin: Çdo sulm rus ndaj vendeve anëtare të aleancës, do të përballet me reagimin tonë shkatërrues!