Dosja “McGonigal” duket se vijon të përndjekë Edi Ramën. ish-agjenti i FBI ndodhet sot në qeli për disa akuza, ndërkohë ka ende shumë mistere dhe sekret se çfarë ndodhi realisht me të. Mirëpo gjithçka mund të zbardhet.
Sipas “Fox News”, presidenti Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv të martën, duke udhëzuar FBI-në që të hapë menjëherë dosjet që lidhen me hetimin “Crossfire Hurricane”, hetimi që nisi në vitin 2016 për të shqyrtuar nëse anëtarët e fushatës së Trump-it kishin bashkëpunuar me Rusinë gjatë garës presidenciale.
Pasi nënshkroi urdhrin, Trump tha se tani media mund të shqyrtojë dosjet që më parë ishin mbajtur të fshehura, edhe pse ai shprehu skepticizëm nëse gazetarët do të merrnin mundimin ta bënin këtë.
“Ju ndoshta nuk do të shqetësoheni sepse nuk do t’ju pëlqejë ajo që do të shihni. Por ky ishte një politizim i plotë. Është një turp. Nuk duhet të kishte ndodhur kurrë në këtë vend. Por tani do të mund ta shihni vetë. Gjithçka është hapur”, tha Trump.
FBI-ja hapi një hetim të kundërzbulimit me 31 korrik 2016 për të përcaktuar nëse Trump, atëherë kandidat presidencial, ose anëtarët e fushatës së tij po bashkëpunonin ose koordinonin me Rusinë për të ndikuar në zgjedhjet e 2016-ës. Brenda byrosë, ky hetim njihej me emrin “Crossfire Hurricane”.
McGonigal, ndërsa shërbente si shef i seksionit të krimeve kibernetike në selinë e FBI-së në Uashington, DC, ishte ndër zyrtarët e parë të FBI-së që u informuan për akuzat se George Papadopoulos, një këshilltar i fushatës së Trumpit në vitin 2016, mburrej se ai e dinte se rusët kishin papastërti politike ndaj kandidates demokrate Hillary Clinton.
Ky informacion çoi FBI-në në hapjen e “Crossfire Hurricane”, ku do të faktohej nëse zyrtarët e Trump ishin koordinuar “me dashje apo pa dashje” me përpjekjet e Rusisë për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës.
Në shtator 2020 , Zëvendës Ndihmës Drejtori i FBI-së Jonathan Moffa tha, gjatë marrjes në pyetje të Komisionit Gjyqësor të Senatit, se ai mori një e-mail në korrik 2016 nga McGonigal në lidhje me Papadopoulos që “përmbante në thelb atë raportim, i cili më pas shërbeu si bazë për hapjen e çështjes”.
Më pas doli që McGonigal ishte korruptuar nga rusët dhe kjo e çoi pas hekurave. Tani duhet të presim nëse do të dalë dhe dosja shqiptare, pasi mund të dalin detaje të reja për lidhjet e tij me kryeministrin shqiptar.