Zhoao Mario është lojtari i momentit tek Interi, pasi në katër takimet e fundit ka dhënë kontributin e vet, duke shënuar një gol e dhuruar tri asiste. Mbase për këtë arsye i është dhënë privilegji që të jetë i ftuari i radhës në emisionin “Caffé doppio” të “Inter Channel”-it.
Gjatë bashkëbisedimit me prezantuesin, portugezi tregoi gjithçka rreth jetës së tij private dhe pranoi se bënte “propagandë” për Interin tek as më shumë e as më pak… Kristiano Ronaldo.
– Të pëlqen kafeja?
Po, shumë. Pi rreth tri deri në katër herë në ditë. Sapo zgjohem, pas drekës dhe pasdite.
– A e di sa shumë të duan tifozët?
Tifozët e Interit kanë pëlqyer mënyrën si luaj unë futboll, pasi si person nuk më njohin shumë. Më bëhet qejfi që kam krijuar opinion pozitiv mes tyre dhe dua të shtoj se ne futbollistët nuk duhet të jemi vetëm lojtarë të mirë, por edhe njerëz të mirë.
– Luis Figo është njëri prej portugezëve që ka veshur ngjyrat zikaltër. Kush të ka frymëzuar të bëheshe pjesë e këtij sporti?
Asnjë futbollist portugez nuk më ka frymëzuar, prandaj them se më ka motivuar shumë që të merrja këtë rrugë Zidani. Ka qenë lojtari i parë që më ka bërë përshtypje teksa e shikoja në aksion.
– Cili prej kampionateve europiane ndiqet më shumë në Portugali?
Në vendlindjen time ndjekin Serinë A, Premier Ligën dhe La Ligën, pa harruar edhe Bundesligën.
– Ti je një lojtar atipik, pasi je i fortë si fizikisht dhe teknikisht…
Mendoj se këto cilësi që kam do të më ndihmojnë në Itali. Seria A është një kampionat shumë fizik dhe të duhet gjithmonë shumë në këtë aspekt që të mbijetosh. Unë jam prej atyre që u pëlqen kontakti në duele. Duke qenë se shembujt e mia janë Zidan dhe Rui Kosta, atëherë kam provuar të jem edhe elegant.
– Sa vonohesh në mëngjes për të zgjedhur ato çfarë do të veshësh?
Nuk vonohem shumë. Në këtë drejtim them se tek Interi rekordin e mban D’Ambrozio, pasi ai i kushton rëndësi veshjes.
– Na trego pak më shumë si nisi “dashuria” me futbollin?
Kam lindur në Porto dhe atje nisa hapat e para, më pas u transferova te Sportingu, ku qëndrova për 12 vite.
– Ke vëllezër?
Kam dy dhe jemi të tre futbollistë. Janë më të zotë se unë (qesh). Njëri luan për Sporting Bragën, ndërsa tjetri aktivizohet me një ekip të Lisbonës të futbollit në sallë.
– Jeni një familje sportistësh pra…
Babai im ka luajtur futboll, por jo në nivele të larta, e njëjta gjë vlen edhe për xhaxhanë.
– Dimë se të pëlqen të luash ping-pong…
E vërtetë, por s’e di nëse jam më i zoti se Medeli, pasi s’kam luajtur kurrë kundër tij.
– Si e përjetove triumfin me Portugalinë në Europian?
Ishte diçka e papërshkrueshme, një eksperiencë unike. Kur isha i vogël, ëndërroja të fitoja diçka të madhe me Portugalinë. Kemi një përfaqësuese me shumë kualitete. Ikona është Ronaldo.
– Kur do të transferohet tek Interi?
I flas shpeshherë për Interin, po përpiqem ta bind (qesh).