Pastore drejt largimit nga PSG

E ardhmja e Javier Pastores duket se do të jetë larg Paris Saint-Germain. Mesfushori argjentinas po vlerëson largimin nga kampionët në fuqi të Francës pas gjashtë sezonesh në kryeqytetin Paris. Bashkëjetesa me Unay Emeri është në kufijtë e të pamundurës, pasi trajneri spanjoll nuk e ka në qendër të projektit të tij fantazistin 27-vjeçar, që kthehet sërish në objektiv i Juventusit në Serinë A.
Ish-futbollisti i Palermos, i transferuar te Parisi në 2011 për 42 milionë euro, ka të qartë se hapësirat e tij pas mbërritjes në “Parc des Princes” të Ben Arfa, Draxler, Guede dhe Lo Celso do të jenë minimale, ndaj duhet të vlerësojë ofertat e klubeve të mëdha europiane.
Edhe Pastoren sikurse shumë futbollistë të tjerë të nivelit të lartë në futbollin europian është kontaktuar nga disa klube kineze, që i kanë bërë madje edhe disa oferta mjaft interesante në aspektin financiar. Pa i mbushur ende 28 vjeç, argjentinasi dëshiron të luajë në Europë, ndaj sipas mediave italiane te Juventusi po studiojnë mundësinë për ta transferuar në Torino.

Artikulli paraprakJa përse Liverpool na përmbysi
Artikulli tjetërVerratti mbetet i PSG