Pas një fitoreje të rëndësishme në derbin me Totenhemin, e cila e ngjiti Çelsin në vend të katërt, trajneri Enco Mareska e ka spostuar vëmendjen te Brentfordi, me të cilët do të përballet sot në transfertë.
Në këtë fazë të sezonit, e rëndësishme është të fitosh për trajnerin italian, pak rëndësi ka sesi dhe ai e ripërsëriti atë që tha pas ndeshjes së fundit, duke thënë se ekipi i tij duhet të mësojë të fitojë në mënyrë “të shëmtuar”, ashtu siç bëri në fazat e fundit të ndeshjes ndaj Totenhemit, për t’u bërë një ekip i rëndësishëm.
“Unë u thashë lojtarëve. Ne nuk punojmë për të luajtur ashtu siç bëmë në 10 minutat e fundit. Por për t’u bërë një ekip, duhet të mësoni të luani kështu. Për 90 minuta, deri në kohën shtesë, ishim në kontroll. Kishim mundësi për të fituar. Ndoshta është gabimi im. E bëra zëvendësimin përpara se të shikoja kohën shtesë. Por fatmirësisht e fituam ndeshjen dhe jemi të lumtur. Tani kemi një tjetër ndeshje të vështirë me Brentfordin. Ata janë shumë të fortë, por të gjitha ndeshjet do të jenë të tilla nga tani dhe deri në fund”, tha Mareska.