Mesazhi i ambasadorit të OSBE: Sigurimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme kërkon institucione të forta! Olsian Çela: Prokurorët, angazhim serioz gjatë procesit

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Prokuroria e Përgjithshme organizuan një tryezë teknike me synimin forcimin e kapaciteteve për hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve zgjedhore, në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.

 

Takimi, ku morën pjesë prokurorë, oficerë të policisë gjyqësore, përfaqësues të Policisë së Shtetit dhe organizata kyçe të shoqërisë civile, shërbeu si një forum për të nxitur dialogun e drejtpërdrejtë dhe të hapur midis organizatave të shoqërisë civile që monitorojnë zgjedhjet dhe institucioneve përkatëse. Pjesëmarrësit shkëmbyen mendime mbi aspekte të ndryshme të krimeve zgjedhore, duke theksuar nevojën për veprim të bashkërenduar midis të gjithë aktorëve: institucioneve shtetërore, veçanërisht atyre të ngarkuara me hetimin dhe ndjekjen penale, organizatave të shoqërisë civile, medias dhe publikut të gjerë.

Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Michel Tarran, vlerësoi përpjekjet ndërinstitucionale për të luftuar shkeljet zgjedhore, duke theksuar marrëveshjen e fundit të bashkëpunimit ndërmjet Prokurorisë së Përgjithshme, Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

“Kjo tryezë zhvillohet në një moment vendimtar, vetëm një ditë përpara fillimit zyrtar të fushatës zgjedhore. Integriteti zgjedhor është në themel të çdo shoqërie demokratike. Sigurimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme kërkon institucione të forta, përgjegjshmëri, transparencë dhe një angazhim të palëkundur ndaj sundimit të ligjit”, tha Tarran.

Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela tha: “Prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore duhet të tregojnë një angazhim serioz gjatë procesit zgjedhor në kryerjen e hetimeve të shpejta dhe gjithëpërfshirëse. Njëkohësisht, është e rëndësishme sigurimi i transparencës në raport me median dhe publikun në lidhje me rezultatin e këtyre hetimeve”.

Artikulli paraprakVIDEO/ Skandal në Europianin e mundjes, presidenti i federatës ruse quan tradhëtar dhe shtyn në podium sportistin që fitoi medalje për Shqipërinë
Artikulli tjetërElon Musk do të dërgojë robotë humanoidë Optimus për të eksploruar planetin Mars