Kërcënohen nga Rama, japin dorëheqjen anëtarët e KED

Armand MAHO

Fushata e egër për të kapur gjyqësorin është kthyer në gjueti shtrigash, ku sulmin e orkestron dhe e dirgjon direkt Edi Rama i ndihmuar dhe nga mediat që ai ka nën urdhra
Kërcënimet dhe shantazhet të kryera direkt nga Edi Rama, po çojnë në dorëheqjen e gjyqtarëve, që u përzgjodhën me short për anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED). Pa kaluar as dy ditë nga hedhja e këtij shorti dha dorëheqjen nga detyra dhe gjykatësi veteran Vladimir Kristo, anëtar i Gjykatës Kushtetuese, i cili kritikoi ashpër vettingun e servirur nga Rama, duke e cilësuar si minues të besimit që publiku ka tek gjykatat. Kristo është gjyqtari i dytë që jep dorëheqjen pas shortit të dy ditëve më parë për anëtar në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, ku rezultoi fitues. Më parë kishin dhënë dorëheqjen nga detyra një prokuror dhe katër gjyqtarë të tjerë, mes të cilëve Mirela Fana edhe kjo e përzgjedhur nga shorti i dy ditëve më parë. Në fakt nuk është rasti që pikërisht ditën që u hodh shorti, dha dorëheqjen dhe ministri i Drejtësisë Ylli Manjani. Mosdakortësia e Ramës u vu re nga deklarata që dha atë ditë deputetja socialiste Vasilika Hysi, kur tha se gjykatat dhe prokuroria nuk kanë përpiluar lista të “ndershme”.  Kërcënimeve të Ramës nuk i kanë shpëtuar dhe gjyqtarë e prokurorë të tjerë, që ai si ka shumë për zemër. Në Vlorë u dorëhoq dhe kryetari i Gjykatës së Apelit të këtij qarku Ilir Çeliku, i emëruar në këtë post në nëntor nga KLD. Në Tiranë u dorëhoq gjyqtari Ilir Pashaj, në Kukës Drita Velaj, ndërsa në Krujë prokurori Sulejman Tola. Duket se fushata e egër për të kapur gjyqësorin është kthyer në gjueti shtrigash, ku sulmin e orkestron dhe e dirgjon direkt Edi Rama i ndihmuar dhe nga mediat që ai ka nën urdhra. Pasi i vuri për muaj të tërë nën survejim nga policia e Tahirit dhe kur pa që s’mund t’i nënshtronte, Rama ka marrë vetë frenat e shantazhit direkt, duke i kërcënuar ata që ta japin me çdo kusht dorëheqjen nga pozicioni që kanë. Me një gjuhë të denjë për kumbarët e mafias, ai nuk lë rast pa i kujtuar trupës gjyqësore dhe prokurorëve Vettingun e tij të famshëm.

Kërcënimi i hapur

Por zellin e tij për të futur në dorë gjyqësorin me anë të shantazhit, Rama e shfaqi dhe dje, kur përshëndeti dorëheqjet e gjyqtarëve në faqen e tij zyrtare në rrjetet sociale. Ja se çfarë shkruan Rama: “Përshëndes largimet vullnetare të gjykatësve/prokurorëve që s’duan të kalojnë vetingun! Drejtësia e Re nuk kapet dot si e Vjetra që po bie!”. Të njëjtën gjë e përsëriti dhe në një takim të djeshëm kur tha se nuk është dakort me gjysmën e atyre që u përzgjodhën sipas ligjit, duke i paralajmëruar publikisht se do të shkarkohen në rast se nuk japing dorëheqjen “Kjo drejtësi e korruptuar, që të kujton atë shprehjen e vjetër “jep shpirt, po s’heq dorë”, siç u pa edhe nga shorti që u hodh aty, ku gjysma e tyre janë për të shkuar në shtëpi, sapo të fillojë ligji i Vetting-ut”. Cili kryeministër apo president në ndonjë vend të botës mund të përshëndesë dorëheqjen e gjyqtarëve të tij, përveç se në vendet ku sundon mafia dhe krimi i organizuar?

Akuzat e Manjanit

Në fakt loja sapo është hapur. Mjetin e shantazhit e paralajmëroi një ditë më parë në ditën e dorëheqjes dhe ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, kur akuzoi direkt kryeministrin për shantazh ndaj trupës gjyqësore. Manjani tha se është Rama ai që merr direkt në telefon gjyqtarët për të burgosur persona të ndryshëm. “Pse duhet t’i telefonohet gjyqtarit që të fusë njerëz në burg, pse duhet t’i bëjë këto qeveria? Cila qeveri demokratike i bën këto? Imagjinoni Angela Merkel-in të marrë në telefon një gjyqtar dhe t’i thotë më fut në burg një katundar. Ç’janë këto histori”. tha Manjani. Por ish- ministri nuk do ndalej me kaq. Ai konfirmoi dhe një herë shqetësimin e ngritur se trupa e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë vënë nën vëzhgimin e policisë prej kohësh, që kur u përgatit skenari për të kapur drejtësinë. “Pa diskutim që ne duhet ta bëjmë Reformën në Drejtësi, pa diskutim që gjykata duhet t’i përgjigjet sfidave të sotme, pa diskutim që duhet bërë Vetingu, pa diskutim që gjykata duhet të pastrohet, pa diskutim që na duhet një gjykatë krejt tjetër, nga kjo që kemi deri më sot, sepse ato kanë mëkatet e veta, por mëkati i tyre kryesor është se nuk godasin qeverinë. Se para se të shohim vilat e gjyqtarëve, duhet të shohim vilat tona. Kush do na i shohë vilat tona, gjyqësori i kapur? Prokurori që nuk guxon, sepse shahet me libër shtëpie. E dini, që prokurorët gjurmohen nga trupa operacionale speciale të policisë pa urdhër”, do shprehej ish-ministri i Drejtësisë.

Pas shortit të  KED, Rama kërkoi shkarkimin e Manjanit

Por pakënaqësia e Ramës u vu re që në deklaratat e asaj dite, ku deputetja socialiste Vasilika Hysi, një bashkëpunëtore e vjetër e fondacionit Soros në Shqipëri, u shpreh e pakënqaur me procedurën që u ndoq për përzgjedhjen e anëtarëve të KED. Hysi do të shprehej se listat e dërguara në Kuvend ishin përpiluar në mënyrë “të pandershme” nga trupa gjyqësore dhe Prokuroria. Në fakt, kjo deklaratë s’mund të përkthet ndryshe vetëm se listat që i janë dërguar Kuvendit, sipas Hysit nuk kanë marrë pëlqimin e Ramës. Kjo ka bërë që të shpërthejë një valë zemërimi i Ramës, i cili po atë natë i kërkoi Metës shkarkimin e Ylli Manjanit, me paranojën se ai është “puçisti” që i ka minuar Ramës dhe kapjen e sistemit të gjyqësorit, megjithëse Meta ishte vetë i pranishëm në shortin e hedhur. Duket qartë tashmë, se etja për të pasur pushtet të pakufishëm në të gjitha qelizat e shoqërisë po e bën kryeministrin të papërmbajtshëm. Njeriu, i cili nuk pranon asnjë kundërshti, dhe asnjë pushtet që është jashtë kontrollit të tij po hidhet në sulm për ta kapur drejtësinë in bllock. Eshtë pikërisht alarmi që opozita e ka dhënë prej kohësh, se Vettingu ashtu siç është i hartuar s’mund të jetë gjë tjetër vetëm se arma e Ramës për të shantazhuar në çdo qelizë sistemin gjyqësor, pasojat e të cilit janë parë këto ditë me dorëheqjet e gjyqtarëve, ndërsa kulmi do ishte shkarkimi i Manjanit.

Artikulli paraprakOrganizatat e Soros “detyruan” Xhafën të ripërsërisë garën për Avokatin e Popullit
Artikulli tjetërÇelet gara për peshkimin në 56 liqene, laguna dhe rezervuarë