Nga Lutfi Dervishi
Ishte një vend që quhej Shqipëri. Jo se ia kanë ndërruar emrin, por tani është më shumë një brand politik, një “Shqipëri për t’u parë”, jo për t’u jetuar. Një Shqipëri për turistët, jo për banorët.
Në këtë vend, dikur, fjala zgjedhje kishte kuptimin e saj të parë: një moment kur qytetarët ndanin, peshonin dhe zgjidhnin mes alternativave për të ardhmen. Sot, zgjedhjet janë kthyer në një formë spektakli, ku fushatat shërbejnë më shumë për argëtim sesa për vendimmarrje.
Dikur debatoheshin tema me rendësi: Shëndetësia, punësimi, rendi, arsimi, sporti…
Sot, diskutohen temat me rendësi kombëtare si: “Bufi, Miu, këneta, moçali…”
Dikur flisnin për halle. Sot hedhin valle.
Dikur, qeveria numëronte çfarë kishte bërë.
Opozita i numëronte çfarë nuk kishin bërë.
Sot, secili flet me veten.
Dikur bëhej debat. Sot festohet 25 vjetori i debatit të fundit televiziv.
Gazetarët?
Ishte një kohë kur vërtet ndiqnin fushatat, bënin pyetje, ndonjëherë edhe “bezdisnin”.
Tani ata ndjekin fushatat nga Instagrami i Kryeministrit dhe raportojnë: “Zoti X, i veshur me kapele ku spikaste nr. 5, iu përgjigj me tone shpotitëse batutës….”
Edicionet e lajmeve?
Dikur ishin lajme. Sot janë videoklioe
Dikur ishte turp të gënjeje.
Sot është turp të thuash të vërtetën! Madje, nëse guxon dhe e thua, të akuzojnë për keqdashje ndaj vendit. Turpi është bërë opozitar.
Partia nuk ka më frikë nga votuesit.
Votuesit kanë frikë se mos po bëjnë krim që votojnë vetëm njëherë ditën e zgjedhjeve.
Nuk zhvillohen më debate, sepse partia në pushtet i konsideron çështje si rrogat dhe çmimet si të parëndësishme. Nuk ka më nevojë për gazetarë, sepse tashmë komunikimi bëhet nga vetë pushteti, që raporton për veten!
Dikur njerëzit ishin qytetarë.
Tani janë ndjekës.
Po Partia?
Partia e di që deleve s’u duhet as bari as bariu. U mjafton një qen që leh bukur. Dhe ndonjëherë, leh live.
Shqipëria nuk është më vend. Është një story që zgjat 30 sekonda. Dhe s’ke mundësi ta kapësh në replay, sepse s’ka më kujtesë.