Qytetarët rrisin denoncimet tek SPAK, institucionet zbehin bashkëpunimin

Nga Sabina Nika/ shteg.org

Në një vit ku presioni ndaj drejtësisë së posaçme është shtuar ndjeshëm, raporti vjetor i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për vitin 2024 zbulon një kontrast të fortë midis besimit të qytetarëve dhe zbehjes së bashkëpunimit institucional. Rritja e denoncimeve direkte nga qytetarët shoqërohet me një rënie të theksuar të referimeve nga Policia e Shtetit dhe një numër të ulët çështjesh të përfunduara ndaj grupeve kriminale.

Në raportin e paraqitur së fundmi në Këshillin e Lartë të Prokurorisë nga kreu i SPAK, Altin Dumani, vihet në pah një rritje prej 36% të hetimeve të nisura nga kallëzime të qytetarëve, që përbëjnë tani burimin kryesor të çështjeve të reja. Në të kundërt, referimet nga Policia e Shtetit kanë rënë ndjeshëm nga 65 në vetëm 30 raste, duke reflektuar një boshllëk serioz në bashkëpunimin ndërinstitucional.

“Ka rënie të numrit të kallëzimeve nga ana e Policisë së Shtetit, që janë referuar në SPAK. Ndërkohë që qytetarët kanë sjellë një rritje të dukshme të denoncimeve,” – deklaroi Dumani gjatë prezantimit të raportit.

Rritja e kallëzimeve qytetare, e përshëndetur nga kreu i institucionit si një tregues i besimit në drejtësi, nxjerr njëkohësisht zbuluar indiferencën e strukturave shtetërore që, në teori, duhet të jenë aleatë të SPAK në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ndërkohë, edhe pse bashkëpunimi institucional me Policinë e Shtetit u cilësua i rëndësishëm, sidomos në rastet e kërcënimeve dhe presioneve të jashtme ndaj prokurorëve apo hetuesve të BKH, rënia e referimeve është një tregues i mungesës së sinergjisë së brendshme për hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Sipas raportit, gjatë vitit 2024 janë hetuar 33 zyrtarë të lartë, nga të cilët 19 janë dërguar në gjykatë dhe 10 janë dënuar me vendim të formës së prerë. Megjithatë, raporti evidenton edhe një numër të madh çështjesh të pazgjidhura: vetëm 41 prej 483 çështjeve ndaj zyrtarëve të lartë janë dërguar në gjykatë, ndërsa pjesa tjetër mbetet në proces ose është pezulluar apo pushuar.

“Ka përmirësime në trajtimin e çështjeve të mbartura që nga vitet 2019-2020, por ende kemi dosje voluminoze që kërkojnë burime të mëdha njerëzore,” – theksoi Dumani.

Krimi i organizuar vijon të jetë sfidues për SPAK ku sipas raportit 245 çështje penale të regjistruara për grupe kriminale, vetëm 21 janë dërguar në gjykatë.

Aktiviteti kriminal i grupeve shqiptare, sipas raportit, është i përqendruar në trafikun e drogës, kryesisht kokainë dhe kanabis, me shtrirje në vendet e Bashkimit Europian, por edhe në Norvegji, Mbretërinë e Bashkuar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe – të fundit të përmendura si një “strehë e dyshimtë” për personat nën hetim, për shkak të mungesës së bashkëpunimit për ekstradime.

“Ka ende vijueshmëri të problematikës së mosekstradimit të shtetasve shqiptarë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilët janë të dyshuar apo të dënuar për vepra të rënda penale,” thuhet në raportin e SPAK.

Përtej shifrave, raporti përshkruan edhe sfida logjistike dhe mungesën e kapaciteteve në Prokurorisë së Posaçme. Çështje të mbartura që nga vitet 2019-2020 vijojnë të rëndojnë mbi SPAK, ndërsa vetë Dumani pranoi se “çdo ditë është një betejë për t’u përballur me dosje voluminoze dhe mungesë burimesh.” Megjithatë, ai theksoi se janë ndërmarrë hapa për rritjen e efikasitetit, si shtimi i prokurorëve në 20 dhe zgjerimi i trupës së BKH-së me 40 agjentë të rinj.

Artikulli paraprak“Festim Qoli takohej shumë me zyrtarë policie”- Nuredin Dumani tregon detaje për vrasjen e Elvis Dedajt: Ja kush ma dha lajmin! Pas ngjarjes shkuam te Shkëmbi i Kavajës për…
Artikulli tjetërNeli Demi, kandidat i Koalicionit Euroatlantik në Tiranë: “Sulmi i paemër është nënshkrimi i frikës”