A u shantazhuan gjyqtarët që u tërhoqën nga KED?

Portali “Hashtag.al” thotë se Ambasada e SHBA-ve në Tiranë ka intimiduar të paktën 3 prej gjyqtarëve të zgjedhur si anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Një burim i rezervuar diplomatik ka informuar “Hashtag.al” për një histori të pazakontë të ndodhur të enjten në selinë e ambasadës. Diplomati informon se: Një numër gjyqtarësh janë thirrur me urgjencë në ambasadë më datën 26 janar. Përpara tyre është paraqitur një punonjëse e shërbimeve konsullore të ambasadës, e cila u ka kërkuar pasaportën.
Më pas mbi pasaportë u ka vendosur një vulë ku revokohej viza që ata mbanin dhe u ka thënë që të vazhdonin dhe të dilnin nga ambasada. Kanë anuluar vizën e këtyre gjyqtarëve. Unë nuk e di saktësisht numrin e gjyqtarëve me vizë të anuluar, por di me saktësi se të paktën 3 nga këta gjyqtarë, të nesërmen janë zgjedhur si anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Pra, ambasada e ka kryer veprimin vetëm 24 orë para se të bëheshin zgjedhjet për KED-in.
A ishte ky veprim një metodë shantazhi e aplikuar nga ambasada?
Diplomati i kontaktuar nga “Hashtag.al” shkon dhe më tej dhe thotë se, veprimi i ambasadës mund të jetë i lidhur me procesin e Vettingut që do të zhvillohet në muajt e ardhshëm.
Logjika ta do që ky veprim nuk ishte thjesht një shantazh imediat për shkak të zgjedhjeve në Këshillin e Emërimeve. Por efektet e këtij veprimi mund të shkojnë edhe më tej. Sepse të gjithë gjykatësit do i nënshtrohen procesit të Vettingut dhe kur të merren në pyetje nga komisioni vlerësues anulimi i vizës mund të përdoret si pretekst për t’i goditur ata, shprehet burimi diplomatik.
Por si i përzgjedh ambasada amerikane gjyqtarët dhe zyrtarët, të cilëve u anulon vizat? Mbi ç’bazë? Mbi cilën metodologji apo të dhëna? Kush e informon ambasadën? Kush ja dorëzon listën e “gjyqtarëve të padëshiruar”?
Ambasadori amerikan Donald Lu vitin e fundit ka mbajtur një qëndrim të njëanshëm dhe tërësisht pro ambicieve të Partisë Socialiste në lidhje me reformën në drejtësi.
Ky qëndrim sugjeron mundësinë se lista e gjyqtarëve, të cilëve u është revokuar viza të mund të jetë në fakt dhe një listë e hartuar ose e ndikuar nga synimet politike të Partisë Socialiste.
Ndërsa burimi diplomatik që informoi “Hashtag.al”, ofron një analogji interesante kur shpjegon veprimin e ambasadës:
Këto praktika të ambasadës janë tejet të dyshimta dhe jotransparente. Të sjellin ndërmend ato shenjat që u vendoseshin në trup të burgosurve hebrenj. Ata që kishin shenjën duhej të shkonin në dhomat e gazit. E tillë duket dhe kjo vulë mbi pasaportat e gjyqtarëve dhe me gjasë do të përdoret si shenjë identifikuese gjatë procesit të Vettingut”, shprehet burimi.
“Hashtag.al”

Lista me 9 anëtarët e zgjedhur të KED-it më 27 janar:
1- Vladimir Kristo nga Gjykata Kushtetuese
2- Besnik Imeraj nga Gjykata Kushtetuese
3- Mirela Fana nga Gjykata e Lartë (dha dorëheqjen dje)
4- Rovena Gashi  nga Prokuroria e Përgjithshme
5 -Brikena Ukperaj Lubonja nga Gjykata e Apelit
6- Ervin Metalla nga Gjykata e Apelit
7- Gentian Trenova nga zyrat e Prokurorisë pranë Gjykatave të Apelit
8- Fatjona Mencaj nga zyrat e Prokurorisë pranë Gjykatave të Apelit
9- Kastriot Selita nga Gjykata Administrative e Apelit

Artikulli paraprakPresidenti Bujar Nishani do të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare ditën e premte, më datë 3 shkurt 2017, ora 12.00. Lajmin e dha Presidenca nëpërmjet një njoftimi për shtyp. Vendimi u mor dje dhe kjo mbledhje vjen pas kërkesës së kreut të Kuvendit, Ilir Meta. Këshilli i Sigurisë Kombëtare do të mblidhet për të diskutuar për mosarrestimin e Klement Balilit dhe për situatën e krimit në vend. Thirrja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për çështjen “Balili” u shndërrua në shkëmbim replikash mes Presidencës, ministrit të Brendshëm Tahiri dhe Petrit Vasilit të LSI-së. Presidenca pranoi kërkesën e kreut të Kuvendit, Ilir Meta, për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë për çështjen “Balili”. Ajo thotë se ekziston shqetësimi i partnerëve amerikanë dhe të tjerë ndërkombëtarë, të cilët paraqesin rezerva në drejtim të punës së organeve përgjegjëse për shkak të mosndalimit të tij në kohë dhe zbatimit të detyrave të përcaktuara në akte ndërkombëtare dhe legjislacionin vendas. “Si dhe rrezikut që ekziston tashmë nga mosveprimi i agjencive ligjzbatuese të vendit tonë, në drejtim të goditjes ndaj krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme apo edhe bazave të tyre, që mund të kontrollohen nga njerëz të politikës dhe shtetit”, tha Ols Lafe, drejtor i Kabinetit të Presidentit. Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, në cilësinë e anëtarit të Këshillit të Sigurimit Kombëtar (KSK) i është drejtuar Presidentit të Republikës, Bujar Nishani për thirrjen në një kohë sa më të shpejtë të mbledhjes së Këshillit të Sigurimit Kombëtar, për çështjen “Balili”. Kjo kërkesë vlerësohet serioze, pasi ajo paraqitet nga kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, si dhe për shkak të problematikave që parashtrohen, të cilat kanë të bëjnë me: – Rrezikshmërinë e lartë shoqërore të shtetasit Klemend Balili, përcjellë nga organet kompetente shqiptare apo ndërkombëtare. – Shqetësimin e partnerëve tanë të SHBA dhe të tjerë ndërkombëtarë, të cilët paraqesin rezerva në drejtim të punës së organeve tona përgjegjëse për shkak të mosndalimit të tij në kohë dhe zbatimit të detyrimeve të përcaktuara në akte ndërkombëtare dhe legjislacioni vendas. – Si dhe rrezikut që ekziston, tashmë, nga mosveprimi i agjencive ligjzbatuese të vendit tonë, në drejtim të goditjes ndaj krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme apo dhe bazave të tyre që mund të kontrollohen nga njerëz të politikës dhe shtetit. Për këto arsye Presidenti i Republikës në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Sigurimit Kombëtar ka vendosur të thërrasë mbledhjen e Këshillit me qëllim dëgjimin e të gjitha argumenteve të parashtruara në kërkesë, si dhe duke i analizuar dhe duke këshilluar me të gjithë anëtarët e Këshillit.
Artikulli tjetërKukeli në Formacionin e Vitit