Personalizimi i fushatës tregon hallet personale të Berishës dhe Ramës, jo të njerëzve

Nga Namir Lapardhaja

Fushata elektorale në Shqipëri shfaqet thellësisht e personalizuar mes Edi Ramës dhe Sali Berishës. Në vend që të diskutohet për ekonominë, arsimin, shëndetësinë, apo të ardhmen e të rinjve shqiptarë, e gjithë retorika përqendrohet tek sulmet personale që s’kanë lidhje me nevojat e qytetarëve.

Nuk ka shqiptarë sot që beson se Rama përfaqëson qeverisjen e mirë dhe është alternativa e duhur, sepse në këto vite fakt është që varfëria është rritur, papunësia po ashtu, arsimi dhe shëndetësia janë në kolaps, ndërsa korrupsioni është ulur këmbëkryq në çdo institucion.

Nga ana tjetër, edhe PD e Berishës nuk ofron asnjë alternativë larg personalizimit të fushatës. Sot sheh politikanë që deri më dje nuk flisnin për Berishën, në këtë fushatë, në vend që të flasin për hallet e njerëzve, iu duhet të lëpijnë aty ku kanë pështyrë, duke u marrë me hallet e tij me drejtësinë dhe problemet me SHBA-në, duke i relativizuar ato sikur të mos ekzistonin. Për të mos folur pastaj kur argument i fushatës së PD-së bëhet shqetësimi se si do të lirohet Ilir Meta nga burgu.

Në të dyja anët e kësaj medaljeje të njëjtë, theksi është beteja personale për të mbijetuar dhe për t’i shpëtuar drejtësisë. Korrupsioni, si pengesa kryesore për zhvillimin ekonomik dhe integrimin në Bashkimin Evropian, trajtohet vetëm si armë për të sulmuar tjetrin dhe jo si një sfidë që kërkon zgjidhje.

Në këtë situatë, humbësi i vërtetë është qytetari i zakonshëm. Ai që kërkon punë, arsim cilësor, kujdes shëndetësor dinjitoz dhe një arsye për të mos e braktisur vendin. Por këto nuk janë hallet e Ramës apo të Berishës – këto janë hallet tona, të njerëzve. Derisa fushatat të kthehen te njerëzit dhe jo te emrat, Shqipëria do të mbetet peng i halleve të politikanëve.

Artikulli paraprakUshqimet dhe argëtimi rrisin çmimet, 2.5 inflacioni për muajin mars
Artikulli tjetërPse duhet të votojmë Koalicioni Euroatlantik në qarkun e Elbasanit dhe në gjithë Shqipërinë?