Si u arratis Martin Camaj me 33 malësorë më 1948 dhe persekutimi i familjes nga diktatura! Vëllai i tij u dënua me 30 vite burg, ja pengu i shkrimtarit

Martin Camaj ishte shkrimtar, akademik dhe albanolog. U lind më 13 korrik 1925 në Telume të Temalit të Dukagjinit, i biri i Kolës dhe Terezës nga Shllaku, i treti ndër shtatë fëmijë. Vendlindja e tij është “… në një vis të egër, ‘ku s’ka shkelë kurrë kamba e kalit’, kaq i thyeshëm ashtë ky vend”, sipas vetë Martinit.

Në vendlindje kaloi dhjetë vitet e para të jetës së tij. Nis të fitojë në mënyrë autodidakte njohuritë e para në shkrim e lexim shqip dhe matematikë. Kjo gjë do t’i binte në sy ish-pagëzuesit P. David Pepës OFM, duke e nxitur të ndërmjetësojë pranë instancave eprore në Shkodër që të ndërmerrnin përpjekje për arsimimin dhe përgatitjen – pse jo – për meshtari. Në vitin 1935 vendoset përfundimisht në Shkodër dhe filloi dhe ndoqi arsimin në Kolegjin Saverian, ku kaloi edhe tuberkulozin. Rektor i kolegjit at’botë qe atë Giuseppe Valentini SJ, prej të cilit mësojmë se arsimin fillor 5-vjeçar e kishte përfunduar në 4 vjet. Pesë vitet në vijim ai ndoqi rregullisht gjimnazin, gjë që i dha të drejtën për të vijuar studimet në liceun klasik të kolegjit. I ati vdes pak vite pasi Martini i vogël u fut në kolegj. Studimet detyrohet t’i ndërpresë në vitin e tretë, më 1946, mbas mbylljes së instituteve fetare të Shkodrës. Themeloi në Prekal shkollën ku veproi si mësues i vetëm deri më 1948.

ARRATISJA

Martin Camaj merrte pjesë në rezistencën kundër partizanëve komunistë me çetën e kapedan Gjon Destanishtës dhe në gusht qe i detyruar të jetonte në ilegalitet deri sa ia arriti të ikte në Jugosllavi bashkë me atë Daniel Gjeçajn OFM dhe grupin e përbërë prej 36 vetash. Kështu, në dimër të 1948 Camaj largohet njëherë e përgjithmonë nga bota e vjetër për mos me i thënë vendlindje, ka shkruar ai në korrespodencat e tij. Kështu Camaj i hapi rrugën lirisë së tij. Ai u arratis nga shtëpia e motrës së tij, Mrikës, mbetur e ve me fëmijët e saj. Martini jetoi me të në Prekal për t’i qenë krah. Po këtu, ai ushtroi edhe profesionin e mësuesisë.

Së bashku me 33 veta, mes të cilëve edhe 5 femra, ai u end në Cukal për rreth një muaj e më pas arratisen të gjithë nga Shqipëria drejt Jugosllavisë. Bashkudhëtar ishte edhe at Daniel Gjecaj, me të cilin Martini s’do ta shkëpuste kurrë korrespondencën. Arratisja e Martinit do të bënte që mbi familjen e tij të niste rrugën kalvari i persekutimeve dhe vuajtjeve. Gjergji, vëllai i madh do të dergjej burgjeve për rreth 3 dekada. Kryen për tre muaj një kurs intensiv për mësuesinë në Pejë (1 korrik – 30 shtator 1949), mandej punon një vit (1949-’50) mësues në Tuz në shkollën “Mahmut Lekiq”. Viti 1950 e gjen Martinin në Beograd, ku u regjistrua në universitetin e kryeqytetit jugosllav. Diplomohet pas pesë vitesh, më 20 korrik 1955, duke dhënë provim diplome në degën e filologjisë romane me fusha kryesore gjuhë dhe letërsi italiane. Në qershor 1951 martohet në fillim në bashki, mandej në kishën ortodokse e më pas atë katolike me mësuesen Nina Bogdanoviç. Pas mbylljes së studimeve në Beograd, Camaj përgatitet për formimin pasuniversitar në albanologji pranë Fakultetit Filozofik të Universitetit të Sarajevës, i udhëhequr nga albanologu prof. Henrik Bariç, kryetar i Institutit Albanologjik në Sarajevë. Në bashkëpunim me të dhe me mentorin e dytë, prof. Rikard Kuzhmiç, vendos të promovojë në filologji duke përzgjedhur si temë doktorate “Gjuha e Gjon Buzukut”.

Kërkesa përkatëse e mentorëve të tij miratohet prej këshillit shkencor të atij fakultet në mbledhjen që u mbajt më 16 shkurt 1956. Po atë vit, duke parë shëndetin në rënie të profesorit dhe gjendjen e rënduar në Republikën Federale, vajti në Itali (të paktën qysh më 20 shtator të ‘56-ës), ku e shoqja nga sëmundja detyrohet të heqë një veshkë. I ndihmuar nga Ernest Koliqi dhe profesorë të vjetër të kolegjit jezuit P. Luigi Rosa dhe P. Zef Valentini, asokohe drejtues i Institutit të Studimeve Shqiptare, si dhe kryetar i Katedrës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe pranë Universitetit të Romës, pasi i njihen studimet e kryera ne Universitetin e Beogradit, regjistrohet në vitin e tretë studimor në Fakultetin e Letërsisë dhe të Filozofisë të atij universiteti. Këtu studion letërsi latine, italiane, filologji romane e sllave, si dhe gjuhë e letërsi shqipe, ndërkohë pati rastin të ndjekë leksione nga Giuseppe Ungaretti dhe të njohë prej së afërmi poezinë e tij. Nën mentoratin e Koliqit, më 15 mars 1960, mbron me vlerësime maksimale pranë Universitetit të Romës, tezën e doktoraturës mbi “Mesharin” e Gjon Buzukut, e cila u botua po atë vit si botim i revistës “Shêjzat” (që e redaktonte tash tri vite dhe do ta bënte deri më 1971 nën titullin: “Il Mesale di Gjon Buzuku. Contributi linguistici allo studio della genesi”. Gjatë periudhës së studimeve, Camaj iu përkushtua veçanërisht kërkimeve shkencore në terren në fshatrat e ngulimeve arbëreshe. Qysh më 1959, Koliqi i mundësoi të punojë si lektor pranë Universitetit në Romë, gjë që zgjati deri nga fundi i vitit 1960. Kërkimet akademike të Camajt u përqendruan në gjuhën shqipe dhe dialektet, në veçanti në gjuhën e arbëreshëve të Italisë jugore. Në Romë ndjek rrethet letrare të këtij qyteti, ku njihet edhe me autorët emigrantë nga vende të ndryshme lindore, rusë, rumunë dhe sidomos me poetë baltikë. Ishin të gjithë anëtarë të një PEN-klubi me qendër në Londër.

STUDIMET

Në dhjetorin e 1960-s vendoset në Mynih të Gjermanisë me një bursë dhjetëmujore të akorduar prej fondacionit gjerman DAAD (= Shërbimi Gjerman për Shkëmbimin Akademik) për të cilën hyn dorëzanë me rekomandimin e vet etnologu dhe folkloristi Alois Schmaus, që drejtonte atëkohë Seminarin e Sllavistikës pranë Univ. Ludwig-Maximilian. Camaj përzgjedh si vend studimi Seminarin e Gjuhësisë me synimin që të përvetësojë metodat e studimit gjuhësor historiko-krahasues. Për përfundimin me sukses të kësaj ndërmarrjeje Camaj mbështetet për disa vjet me radhë nga fondacioni i DFG-së (Shoqata e Kërkimit Shkencor Gjerman), i cili i akordon një bursë kërkimore për të mbrojtur gradën e habilitacionit. Këtë gradë e fiton më datë 21 janar 1965 me venia legendi (leje mësimdhënieje në universitet) në albanologji duke fituar në të njëjtën kohë edhe të drejtën për të qenë Privatdozent, përvojë që e kishte ushtruar si lektor vullnetar për realizimin e programit universitar duke dhënë kurse hyrëse të gjuhës shqipes qysh prej semestrit të dimrit në vitin akademik 1961- 1962.

E shoqja, Nina, e cila jepte gjuhë ruse në “Boçoni” të Milanos si asistente në vitin akademik 1961-1962 shkon pranë Martinit më 1962, ku ajo do të punojë për pak vite pranë “München American Elementary School” si mësuese dhe bibliotekare. Në vitin 1964, Nina hyn në Urdhnin e Tretë Françeskan, duke marrë emrin Motër Elizabeta. Ndarja përfundimtare me Martinin ndodh në vitin 1968 dhe mbas kësaj date, Nina kthehet në Milano ku do të jetojë deri në nëntor të vitit 1987. Prej 1965 deri në 1971 qenë vitet vendimtare për konsolidimin e vatrës albanologjike, duke e vështruar si fushë komplekse të kërkimit shkencor. Më 1969 martohet me Erikën, me të cilën nuk do kishte fëmijë. Më 16 korrik 1971 merr emërimin si profesor joordinar në albanologji, ndërsa më 14 shtator 1978 emërohet ordinar me marrëdhënie punësimi të përhershëm. Më 30 shtator 1990 lirohet nga detyra si profesor i emerituar. Jetoi në Lenggries, vend që i kujtonte trojet ku kishte lindur. Ndërroi jetë më 12 mars të vitit 1992 në Mynih.

VEPRA

Është përfshirë thuajse në të gjitha antologjitë dhe veprat ku flitet për shkrimtarët shqiptarë. Kërkimet akademike të Camajt u përqendruan në gjuhën shqipe dhe dialektet, në veçanti të atyre në Italinë Jugore. Veprimtaria e tij letrare në harkun 45-vjeçar ka disa shkallë zhvillimi. Ai e nisi me poezinë, zhanër mbas të cilit i mbeti besnik gjithë jetën, kurse gjatë viteve të fundit u përqendrua shumë te proza. Martin Camaj e nisi veprimtarinë e tij poetike me dy përmbledhjet e para që i botoi në Kosovë: “Një fyell ndër male” dhe “Kanga e vërrinit”. Vëllimi i tij i parë me varg klasik “Nji fyell ndër male”, Prishtinë 1953 dhe “Kânga e vërrinit”, Prishtinë 1954, u frymëzuan nga banorët e zonave ku lindi, malësorët e veriut, mbas të cilëve qëndroi shumë i afërt shpirtërisht edhe mbas shumë e shumë viteve në mërgim nga pamundësia për t’u kthyer. Këto u ndoqën nga “Djella”, Romë 1958, një novelë me disa vargje mbi dashurinë e një mësuesi me një vajzë të re. Përmbledhja e poezive “Legjenda”, Romë 1964 dhe “Lirika mes dy moteve”, Munih 1967, kishte disa poezi nga “Kânga e vërrinit”, që u ribotuan në “Poezi” 1953-1967, Munih 1981.

Vargu i pjekur i Camajt reflekton ndikimin e lëvizjes hermetike të poetit italian Giuseppe Ungaretti. Karakteret metaforike dhe simbolike të gjuhës së tij rriten me kohën, siç ndodh edhe me rangun e temave poetike të tij. Një përzgjedhje e poezive të tij e përkthyer në Anglisht nga Leonard Fox në vëllimet “Selected Poetry”, Nju Jork 1990 (Poezi të zgjedhura) dhe “Palimpsest”, Munih dhe Nju Jork 1991.

PENGU

Shkrimtari Martin Camaj mori me vete disa pengje, por më i madhi për të ishte atdheu, që ai aq bukur e himnizoi në veprën e tij dinjitoze, e cila është botuar në shumë variante. Kontaktet e detyruara prej rrethanave të diplomimit në Beograd, marrëdhënia intelektuale me Ernest Koliqin dhe bashkëpunimi i tyre në revistën “Shejzat” nuk e privoi nga liria, kontaktet dhe marrëdhënia me identitetin shqiptar. Sepse për të, atdheu ishte frymë, ishte perëndi, ishte hy. Edhe pse pati kontradikta me shtetin shqiptar të pushtuar nga diktatura komuniste, ai mbajti në shpirtin e tij zanafillën e gjuhës, që në fakt është gegërishtja. Shumë gjuhëtarë në fakt e kanë analizuar këtë fakt. Pse vallë Martin Camaj shkroi në gegërisht? Dhe në fakt, përgjigja ka të bëjë me vetëdijen letrare të tij dhe pa dyshim dhe me faktin që ai ishte një nga gjuhëtarët më të famshëm shqiptarë. Duke qenë i shkëputur nga letërsia komuniste që lëvrohej në Shqipëri, ai bëri ç’është e mundur që të ruante më të mirën e atdheut të vet, gjuhën. Dhe me këtë gjuhë të ndërtojë atdheun e vet. Dhe pa dyshim dhe gjeninë e tij artistike. Zemra e Martin Camajt pushoi së rrahuri në moshën 67-vjeçare më 12 mars 1992 në fshatin Lengries të Bavarisë së Epërme në Gjermani, ku jetoi për më se 30 vjet. Ai nuk la trashëgimtar. Në ceremoninë e varrimit morën pjesë personalitete nga Europa e Amerika e largët si Arshi Pipa etj.. Martin Camaj është dekoruar me urdhrin e larte “Nderi i Kombit” pas vdekjes./ Gazeta Panorama

Artikulli paraprakQytetarët shqiptarë kanë konsumuar qumësht me aflatoksinë. AKU mban “sekret” emrat e kompanive prodhuese
Artikulli tjetërMë në fund do të votojmë!