Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, ka reaguar për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut, duke e cilësuar atë si një udhëheqës shpirtëror të përulur dhe simbol të dashurisë e paqes.
Në një postim në rrjetet sociale, Basha kujtoi me mirënjohje vizitën historike të Papës në Shqipëri më 21 shtator 2014, si dhe privilegjin për t’i dhënë titullin “Qytetar Nderi i Tiranës”. Ai më tej shkruan se trashëgimia e Papa Françeskut do të jetojë përgjithmonë dhe u bashkua në lutje me besimtarët në mbarë botën.
Postimi i plotë i Bashës:
Lamtumirë Papa Françesku!
Me dhimbje të thellë mësova lajmin e ndarjes nga jeta të Atit të Shenjtë, Papa Françeskut, një udhëheqës shpirtëror i përulur, simbol i dashurisë, paqes dhe përkushtimit ndaj më të varfërve.
Papa Françesku ishte një zë i fuqishëm për kujdesin ndaj të harruarve dhe të braktisurve, një dritë shprese për të gjithë njerëzimin. Me thjeshtësinë e tij, ai frymëzoi miliona besimtarë dhe jo vetëm, duke predikuar vlera universale të mëshirës, faljes dhe bashkëjetesës mes popujve.
Një vend të posaçëm pati në zemrën e tij Shqipëria dhe shqiptarët, që do ta kujtojnë gjithmonë me mirënjohje vizitën e tij historike më 21 shtator 2014, kur u bëmë vendi i parë evropian që ai vizitoi si Papë. Ka qenë privilegj për mua t’i jepja Atit të Shenjtë titullin e Qytetarit të Nderit të Kryeqytetit tonë në atë vizitë historike.
Në këto momente të dhimbshme, bashkohemi në lutje me besimtarët anembanë botës dhe i shprehim ngushëllimet më të sinqerta Selisë së Shenjtë, Kishës Katolike dhe të gjithë atyre që e nderuan dhe e deshën.
Pusho në paqe, At i Shenjtë! Trashëgimia jote do të jetojë përgjithmonë!