“Gjobvënia”, biznesmeni dëshmon kundër Shullazit, tensione në sallë

Seanca gjyqësore kundër Emiliano Shullazit dhe të arrestuarve të tjerë si pjesëtarë të bandës së tij ka nisur me tensione ditën e djeshme në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Pas shtyrjes së seancës së parë, dje është paraqitur në sallën e gjyqit dëshmitari i mbrojtur Ylvi Beqaj, por pikërisht dëshmia e tij është bërë objekt tensioni. Përsëri ishin avokatët mbrojtës, të cilët u bënë shkak që togat e zeza të ndërpresin seancën gjyqësore, e cila do të vazhdojë gjatë të mërkurës po me të njëjtin trup gjykues.
Seanca gjyqësore filloi me rrëzimin e kërkesës së avokatëve për përjashtimin e trupës gjykuese dhe vazhdoi me parashtrimin e kërkesave paraprake të avokatëve. Avokatët këmbëngulën që seanca për ballafaqimin dhe pyetjen e dëshmitarit të mbrojtur Beqja të mos bëhet, me arsyetimin se kanë ankimuar vendimin e sigurimit të provës në Gjykatën e Apelit. Kërkesë e cila u rrëzua nga Gjykata dhe u vendos vazhdimi i seancës gjyqësore, duke ftuar dëshmitarin e mbrojtur të flasë për akuzat ndaj Emiliano Shullazit dhe të dyshuarve të tjerë. Në këtë kohë, avokatët Alban Qafa dhe Nexhdet Kambo që mbrojnë interesat ligjore të të dyshuarit Gilmando Dani u larguan nga salla.
Ata dhanë dorëheqje, me pretendimin se dëshmia e Ylvi Beqajt si bashkëpunëtor i drejtësisë është i paligjshëm. Avokatët thanë se Beqja, nuk është bashkë i pandehur në këtë proces gjyqësor, por një person nën hetim nga Prokuroria për një procedim tjetër penal dhe nuk mund të dëshmojë si bashkë i pandehur. Këtë argument e kundërshtuan prokurorët, ndërsa Gjykata për të mos vazhduar zvarritjen e procesit gjyqësor i caktoi të dyshuarit Gilmando Dani një avokat nga shteti, i cili pritet të njihet me dosjen dhe të paraqitet në ora 15:00 të pasditës së mërkurë, kur është parashikuar vazhdimin i procesit gjyqësor.
Nga ana tjetër, Ylvi Beqja ishte i pranishëm në sallën e gjyqit, të cilin e njohën të dyshuarit dhe ishte i gatshëm të dëshmonte për kërcënimet, shantazhet dhe gjobat që ai pretendon se i ka paguar për llogari të bandës së drejtuar nga Emiliano Shullazi.
Në muajin tetor, Ylvi Beqja pranoi të bashkëpunonte me akuzën pas qëndrimit të tij disamujor në mbrojtje të të dyshuarve. Prokuroria e Krimeve të Rënda pretendon se, Beqja ka deklaruar se Emiliano Shullazi, përmes bashkëpunëtorëve të tij, në tri episode i ka vendosur gjoba, dhe se gjobëvënia është aplikuar në formën e çeqeve, në emër të Endrit Zelës dhe Endrit Qyqes, të dy këta të arrestuar pas një takimi në paraburgim me Shullazin.
Biznesmeni Ylvi Beqja, ka rrëfyer në Prokurori, kërcënimet e vazhdueshme të bandës së drejtuar prej Shullazit dhe vetë këtij të fundit, që me anë të dhunës i kanë marrë rreth 550 mijë euro para cash. Dosja voluminoze lidhet me ish-hotel “Vollgën” në Durrës, ku Shullazi u bë aksioner pas presioneve dhe kërcënimeve ndaj Ylvi Beqes. Nën kërcënimin e armës, biznesmeni Beqja është detyruar të nënshkruajë para noterit kontratën e dhurimit në vlerën 30 për qind. Gjatë gjithë bisedave të bëra i pranishëm ka qenë edhe personi tjetër në hetim, Gilmando Dani, i cili ka qenë në dijeni të të gjitha bisedave të bëra dhe veprimeve të kryera mes Emiliano Shullazit dhe biznesmenit.
Nga ana tjetër, në të gjitha rastet e zhvillimit të takimeve të biznesmenit me personin në hetim Emiliano Shullazi, ky i fundit ka qenë i shoqëruar me disa persona, të cilët lëviznin të armatosur dhe me disa makina. Edhe në momentin e përpilimit të kontratës së dhurimit, Emiliano Shullazi ka qenë i shoqëruar me shumë persona, të cilët ruanin vendin përreth. Edhe prania e këtyre personave ka ndikuar në krijimin e një situate të posaçme për kërcënim ndaj biznesmenit.
Ndërkohë, Prokuroria ka nën hetim edhe persona të tjerë, ndërsa vijon të qëndrojë hermetike për episodet e tjera kriminale për të cilat dyshohen pesë të arrestuarit.

R.POLISI

Artikulli paraprakDritëro Agolli në gjendje të rëndë shëndetësore, shtrohet në spital
Artikulli tjetërKorça në thundrën e bandave të lidhura me Ramën dhe Peleshin