Botohet në anglisht, monografia “Sokrati i shqiptarëve”! Momenti i vështirë i Mirush Kabashit pas plenumit të katërt në 1974, e largojnë nga teatri dhe çojnë për të punuar në…

Mirush Kabashi është një ndër aktorët e mëdhenj të plejadës së kinematografisë dhe skenave teatrale shqiptare. Në ditën e lindjes, të afërm, miq e artdashës kujtuan Mirush Kabashin, aktorin që la gjurmë në skenën e teatrit dhe kinematografisë shqiptare.

 

Përmes një ekspozite fotografike, në ambientet e Qendrës për Hapje dhe Dialog u shfaqën qindra rolet e aktorit që cilësohet si Sokrati shqiptar, falë rolit që karakterizoi jetën e tij artistike. Në skenë dha shpirtin para publikut, që e cilësonte familjen e tij të madhe, sikurse kujton mes emocionesh vajza e tij. “Dua të ndaj me ju një letër që e kam shkruar me bojë e me lot, në një ndër momentet më të trishta të jetës sime, në rrugën për në atdhe, për t’i dhënë lamtumirën e fundit tim eti. Për Mirushin, skena ishte oksigjeni dhe publiku ishte familje, familja e tij e madhe.

Ai qeshte me sy dhe fliste me zemër, nuk ankohej kurrë dhe luftonte për gjërat që donte dhe nuk bënte kompromise me asgjë”-shprehet Mendi Kabashi. Gjatë aktivitetit, u prezantua dhe botimi në anglisht i monografisë “Sokrati i shqiptarëve” nga autorja Driada Dervishi. Si ndër artistët e parë shqiptarë që preku skenën ndërkombëtare, jeta dhe vepra e Kabashit, meriton të arrijë në duart e lexuesve ndërkombëtare. Monografia vjen si një album me të gjitha stacionet e jetës së artistit. I lindur më 17 prill 1948 në Shkodër dhe rritur në Durrës, ishte një ndër interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në vendin tonë, ndërsa numëron mbi 100 role në teatër dhe kinematografi. U nda nga jeta më 5 dhjetor 2023.

INTERPRETIMET

Mirush Kabashi ka interpretuar rreth 100 role, në teatër dhe në kinema. Shpesh ka qenë edhe prezantues i aktiviteteve të shumta artistike. Roli i tij më i rëndësishëm është ai i Sokratit në veprën teatrore “Apologjia e vërtetë e Sokratit”. Gjithashtu, Kabashi është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri. Ai ka dhënë një kontribut të madh në kinematografinë shqiptare. Familja e tij është pjesë e fisit Kabashi. Mirush Kabashi lindi më 17 prill 1948 në Shkodër dhe është rritur në Durrës. E ka origjinën nga Gjakova. Në vitin 1970 u diplomua për aktrim në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe filloi punë në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Aty vazhdoi deri në vitin 1994, duke pasur edhe rolin e drejtorit në vitet 1991-1993.

Më pas punoi në Radio Televizionin Shqiptar, në departamentin e Programeve Artistike si ideator dhe prezantues, kurse nga viti 2002 e në vijim në Teatrin Kombëtar. Nga viti 1985, me periudha të ndërprera, është aktivizuar si pedagog i “Mjeshtërisë së Aktorit” pranë Akademisë së Arteve. Pasioni për aktrimin u shfaq që në fëmijëri tek artisti. “Mbaj mend që në fëmijëri i kam pasur shumë qejf jo vetëm shfaqjet teatrore por edhe filmat. Tani, i kujtoj pak me buzëqeshje kur mendoj që një film, p.sh. ‘Hamletin’, e kam parë mbi 15 herë me lloj-lloj pozicionesh, në kinemanë verore apo atë dimërore. Gjithmonë kam pasur dëshirë të shihja filma, të admiroja dhe të diskutoja për artistët pjesëmarrës. Pastaj afrimi me aktrimin qe një okazion.”- shprehet aktori në një intervistë të dhënë për mediat vote më parë. Kabashi ndërroi jetë më 5 dhjetor 2023 në moshën 75 vjeçare, pasi vuante prej disa kohësh nga një sëmundje. Kishte dy fëmijë.

PERSONAZHET

Interpretimi dhe ngjyrimi emocional i roleve, e veçojnë Mirush Kabashin. Personazhet e mishëruara nga Kabashi bien në sy për origjinalitet, për elegancë, duke frymuar karaktere me ndryshime të ndjeshme nga njëri te tjetri, të përzgjedhur me mençuri dhe intuitë. Ka spikatur në rolet satirike dhe komike. U dallua fillimisht me krijimin e figurës qesharake të Telit në komedinë “Kartela e verdhë” e Haxhi Ramës (1976), ku luajti me lirshmëri edhe tifozin e apasionuar që ndjek skuadrën dhe lojtarin e tij të zemrës ndeshje pas ndeshjeje e hall pas halli duke përdorur një sërë detajesh shprehëse, si në plastikë ashtu edhe në mënyrën e të folurit. Ky rol u pasua më tutje me personazhe të tilla komike, si: Diafarusi në komedinë “I sëmuri imagjinar i Molierit” (1982), me të cilin luajti mjaft bukur me elegancën plastike të tij, me përpunimin e gjestit, që i ka dhënë Kabashit hirin, sharmin, ngjyrimin dhe stilin klasicist. “Në teatër mësova se ç’ishte aktori, pata peripeci si gjithë të tjerët, pastaj kam marrë pjesë nëpër filma, shfaqje. Të vetmen gjë që mund t’jua them me bindje: nuk i jam trembur e nuk i jam shmangur kurrë punës në çfarëdolloj kushtesh. Kur është fjala për të provuar, për të pasur mundësinë e kontaktit me spektatorin, unë nuk kam refuzuar, por përkundrazi kam provuar me guxim.

Njëra prej këtyre fushave është edhe ajo e recitimit që tregova sot para jush.”- shpreh Kabashi. Një pjesë të jetës së tij ia ka kushtuar edhe teatrit me rolet e tij të larmishme, ku ndër to më i veçanti ka mbetur ai i Sokratit tek “Apologjia e vërtetë e Sokratit”. Roli i Sokratit është ndoshta kulmi i tij artistik, ku fuqia interpretuese mbërrin në caqe vërtet të lavdërueshme dhe realisht konkurruese në rrafsh ndërkombëtar. Kabashi pësoi një transformim të plotë psikofizik, plastika e tij u paraqit tejet e përpunuar, e folura gjithashtu, dhe me temperamentin dhe energjinë që ka ndërkallur në fjalën pasionante e ironike të Sokratit realizoi një akuzë të fortë ndaj tiranisë, padrejtësisë, korrupsionit, në suazën e një sarkazme të pamëshirshme, duke i dhënë krejt lojës një qasje të dukshme bashkëkohore. Ndërsa në kinematografi, një ndër rolet e tij më të njohur është ai i Apostol Sakos në komedinë “Edhe ashtu edhe kështu” (1989).

PËRNDJEKJA

Rrugëtimi i tij artistik, nga korridoret e Institutit të Lartë të Arteve deri në daljen e parë përpara kamerës, është i mbushur me ulje-ngritje të mëdha, madje edhe një përndjekje 2-vjeçare nga ana e regjimit komunist në Shqipëri që e vuajti. “Unë pata fatin të emërohem në teatrin e Durrësit “Aleksandër Moisiu”, që në hapat e parë pas përfundimit të Akademisë. Te teatri i Durrësit, një teatër i cili kishte një eksperiencë shumë të mirë, disiplina artistike dhe përkushtimi qenë ndër elementet e para që unë mësova në profesionin tonë dhe këto janë themelet mbi të cilat duhet ndërtuar puna e një artisti në teatër dhe më pas dhe në film, sedra artistike.

Impakti i parë me kamerën ka qenë i vonuar, ka qenë i vështirë.. Edhe pse pata një start goxha të mirë, roli im i parë në teatër ka qenë “Klestakovi”, komedia e famshme e regjisorit Gogoli qe pati suksese. Kjo përballje e parë ishte me dy presa, po të dështoja, gati do të më mbysnin, por në të kundërt do të më hapeshin portat dhe kështu ndodhi. Qe e suksesshme dhe m’u hapën rrugët, por në Plenumin e ‘74-ës, meqë unë kisha disa probleme, siç ju thashë me dajën dhe babai im që kishte mbaruar shkollën amerikane, një dajë tjetër më përpara e shuan, kështu jo vetëm që s’u lejova të xhiroja, por m’u pezullua dhe e drejta për të luajtur në teatër. Kam punuar vetëm për arsye biografike dy vjet në hekurudhë.

Gati-gati i hoqa të gjitha shpresat, rashë pre e asaj që ëndrra e teatrit m’u mbyll dhe atëherë duhet të luftoja për mbijetesë. U regjistrova në një shkollë teknike, ndërroja papuçet në hekurudhën e Durrësit të lokomotivave. E fillova me bukën e mëngjesit, çohesha çdo ditë në orën 5 të mëngjesit për të shkuar në punë”, ka thënë aktori I njohur. Por si shpëtoi? “Qe një fat i jashtëzakonshëm që dikush nga këta që kishte peshë tha një fjalë të mirë: Po ç’ka bërë ai vetë? – Jo ai vetë s’ka bërë asgjë, por në biografi nuk ka shënuar një gjë. Unë e pata maskuar atë sikur nuk e dija për një dajë të pushkatuar. Në fakt unë e dija, por nuk e kisha shënuar vetë, pasi ata e kishin zhdukur pa lindur unë. Dhe ai tha një fjalë të mirë: “Nëse ky vetë nuk ka bërë ndonjë gjë, atëherë ne e rikthejmë. Ai kishte parë një komedi, ‘Kartela e Verdhë’, e cila pat bërë namin. Dy herë i pati rënë rrotull Shqipërisë me një numër rekord, ndoshta ajo është shfaqja teatrore me numrin më të madh të shfaqjeve, madje mund t’ia ketë kaluar dhe ‘Pallatit 176’. Dhe ai për fat e kishte parë këtë shfaqje dhe unë u riktheva duke bërë një jetë më normale”, ka treguar aktori I njohur.

PERSEKUTIMI

Aktori Mirush para disa vitesh ka rrëfyer jetën e familjes gjakovare përgjatë gati një shekulli në Shqipëri, nga Tirana në Kavajë e në Shkodër. Pasi gjyshi i tij Saliu u vra nga serbët, për familjen gjakovare Kabashi nisën të tjera vuajtje në atdheun mëmë. Amaneti që djali i tij i vetëm, Musai, babai i Mirushit, të shkollohej në Shqipëri, sepse serbët nuk e lejonin çeljen e shkollave shqipe, do ta ndryshonte në një mënyrë të paparashikueshme jetën e familjes së aktorit. Kalvari i familjes së aktorit nis me burgosjen e babait, Musa Kabashin, pa asnjë shkak, vetëm se paskej studiuar në shkollën amerikane “Harry Fultz”. “Im atë pasi mbaroi shkollën amerikane, e caktuan në Centralin Elektrik të Kavajës atje si përgjegjës, tek “Sesaj” një kompani italiane.

Dy vëllezërit e mi kanë lindur në Kavajë dhe ai kishte një debulesë për Kavajën, dhe im atë edhe pse u largua në vitin 1946 nga Kavaja, nuk pushonte së foluri për Kavajën. Natyrisht pas Gjakovës, debulesa e tij më e madhe ishte Kavaja. Dhe pastaj im atë ndenji në Durrës se doli nevoja atje, dhe pastaj e çuan në Shkodër si drejtor teknik të Shkodrës. Dhe në Shkodër e arrestuan dhe e futën në burg. Sepse nxënësit e shkollës amerikane i konsideronin si spiunë amerikanë. Madje-madje disa prej atyre edhe i zhdukën. Kështu dhe tim at e futën në burg dhe e kanë mbajtur dy vjet në Birucë. Unë thashë se pati “fatin e mirë” që e futën në burg në Shkodër, sepse shkodranët me atë shpirtin e tyre të mirë e të butë që kanë, guxonin dhe i afroheshin kryetarit të degës e i thoshin “Zoti Hilmi, ju e dini vetë, po ai kosovari është burrë i mirë. Ai na ka dhënë dritë…. Ju e dini vetë, xhanëm, po….Në Shkodër linda dhe unë, dhe nëna e pati shuam të vështirë me tre djem për të na rritur dhe të mos kishte qenë, ajo që ne ia dimë shumë për nder një zonjë çifute, Stela Ardit e quanin, që na trokiti në derë natën dhe i dha nënës sime tolonat e ushqimit për të na ndihmuar, e ndërsa nëna nuk deshi t’i pranonte dhe i tha, të falënderoj por unë s’mund t’i mbaj, sepse nuk do të mundem t’ua kthej. Por ajo i tha: “Jo zonja Menduje mbajini, rrisni ata fëmijë, se unë ia dalë gjithsesi!”, – ka rrëfyer aktori.

Të tjera dënime pasuan në familjen Kabashi me burgosjen e dajës Hysen Çela, si gjoja spiun i amerikanëve dhe masakrimi e zhdukja e eshtrave të dajës tjetër Skënder Çela. “Unë isha edhe nipi i Hysen Çelës, sepse kjo martesë midis nënës dhe babait ë mi u bë falë dajës, sepse daja ishte nga studentët më të dalluar të shkollës amerikane. Ky, meqë babai nga Gjakova ishte jabanxhi, atëherë e afroi dhe ftoi e në shtëpi. Aty u njohën me një nga motrat e Hysenit Mendujenë dhe kështu u lidhën dhe u martuan. Mirëpo Hysenin e arrestuan dhe e dënuan me 25 vjet burg dhe për pak gjë i ka shpëtuar edhe pushkatimit, i akuzuar si spiunë i amerikanëve. Dhe daja ishte zotërues i pesë gjuhëve të huaja, dhe në fakt kur pati ardhur Fultz në ‘47-n e kërkoi me emër Hysenin për të përkthyer dy libra të karakterit bujqësor. Daja i nuk ka qenë aty, por fakti që Fultz kërkoi Hysenin që t’i përkthente librat e vuri në shënjestër dhe atë e patën dënuar me burg.

Ndërkohë edhe një dajë tjetër i imi, i cili pati mbaruar Shkollën Tregtare të Vlorës, që kishte një shkollë me ide iluministe dhe shumë e zhvilluar, me dy gjuhë të huaja frëngjisht e italisht të shkruar, dhe ngaqë ishte edhe shok i ngushët i Nako Spiros, ishte përfshirë në Lëvizjen Nacionalçlirimtare, por mbas çlirimit atë konsideruan si revizionist, si krijues i Partisë Socialdemokrate dhe e kanë pushkatuar pa gjyq, me një urdhër të Enver Hoxhës, i mbartur dhe i dërguar në Korçë nga Koçi Xoxe, ku në Korçë ishin Beqir Balluku dhe Panajot Plaku si komisar e komandant i divizionit dhe e kanë konsideruar si të arratisur së bashku me një shokun e tij Mark Toçin. Mbas transformimit të proceseve demokratike unë kam qenë 17-18 vjet me kërkimin e eshtrave, sepse i qante gjyshja sa qe gjallë dhe kujtonte se mos ndoshta ishte gjallë i biri në një vend tjetër.

Në fakt ai ishte masakruar barbarish”, – është shprehur Mirush Kabashit. Por cfarë ndodhi më pas me jetën e tij. “Mua në ‘74-n më kanë hequr nga teatri. Ishte manjiliteti i tyre për këto problemet e dajave dhe më çuan në hekurudhë. Qe një vrasje shpirtërore dhe mendova se nuk do të jem më në skenë. Por atje m’u dha e drejta që të merrja pjese me grupet artistike të ndërmarrjes së hekurudhave. Dhe pastaj papritur e pa kujtuar ashtu rrodhën ngjarjet më kthyen përsëri, sepse dënimi im nisi pse nuk shkrova në biografi dajën e pushkatuar dhe unë u thashë se unë nuk kam asnjë dokument që është pushkatuar, sepse nuk kishte në të vërtetë dhe nuk zgjati ky dënim. Pastaj më kthyen në punë.

Pastaj nuk kam pse mos ta them që një satisfaksion dhe një lloj ngrohtësie më dha edhe fakti që më dhanë titullin “Artist i Merituar”. Madje tamam-tamam ka qenë kur në një festival filmi Enver Hoxha përmendi dy artistë, dhe tha: “Mirë, kemi këtu artistë të mëdhenj si Tinka Kurtin, Sandër Prosin, Violeta Manushin, etj, por unë kam parë dhe nja dy të tjerë. Robert Ndrenika më kanë thënë se ka probleme biografike, ka një vëlla të arratisur, por është aktor i mirë. Po ai tjetri që i merret goja, more, belbacuk është ai?!” “Jo.” -i thanë ata. “Po ja, kemi dhe aktorë të tjerë të rinj…” Mendo, në atë kohë të fliste kështu Enver Hoxha ishte një gjë shumë e madhe dhe m’u hap edhe një dritare që unë të prezantoja Vitin e Ri”, – është shprehur Mirush Kabashi.

VLERËSIMI

Çmimet më të rëndësishme që fitoi ishin titujt “Artist i Merituar”, “Mjeshtër i Madh i Punës” dhe “Nderi i Kombit”, ky i fundit në vitin 2014. Në Festivalin Kombëtar të Teatrove Profesionistë të vitit 1989 u shpall “Aktori më i mirë” me rolin e Sadush Nezirit te komedia “Hija e tjetrit” e Ruzhdi Pulahës. Po me këtë rol, në Festivalin Teatror Ballkanik të zhvilluar në Korint të Greqisë, u vlerësua si një ndër aktorët më të mirë. Në vitin 2002 fitoi çmimin e “Aktorit më të mirë protagonist” në Festivalin e Aktrimit “Apollon 2002” me rolin e Nokës në komedinë “Sa mirë bëri që vdiq” të Ilir Bezhanit. Më 1997 në edicionin e nëntë të Festivalit Eksperimental të Teatrit të organizuar në Kajro të Egjiptit, Mirush Kabashi është vlerësuar me “Sfinksin e artë” si interpretuesi më i suksesshëm mes njëmijë aktorëve pjesëmarrës nga dyzetegjashtë vende të botës./ Gazeta Panoram

Artikulli paraprakNdarja nga jeta e Papa Françeskut, shtyhen ndeshjet e Seria A
Artikulli tjetërPezullimi nga detyra i drejtorit të Përgjithshëm të AMP-së, Gjykata e Beratit shpall moskompetencën për Florian Sulejmanin, ia kalon çështjen asaj të Tiranës