Azgan Haklaj, kandidat për deputet i Koalicionit Euroatlantik në Tiranë, ka reaguar pas ndarjes nga jeta të Papa Françeskut, duke e konsideruar këtë një humbje të madhe jo vetëm për botën katolike, por për mbarë njerëzimin.
Në një postim publik, Haklaj thekson lidhjet historike dhe shpirtërore të kombit shqiptar me krishterimin, duke përmendur figurat historike si Konstandini i Madh, Gjergj Kastrioti dhe Nënë Tereza. Ai u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të shpallin një ditë zie kombëtare në nder të Papa Françeskut.
“Nëse ka një komb që duhet të ulë flamurin në gjysmë shtize pas ndarjes nga jeta të Papa Françeskut, ai është kombi shqiptar,” thekson Haklaj.
Në përfundim të reagimit të tij, ai i drejtohet Presidentit të Republikës, Sh.T. Bajram Begaj, për të marrë këtë hap simbolik që, sipas tij, do të ishte një gjest i lartë njerëzor dhe kombëtar.
Postimi i plotë i Azgan Haklajt:
Një sugjerim sa kombëtar po aq njerëzor…!
Papa Françesku dha frymën e fundit një ditë pasi bekoi të gjithë të krishterët për festën e Shenjtë të Pashkëve.
Bota katolike është në zi…dhe jo vetëm.
Në zi është i gjithë njerëzimi të cilit Papa i uronte paqe, drejtësi dhe civilizim.
Nëse ka një komb i cili pas Shën Pjetrit duhet të ulë flamurin në gjysëm shtizë ai është Kombi Shqiptar.
Pa shumë histori gjenealogjie religjioze dua t’ju kujtoj të gjithëve se ai që ligjeroi Krishterimin ishte Perandori me origjine Dardane Konstandini i Madh!
Gjergj Kastrioti ishte perdja e hekurt që ndaloi Perandorisë Osmane për të intervenuar në perëndim ndërsa Shenjtorja jonë Nënë Tereza ishte përçuesja hyjnore e vlerava humane të Krishterimit.
Në këto kushte i kërkoj shqiptarisht e politikisht Sh.T.Bajram Begaj,President i Republikës të Shqipërisë të shpallë një ditë zi kombëtare për ndarjen nga jeta të Shenjtërise së Tij Papa Françesku.