“7×7=313 është himni i anti-korrupsionit që u drejtohet shqiptarëve”, Basha: Paratë ose do jenë në xhepat e qytetarëve, ose te shokët e Ramës. Jemi të inkurajuar nga mbështetja e të rinjve

Drejtuesi i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, në një intervistë për emisionin “Ekspres” në RTSH, theksoi rëndësinë e zgjedhjeve të 11 majit, ku qytetarët do të vendosin nëse paratë do të jenë në xhepat e tyre për rritje pensionesh, ulje taksash dhe investime, ose do të shkojnë në xhepat e shokëve të Edi Ramës.

Basha theksoi se koalicioni është i inkurajuar nga mbështetja e të rinjve dhe votuesve për herë të parë. Ai shtoi se për Koalicionin Euroatlantik, misioni është të përgatisë brezin e ri për të udhëhequr Shqipërinë dhe për të luftuar korrupsionin. Sipas tij, 7×7=313 është himni i anti-korrupsionit që u drejtohet shqiptarëve.

Pjesë nga fjala e Bashës:

Lulzim Basha: Qytetarët në 11 maj do të zgjedhin se ku do të jenë paratë e tyre. Do të jenë në xhepat e tyre, për rritje pensionesh, do jenë për ulje taksash, do jenë për investime në shëndetësi, për të rinjtë në universitete, për vende pune me paga dinjitoze, apo do jenë në xhepat e shokëve të Edi Ramës. Kjo është zgjidhja, nuk ka tjetër zgjedhje: ose do të jenë paratë në xhepat e qytetarëve, o do të jenë në xhepat e shokëve të Edi Ramës. Dhe këtë e ndan vota në datën 11 maj. Çdo qytetar përgjigjet për veten e vet, para fëmijëve të vet dhe para familjeve të tyre.

Pyetje: Jemi në kulmin e fushatës elektorale, si po shkon ajo në këndvështrimin e demokratëve euroatlantik? Ku e shihni mbështetjen më të madhe dhe ku keni më shumë pritshmëri, në cilin qark?

Lulzim Basha: Problemet që ne denoncojmë, janë probleme të të gjithë Shqipërisë. Dhe nuk fokusohemi në një qark, apo në një qark tjetër. Kështu që mbështetjen ne e presim në të gjithë Shqipërinë. Por në veçanti jemi të inkurajuar me mbështetjen që shohim nga të rinjtë në përgjithësi, në veçanti edhe votuesit për herë të parë. E kutojnë që po mbyllet një cikël tranzicioni dhe janë para një mundësie të madhe. Ndërsa për ne,Koalicionin Euroatlantik, misioni më i rëndësishëm është të shtrojmë terrenin, të përgatisim këtë brez të ri për të marrë në dorë fatet e Shqipërisë, sepse e vjetra nuk ka më se çfarë të ofrojë.

Pyetje: Është edhe për shkak të një fushate jokonvencionale që po bëni qoftë edhe me këtë komunikimin “o Rame, o Bashe” që këta të rinjtë mund të kenë më shumë dëshirë t’ju kërkojnë?

Lulzim Basha: Të rinjtë, ashtu si pjesa tjetër e popullsisë, edhe moshat e tjera, kuptojnë thelbin e mesazhit tim. Dhe unë nuk i kam dëgjuar të përsërisin ndonjë gjë që thotë Rama, po ajo që përsërisin nga mesazhet e mia janë ku i ke shokët 7×7=313. Ky është himni i anti-korrupsionit. Ky është refreni i antikorrupsionit që shqiptarët tashmë, shumica e shqiptarëve, se atyre iu drejtohet ky mesazh, ky mesazh nuk i drejtohet të korruptuarve tek 7×7=313 dhe shokët e tyre. Nuk iu drejtohet dhe ata as nuk presin, as nuk kërkojnë votë, sepse ata janë subjekt i politikave tona antikorrupsion në mbështetje të SPAK-ut. Ndërsa shumica e popullsisë, pjesa tjetër e qytetarëve, e mbështesin këtë si një refren kundër korrupsionit.

Artikulli paraprak“Rama s’ka më çfarë t’i japë Shqipërisë, vetëm mund t’i bëjë më shumë dëm”, Basha: Mbështetja për drejtësinë, lufta kundër korrupsionit dhe aleanca me partnerët strategjikë janë vlera themelore të Koalicionit Euroatlantik
Artikulli tjetërReagon Pëllumb Seferi pas tërmetit në Turqi: “Dhimbjen tuaj e ndiejmë si të ishte e jona”