Mirela Karabina, kandidate për deputete e Koalicionit Euroatlantik në qarkun e Elbasanit, ka bërë një apel të fuqishëm për qytetarët e Elbasanit, duke theksuar se data 11 maj nuk është thjesht një ditë zgjedhjesh, por një mundësi për të ndryshuar rrugën që ka ndjekur qyteti dhe Shqipëria në përgjithësi.
Sipas Karabinës, më 11 maj qytetarët do të kenë mundësinë të zgjedhin mes Shqipërisë dhe Edi Ramës, mes dritës dhe errëesirës, mes drejtësisë dhe korrupsionit. Ajo shprehu shqetësimin për ngjarjet e fundit të dhunshme që kanë ndodhur në qytetin e Elbasanit gjatë fushatës zgjedhore, duke e cilësuar këtë si një dëshmi të një realiteti të dhimbshëm: kriminalizimi i jetës publike, që është pasojë e korrupsionit galopant në çdo ind të shtetit.
“Ky nuk është realiteti që ne duam. Ky nuk është sistemi që ne meritojmë. Politikën e korrupsionit, dhunës dhe frikës duhet ta mbyllim njëherë e përgjithmonë,” tha Karabina, duke apeluar për një ndryshim të thellë.
Ajo bëri thirrje për një votë që do të çojë në një të ardhme më të ndritur për Elbasanin dhe Shqipërinë, duke theksuar se vota e çdo qytetari është vendimtare për të ardhmen e qytetit. “Në 11 maj, me votën tuaj keni në dorë të ndryshoni këtë politikë që ka varfëruar jetët tona dhe ka kthyer Elbasanin në një vend të padëshirueshëm. Votoni për një të ardhme më të mirë, votoni kundër korrupsionit dhe dhunës,” shtoi ajo.
Mirela Karabina ftoi qytetarët të mbështesin Koalicionin Euroatlantik si një alternativë të besueshme për të nxjerrë Elbasanin nga kriza dhe për ta çuar atë në rrugën e zhvillimit dhe normalitetit. Ajo theksoi se ky koalicion është një mundësi e shkëlqyer për t’i dhënë fund dominimit të korrupsionit dhe për të hapur dyer të reja për të rinjtë dhe qytetarët e Elbasanit.
“Besoni te Shqipëria, besoni te Elbasani,” ishte thirrja e fundit e Karabinës, duke ftuar qytetarët të bëjnë zgjedhjen e duhur në 11 maj, për një të ardhme më të ndritur dhe më të drejtë.