Kur Frika Nuk Ruan Vreshtin: Një Reflektim Politik mbi Shpresën dhe Dorëzimin

Nga Neli Demi

“Frika ruan vreshtin”, thotë një shprehje popullore. Në kontekstin e pushtetit, ajo tingëllon si një justifikim për çdo formë kontrolli, çdo propagandë, çdo trysni që mbjell pasiguri. Por unë – si psikiatër, si qytetar dhe tani edhe si kandidat për deputet – e kam parë nga afër një tjetër të vërtetë: frika nuk ruan asgjë. Frika zhbën. Frika nuk është vegël e moralit, por shpesh bëhet mjeti më i butë i diktatit.

Në këto ditë para zgjedhjeve, shumë qytetarë më afrohen me të njëjtën ndjenjë në sy: një përzierje frike dhe zhgënjimi. Frikë se “asgjë nuk ndryshon”, se “të gjithë janë njësoj”. Zhgënjim ndaj atyre që premtuan e nuk mbajtën. Shpresë e zbehtë për të provuar sërish. Dhe për t’i mbuluar këto ndjenja, pushteti ka prodhuar një formë të sofistikuar anestizie kolektive: sondazhe të porositura, narrativa të fitoreve absolute, paralajmërime të “humbjes së sigurt” nëse voton “të vegjlit”, “të ndershmit”, “të rinjtë”.

Por si funksionon frika në shpirtin njerëzor? Ajo nuk vjen gjithmonë si panik. Shpesh, ajo shfaqet si dorëzim i heshtur. Si justifikim. Si tërheqje nga beteja. Dhe në vend që ta përballim, ne kërkojmë ta shmangim – duke mohuar ato vlera që dikur na frymëzonin: drejtësinë, dinjitetin, të vërtetën.

Këtu fillon kompromisi. Jo me kandidatin X apo partinë Y – por me vetveten. Dhe ky është rreziku më i madh. Sepse kur dikush braktis shpresën për drejtësi, ai nuk bëhet më i lirë. Ai bëhet më i manipulueshëm. Dhe ky është terreni ku mbijnë arroganca, cinizmi, manipulimi – simptomat e një shoqërie që është lodhur duke luftuar dhe që tani jeton me justifikime.

Në politikë, kjo formë kapitullimi prodhon atë që e quajmë “stabilitet” – jo sepse gjërat funksionojnë, por sepse njerëzit nuk guxojnë më të ëndërrojnë ndryshe. Është një lloj qetësie që vjen jo nga drejtësia, por nga dorëzimi.

Por ka edhe rrugë tjetër: ajo e vetëdijes. E kthimit te vlerat themelore. E të kuptuarit të frikës dhe të përballjes me të, jo të shmangies. E votimit, jo si akt teknik, por si akt simbolik – si refuzim i dorëzimit, si pohim i vetvetes.

Unë nuk besoj në sondazhe të fabrikuara. Nuk besoj në fitore të shpallura para kohe. Por besoj në ndërgjegje. Dhe nëse ajo zgjohet, nuk ka propagandë që mund ta ndalojë.

Mos pranoni frikën që ju shitet si realizëm. Mos lejoni që zhgënjimi t’ju bëjë cinikë. Dhe mbi të gjitha: mos bëni kompromis me atë që jeni. Sepse ndryshe nga ç’thuhet, vreshtin nuk e ruan frika — e ruan guximi për ta mbjellë sërish, edhe kur të duket i djegur.

Nëse qytetarët më japin mundësinë të jem zëri i tyre në Kuvend, unë do të punoj pikërisht për të zhbërë këtë klimë frike dhe dorëzimi që prodhon apati dhe varfëri morale. Do të kundërshtoj propagandën që përpiqet të krijojë përshtypjen e një realiteti pa alternativë. Sepse alternativa ekziston – kur njerëzit besojnë në të.

Artikulli paraprakMirela Karabina: Elbasani meriton një të ardhme më të mirë
Artikulli tjetërGazment Koduzi i Koalicionit Euroatlantik: Me kë i ndan Rama lekët e shëndetësisë?